Flet Dr. Jera Kruja: Skleroza, shenjat e para dhe metodat e trajtimit

Nov 30, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Çrregullimet e shikimit, mpirjet, çrregullimet e ecjes dhe ekuilibrit janë disa prej shenjave të para që manifeston sëmundja e sklerozës. Sipas shefes së Shërbimit Universitar të Neurologjisë në QSUT, Jera Kruja, Skleroza Multiple është një nga sëmundjet më të njohura kronike të sistemit nervor, e cila shfaqet kryesisht te moshat nga 20 deri në deri 40 vjeç. Por ka mjaft raste, pohon mjekja, që edhe pas të 40-ave.

Në intervistën dhënë për gazetën, doktoresha ndalet edhe te faktorët e riskut, komplikimet që mund të sjellë sëmundja, si edhe metodat e trajtimit. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi sipas protokolleve të caktuara si për fazën akute dhe për atë kronike, sipas Krujës, e zbut ecurinë e sklerozës. Përveç trajtimit me medikamente, rekomandohet po ashtu një dietë e varfër në yndyra.

 

PROF. DR. JERA KRUJA
PROF. DR. JERA KRUJA

Skleroza Multiple (SM) atakon sistemin nervor qendror, cilat janë shenjat e para që manifeston?

Skleroza Multiple është një nga sëmundjet më të njohura kronike të sistemit nervor. Ekzistojnë disa të dhëna në retrospektivë, në bazë të shenjave të përshkruara nga mjekë të ndryshëm, se sëmundja ka ekzistuar nga koha e mesjetës, por përshkrimet e para të shkruara datojnë në vitin 1868 me përshkrimin e Charcot, një profesor shumë i njohur i Universitetit të Parisit. Pacientja e parë, e përshkruar prej tij klinikisht, u ndoq gjatë gjithë jetës së saj për shenjat e saj klinike dhe pas vdekjes u krye autopsia. Në këtë mënyrë për herë të parë u identifikua shkencërisht Skleroza Multiple (Skleroza me pllaka, sipas Charcot, bazuar në dëmtimet mikroskopike të trurit). Sëmundja mund të fillojë me një gamë shumë të gjerë shenjash, ku përfshihen çrregullimet e shikimit, mpirjet, çrregullimet e ecjes, ekuilibrit, paralizat e ndryshme motore etj.

Cilat janë moshat më të rriskuara?

Sëmundja fillon zakonisht nga mosha 20 deri në 40 vjeç, por kemi mjaft raste me fillim para moshës 20-vjeçare e disa herë edhe fillim të vonshëm të sëmundjes.

Shfaqja e një sëmundjeje është e lidhur me faktorët e riskut, në këtë rast cilët janë shkaktarët? Faktori gjenetik sa peshë ka?

Ka studime të panumërta në drejtim të identifikimit të shkakut të sëmundjes. Këto studime, të paktën pas viteve ’60 të shekullit XX, mund të grupohen në prejardhjen ambientale dhe në prejardhjen gjenetike. Mbështetësit e këtyre dy mundësive kanë bërë argumentime të ndryshme mbi lidhjen një infeksioni viral paraprirës që shkakton ndryshime imune në organizëm, që çojnë në dëmtimin e mielinës (shtresës veshëse të nervave) dhe të një predispozite gjenetike për këto ndryshime. Ende sot këto ide janë në nivelin e hipotezave, pra nuk dihet plotësisht shkaku i sëmundjes, por sidoqoftë pranohet se është një sëmundje autoimune.

Femrat janë më të prekura se meshkujt, pse kjo predispozitë?

Po, femrat zakonisht janë më të prekura, zakonisht me një raport 1.5:1 në krahasim me meshkujt. Ky konstatim ka çuar në studime shtrira në drejtim të diferencave të sistemit imun ndërmjet grave e burrave që mund të shkaktohet nga hormonet gonadale, ndryshimet gjenetike ose ekspozimet e ndryshme ambientale të të dy sekseve. Ka edhe disa sëmundje të tjera autoimune ku vërehet dominimi te gratë. Teknologjitë e reja mund të japin në të ardhmen shpjegime më të plota në këtë drejtim.

Në sa forma shfaqet SM?

Kemi disa forma klinike të Sklerozës Multiple të lidhura me shenjat klinike dhe me ecurinë e sëmundjes. Të lidhura me shenjat klinike mund të përmendim: forma spinale, forma cerebelare, neuromieliti optik etj. Në lidhje me ecurinë: forma me përmirësime e keqësime, që mund të kalojë në formën sekondare progresive, forma primare progresive, forma beninje etj.

Nëse shenjat neglizhohen, pra nuk trajtohen në kohë, çfarë komplikimesh mund të sjellë?

Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi sipas protokolleve të caktuara si për fazën akute dhe për atë kronike, e zbut ecurinë e sëmundjes. Duhet të pranojmë që ka forma që nuk u binden skemave të mjekimit, ashtu si edhe ka forma, të quajtura beninje, që mund të mos kenë indikacion për mjekime mbajtëse.

Risku për invalidizim në cilat raste paraqitet?

Skleroza Multiple është një sëmundje me risk të lartë invalidizues. Në rritjen e këtij risku luan rol forma e sëmundjes, p.sh., forma primare progresive shoqërohet me invaliditet më të shpejtë e më të lartë, si edhe shenjat e sëmundjes, p.sh., forma me prekje motore ka invaliditet më të lartë motor, forma me prekje konjitive shkakton invaliditet më të lartë mendor etj.

Nisur nga përvoja juaj, a diagnostikohet në kohë skleroza?

Mendoj se po. Diagnostikimi i hershëm ndikohet nga sensibilizimi që sjell një shenjë neurologjike te një person me moshë të re, që kërkon shumë më shpejt kujdesin e mjekut, sesa një person me moshë të thyer. Gjithashtu, teknikat imazherike të përdorura (rezonanca magnetike), kanë mundësuar diagnostikimin e hershëm në rastet e dyshuara klinikisht.

Si trajtohet skleroza? Dietat nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë, por një regjim ushqimor jo i duhur mund të sjellë përkeqësim. Çfarë këshillohet?

Trajtimi i Sklerozës Multiple bazohet në protokolle të miratuara në bazë të fazës së sëmundjes. Në fazën akute njihet si pozitiv ndikimi i kortikosteroideve, ndërsa në fazën kronike përdorimi i imunomodulatorëve. Çdo vendim për mjekim duhet marrë nga mjekë të specializuar të fushës. Gjithashtu është i rëndësishëm riaftësimi fizik i pacientëve. Ndikimet e dietës në sëmundje nuk janë të konfirmuara dhe të përfshira në protokollet e trajtimit, sidoqoftë ka mjekë që rekomandojnë një dietë të varfër në yndyra të saturuara.

A ka të dhëna për përhapjen e sëmundjes në vendin tonë?

Përcaktimi i përhapjes (epidemiologjisë) së Sklerozës Multiple në vendin tonë ka qenë qëllimi i temës sime të diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë (1980), i doktoraturës sime (1989) dhe i disa studimeve të mëtejshme gjatë gjithë karrierës sime profesionale. Ne disponojmë një regjistër nacional të sëmundjes dhe ndjekim të gjitha rastet e diagnostikuara. Mund të themi se bëjmë pjesë në zonën me risk të mesëm të sëmundjes, bazuar në hartën botërore të prevalencës së saj. Të dhënat tona janë botuar e referuar edhe në revista, atlase e konferenca ndërkombëtare e kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura