Një tjetër film shqiptar i restauruar, u shfaq në sallën “Forum” të CODit. Falë bashkëpunimit të Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq komedia “Përrallë nga e kaluara”.
Filmi i prodhuar nga kinostudio “Shqipëria e re”, është bazuar në novelën me titull “14 vjeç dhëndër” të Andon Zako Çajupit. Regjisori Dhimitër Anagnosti i dha jetë kësaj novele me një trupë aktorësh të papërsëritshëm, në vitin 1987. Komedia trajton historinë e martesës së Gjinos, 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Filmi shpalos hakmarrjen e Marigosë me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe ku në fund fiton duke u bashkuar sërish me njeriun që dashuronte. E pranishme gjatë shfaqjes ishte edhe drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Marinela Ndria, e cila bëri një panoramë mbi procesin e realizimit të një filmi të restauruar, gjithashtu dhe rrëfeu për punën kolosale që AQSHF ka zhvilluar për të ruajtur dhe servirur në gjendje optimale tek publiku këto pasuri kombëtare kinematografike.
“Përrallë nga e kaluara” është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1987. Skenari i këtij filmi është i bazuar në novelën me të njëjtin titull të Andon Zako Çajupit. Komedia rrëfen për martesën e pazakontë mes Gjinos 14 – vjeç, interpretuar nga Admir Sorra dhe Marigosë, nga Elvira Diamanti. Variacion i komedisë “14 vjeç dhëndër” të A. Z. Çajupit. Në këtë komedi autori tregon historinë e martesës së Gjinos 14 vjeçar me Marigonë 28 vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe më në fund fiton. Shqiptarët e apasionuar pas kinemasë vendase, i shohin e rishohin filmat e dikurshëm të kinostudios, ku filmi “Përrallë nga e kaluara”, duket se nuk ka moshë. Ai është ndër filmat më të ndjekur dhe ndër më të transmetuarit në Shqipëri.
Të rrallë janë ata qytetarë të brezit të mesëm që nuk e kanë fiksuar këtë film. Por është e çuditshme se edhe të rinj, që kanë lindur pasi ky film kishte bërë xhiron e kinemave dhe të televizionit të vetëm shtetëror, i shohin me dëshirë dhe i fiksojnë sot batutat e filmit mjaft të suksesshëm të regjisorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti. Nuk është e vështirë të shohësh se si jeton sot filmi, në një formë shumë popullore. Dialogët e tij, batutat më të spikatura përdoren në çdo situatë dhe nga të gjithë. Filmi është i bazuar mbi një variacion të komedisë “14 vjeç dhëndër” të A. Z. Çajupit. Filmi tregon historinë prekëse, por edhe komike në të njëjtën kohë të Gjinos, një djalë 14 vjeçar të cilin familja e detyron të martohet me Marigonë 28 vjeçare, pasi Marigoja shihet si krah pune.
Marigoja nga ana e saj, vajza më e bukur e fshatit, dashuron Trimin, një dashuri kjo reciproke e dy të rinjve, por që duhet të bëhet fli për hir të zakonit, ku gruaja shihej si krah pune për të ndihmuar në punët e bujqësisë dhe të shtëpisë, ndërsa burri rrinte nën hije dhe kuvendonte. Tipike për një shoqëri konservatore dhe patriarkale, të cilën Çajupi e kishte fshikulluar në veprën e tij të viteve ‘30. Në film regjisor Anagnosti ka ditur të ndërthurë mirë skenat e humorit gjirokastritë të përshkruar nga vetë Çajupi, por edhe të përshkruaj me realizëm fatin e gruas shqiptare. Hakmarrja e Marigosë kundër “zakonit dhe botës” është çelësi i që ka gjetur autori për të mbyllur këtë histori me një “happy-end” nga më klasikët.
Interpretimi i aktorëve ku veçohen Robert Ndrenika (Artist i Popullit) në rolin e Vangjelit dhe Hajrie Rondo (Artiste e Merituar) në rolin e Tanës jo vetëm që i kanë rritur vlerat kësaj komedie, por edhe e kanë bërë shume të dashur për publikun mbarë shqiptar si një nga komeditë më të arrira të viteve 80-të. Por, ndonëse ky film është mbështetur mbi disa motive të veprës së Çajupit tek komedia e tij “14 vjeç dhëndër” kur stiset martesa e Gjinos me Marigonë, më pas skenari i filmit është zhvilluar si krijim origjinal i Anagnostit.
Dy role të papërsëritshëm të këtij filmi, interpretoheshin nga Hajrije Rondo dhe Robert Ndrenika, dy aktorë me reputacion të jashtëzakonshëm në kinemanë shqiptare, ndërsa rolet e Marigosë dhe Gjinos, interpretoheshin nga aktorët Elvira Diamanti, asaj kohe, një aktore e re në moshë dhe profesion dhe Admir Sorra, një djalë i vogël pa eksperiencë në kinema. Xhirimet e filmit u bënë në një fshat të Gjirokastrës dhe si shtëpi ku zhvillohen ngjarjet kryesore të filmit, u përdor një shtëpi fshati.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al