Fichte: Kultura si instrument lirie

Dec 28, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA ILIR CENOLLARI ILIR CENOLLARI

Fichte, një filozof gjerman, hartoi projektin “Kultur zur Freiheit”, që do të thotë “kultura si kusht për të qenë i lirë”, pra, zhvillimi i kulturës sjell lirinë. Kjo formulë filozofike u përqafua nga shumë popuj të Evropës dhe Ballkanit, përkatësisht dhe nga Rilindja Kombëtare Shqiptare. Nocioni i kulturës mori rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos në vendet që nuk kishin një shtet kombëtar, në të cilat kultura përmbush rolin e mësuesit dhe edukatorit të munguar, sikurse ndodhi, për shembull, me Kosovën e pushtuar. Fichte analizoi raportin midis shtetit, kombit dhe atdheut, pasi shteti dhe kombi paraqesin rëndësi të madhe për jetën shoqërore.

Fichte etikën, drejtësinë dhe kushtetutshmërinë, i shkriu në një term të vetëm, në atë të moralit. Për rrjedhojë, shteti ka për detyrë të krijojë moralin shoqëror, sepse është morali, ai që krijon shtetin e së drejtës dhe shoqërinë. Njeriu për nga natyra priret drejt egoizmit dhe interesit vetjak, duke u përpjekur të hajë në kurriz të tjetrit. Për t’i vënë fre kësaj prirje individualiste, sikurse për të garantuar lirinë vetjake, vullneti i përgjithshëm duhet t’i imponohet individit si vullnet i detyrueshëm, i fuqishëm dhe i ligjëruar si vullnet i shtetit dhe organizimit të tij. Jashtë shtetit nuk ka asnjë të drejtë natyrore! Liria vetjake, reale ose e supozuar, realizohet nga shteti si një ndërveprim i çdo individi, duke u bërë e detyrueshme për të gjithë. Shteti nuk duhet të kënaqet me realizimin e lirive formale, por duhet të garantojë mirëqenie ekonomike për të gjithë, të drejta për barazi ekonomike, sikurse të përmirësojë vazhdimisht vetveten e vet. Vetëm kështu, individi i bindet me dëshirë shtrëngimit shtetëror. Represioni shtetëror, pra, është mjet për të garantuar lirinë vetjake dhe kolektive, mbrojtur drejtësinë dhe shoqërinë. Po një shtet i tillë, a ka kufij, deri ku mund të shkojë?

Krahas rregullave të detyrueshme, shteti duhet të garantojë, në disa vende e rrethana, mundësi reale për të përdorur kohën e lirë sipas dëshirës, pra liritë individuale. Shteti ndalet te porta e shtëpisë sime, në shtëpinë time uni im i shenjtë është i paprekshëm! Vlera dhe çmimi i jetës shfaqet pikërisht te liria individuale, tek e drejta për ta përdorur sipas dëshirës kohën e lirë. Individi ka të drejtë absolute ta përdorë lirinë e tij për qëllime të larta në përputhje me vullnetin e tij të lirë, që nuk ka të bëjë me të drejtat shtetërore. Këto qëllime të larta, mbinatyrore, janë tërësisht të karakterit kulturor, pra, që kanë të bëjnë me artet e bukura, moralin, fenë dhe shkencën. Mirëpo kjo nuk mjafton, shteti duhet t’i bëjë realitet këto qëllime duke i garantuar në praktikë këto të drejta, duke përdorur forcën e vet për të tejkaluar vetveten, derisa të shndërrohet në një “shtet kulturor”! Garantimi i mundësisë individuale për ta përdorur kohën e lirë vetjake për qëllime të larta do të thotë praktikisht garantim i lirisë shoqërore. Nga ana tjetër, liria shoqërore në vetvete është terreni ideal, ku lind dhe lulëzon kultura e lartë, ose superiore. Shteti duhet të bëjë të pamundurën të krijojë kushte për një qëllim të tillë, pasi kultura mbron njëherësh shtetin dhe shoqërinë.

Shteti në vetvete është një koncept abstrakt, pasi është individi që i jep një atij një përmbajtje konkrete. Uniteti formal (kontrata juridiko-politike), bazohet në një unitet më të thellë, në unitetin e qenieve të lira dhe të pavarura, të cilat përbëjnë bazën e unitetit kombëtar. Shkurt, në filozofinë kombëtare! Individi i lirë afirmon individualizmin e vet në gjirin e shoqërisë ku ai bën pjesë, për këtë arsye, sipas Fichtes termi komb dhe popull janë pothuaj sinonime. Kështu, masa e gjerë e popullit, klasat e kultivuara, elitat kombëtare dhe udhëheqësi mishërojnë të njëjtën kulturë, i përkasin të njëjtës kulturë. Elementi jetësor i kombit është kultura, e lindur apo e krijuar, s’ka rëndësi, përderisa kultura bëhet natyra e dytë e tij, shndërrohet në zakon dhe shpirti përshtatet dhe vepron në përputhje me këtë kulturë. Shpirt në thelb do të thotë veprim, të veprosh nga vetja e në vetvete, me vullnet të lirë, do të thotë auto-aktivitet, të pohosh, të bësh, të formohesh, të vetëpërcaktohesh.

Në thelb kjo do të thotë liri. Nuk është natyra ajo që krijon kombin, që e bën kombin komb, as bota fizike, mjedisi i jashtëm, klima, territori, as mjedisi i brendshëm, psikologjik, si gjaku, fisi, raca. Uniteti kombëtar në radhë të parë bazohet tek uniteti gjuhësor, produkti i fillestar natyror i shpirtit njerëzor, që shkallëshkallë, krijoi dhe një kulturë të mëvetësishme kombëtare. Një komb mund të ketë disa shtete. Fuqia dhe vlera e një kombi nuk qëndron në përmbajtjen e tij origjinale, të arritur në mënyrë të natyrshme, në kulturën dhe gjuhën e tij, por në besnikërinë ndaj historisë së tij, identitetit të tij, fatit të tij, të ndërtuar dhe rindërtuar në përputhje me nevojat e veta, përballjet me vetveten dhe ndikimet e jashtme, sakrificat e bëra ndër shekuj etj.. Për shembull, shqipja në vetvete, sipas konceptit ‘Fichtian’, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në vetvete, është një gjuhë si gjithë të tjerat, por historia e saj është e jashtëzakonshme, përpjekjet për ruajtjen e saj janë sublime! I vetmi realitet i vërtetë është uni i mëvetësishëm, i cili synon gjithmonë të identifikohet me identitetin kolektiv, duke u ngjitur shkallë-shkallë deri në përsosmëri, nga individi te kombi, nga kombi në universalizëm. Kombi i vërtetë duhet të punojë jo vetëm për rilindjen e vet, por edhe për rilindjen e shoqërisë njerëzore në tërësi, duke ngjallur në çdo popull ndjenjën e humanizmit universal. Në çdo komb ka një parim universal dhe një parim që e krijon atë. Lidhja me kombin, që e bën njeriun të japë dhe jetën për të, pra, është lidhje me absoluten, me atë që është e përjetshme! Siguria shtetërore dhe kombëtare bazohet mbi ndjenjat e përbashkëta patriotike, bazohet mbi patriotizmin. Atje ku është e mira është atdheu, atdheu krijon kombin, kombi shtetin. Dashuria për atdheun ndërton themelet e shtetit, përcakton qëllimet e tij, garanton sigurinë juridike, ekonomike dhe shoqërore, bashkëjetesën në liri, me synimin e lartë, kulturor dhe hyjnor, sigurimin e unitetit shpirtëror të kombit, që bën të mundur mbijetesën e tij në histori. Vetëm shpirti ia arrin këtij qëllimi, fuqia materiale nuk mjafton.

Patriotizmi është ajo fuqi që e detyron shtetin të përmbushë detyrën parësore të tij, thellësisht shpirtërore në përmbajtje e në formë, edukimin e rinisë! Edukimin e rinisë me frymën humaniste, që gjithsesi, ka një thelb të shenjtë, gati fetar, përmes një diskutimi racional kombëtar, domethënë përmes filozofisë! Janë mësuesit ata, që duke filozofuar, formojnë nxënësit duke i futur në filozofi, domethënë nxënësit të arrijnë të kuptojnë nevojën e racionalizmit, arsyes dhe të bindjes ndaj shtetit sepse kjo është në të mirën e tyre. Madje, edhe kreu i shtetit, duhet të vijë nga klasa e mësuesve dhe profesorëve, se ai duhet të jetë maja e shtetit, shkencës dhe filozofisë! Kreu i shtetit duhet të jetë i vetëdijshëm se atdheu dhe ai vetë nuk mund të ekzistojnë jashtë kombit dhe shtetit, se idealizimi i shtetit dhe kombit merr vlerë vetëm kur i shërben atdheut. Është atdheu ai, që për të mbijetuar, kërkon ekzistencën e kombit. Mjeti kombëtar kushtëzon realizimin e qëllimeve patriotike. Gjinia njerëzore afirmohet përmes kombeve dhe kozmopolizmit. Çdo patriot është dhe një kozmopolit, patrioti më i flaktë është kozmopoliti më aktiv, pra qytetar i botës. Ndjenja patriotike kërkon një etikë kombëtare, etika kombëtare nga ana tjetër kërkon një politikë shtetërore.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura