FIFA shpresonte për miliarda, askush nuk blen të drejtën TV në Europë për Botërorin e Klubeve

Sep 24, 2024 | 21:56
SHPËRNDAJE

Botërori i Klubeve në verën e vitit 2025 pritet të jetë një aktivitet shumë i veçantë dhe padyshim që ka ngjallur shumë interes pasi do të përballen në një turne të rrallë klubet më të mira nga i gjithë globi.

boterori i klubeve

FIFA shpresonte që një aktivitet i tillë të sillte miliarda dollarë në arkat e saj për të përballuar shpenzimet e larta që do të ketë pasi u ka bërë premtime të shumta klubeve pjesëmarrëse. Por realiteti duket se është ndryshe. Askush nuk ka blerë të drejtën TV sa i përket transmetimit në Europë të aktivitetit, që ishte tregu kryesor dhe sot ka skaduar afati i fundit për dorëzimin e ofertave.

Kompania “Apple” e cila ka platformën e vet të transmetimeve televizive, kishte nisur negociata me FIFA-n për blerjen e të drejtës së transmetimit global për 1 miliard dollarë. Por edhe ajo është tërhequr pasi e cilëson si shpenzim shumë të lartë dhe për momentin, nuk ka një hapësirë  për diskutime të tjera mes palëve.

Tani FIFA-s i duhet të shpejtojë për të siguruar shitjen e të drejtës TV dhe për të siguruar sponsorë që të mbështetin fuqimisht aktivitetin, pasi rrezikon që të mos ketë financat e mjaftueshme që t’u garantojë klubeve shifrat e larta që u ka premtuar. Duke filluar nga ato europiane të cilat presin të kenë në arkat e tyre të paktën 50 milionë euro për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura