Një juri në një gjykatë federale arriti në përfundimin se firma ‘CACI International’, që ishte kontraktuar nga Pentagoni, kishte përgjegjësi për torturat që janë kryer në burgun Abu Ghraib, afër kryeqytetit irakian, Bagdad.
Torturat ishin kryer ndaj të burgosurve gjatë luftës në Irak ndërsa vendimi i të martës thotë se firma CACI duhet të paguajë 42 milionë dollarë.
Vendimi i jurisë thotë se firma me bazë në shtetin amerikan të Virxhinias është përgjegjëse për torturat që iu bënë tre burrave irakianë, në burgun Abu Ghraib nga viti 2003 deri më 2004. Vendimi thotë se firma duhet t’i paguajë secilit prej tre paditësve nga 14 milionë dollarë, sipas një njoftimi të Qendrës për të Drejta Kushtetuese, e cila ka përfaqësuar personat që bën padinë.
Vendimi i të martës shënon herën e parë që një firmë joushtarake, e kontraktuar nga Pentagoni, të shpallet përgjegjëse për tortura në burg.
Torturimi i të burgosurve nga forcat amerikane gjatë luftës në Irak në atë burg, ishte një skandal që ndodhi gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, pas publikimit të fotografive nga brenda burgut, në vitin 2004.
Në fotografi shiheshin se si ushtarët amerikanë qeshnin ndërsa të burgosurit mbaheshin në pozita denigruese.
Të burgosurit kanë thënë se janë abuzuar seksualisht dhe fizikisht dhe janë torturuar me shok eletrik.
Firma CACI e ka hedhur poshtë akuzën se punonjësit e saj janë përfshirë në tortura. Pas vendimit, firma CACI tha se do ta dërgojë atë në apel, duke e quajtur vendimin si zhgënjyes. Punonjësit e CACI-t kanë punuar si hetues në burg sipas kontratës që kanë patur me qeverinë amerikane.
Tre irakianët Suhail Al Shimari, Salah Al-Ejaili dhe As’ad Al Zuba’e, thanë se hetuesit e CACI-t i kërkonin personelit ushtarak ‘të zbusnin’ të burgosurit para se të merreshin në pyetje, gjë që, sipas tyre, nxiste abuzimet brenda burgut.
Me kohë, të tre irakianët janë liruar nga burgu pa iu ngritur akuza.
Zëdhënësi i firmës CACI tha se firma “gabimisht është lidhur, për një kohë të gjatë, me veprimet fatkeqe të një grupi të policisë ushtarake në burgun Abu Ghraib nga viti 2003 deri më 2004”./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al