Flet mjekja alergologe imunologe, Natasha Çela: Riniti alergjik faktor risku për astmën, si trajtohet

Oct 31, 2018 | 13:27
SHPËRNDAJE

Rreth 40 për qind e popullatës në botë vuan nga riniti alergjik, një sëmundje alergjike e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Sipas mjekes alergologe Natasha Çela, ajo ndikon në cilësinë e jetës së pacientëve, por është edhe një faktor risku për astmën bronkiale. Në një intervistë dhënë për gazetën, doktoresha na njeh jo vetëm me pasojat, por edhe me shenjat, faktorët e riskut dhe çfarë është më e rëndësishme metodat e mjekimit.

natasha-cela1

Çfarë është riniti alergjik?

Riniti alergjik përkufizohet si sëmundje me simptoma nazale të shkaktuara nga inflamacion IgE vartës, pasojë e ekspozimit ndaj alergenit. Riniti Alergjik është një nga sëmundjet më të shpeshta alergjike të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (rrugët respiratore) si te fëmijët, edhe te të rriturit. Kjo sëmundje ndikon dhe pengon si aktivitetet e zakonshme të përditshme, cilësinë e gjumit dhe produktivitetin në punë e në shkollë.

Sa e përhapur është kjo patologji?

Është një sëmundje e përhapur në të gjithë botën dhe ka prekur të paktën deri në 40% të popullatës, me një tendencë në rritje dhe e dyfishuar në 10 vitet e fundit. Kjo tendencë e lartë dhe në rritje e Rinitit Alergjik e bën të domosdoshëm diagnostikimin dhe trajtimin e tij nga mjeku alergologe, pasi riniti alergjik jo vetëm që ndikon në cilësinë e jetës së pacientëve, por është edhe një faktor risku për astmën bronkiale. Riniti dhe astma në përgjithësi hasen njëkohësisht, ato shoqërojnë njëra-tjetrën. (Në 40-50 % të pacientëve me rinit alergjik, kanë edhe astmë alergjike shoqëruese).

Çfarë simptomash paraqesin të sëmurët dhe kur ndihen këto shqetësime?

Të sëmurët me rinit alergjik kanë: teshtima të shpeshta, rrjedhje të ujshme të hundëve, bllokim nazal dhe kruarje të hundeve si dhe skuqje të syve. Riniti alergjik është sezonal dhe gjithëvjetor. Alergenët e rinitit sezonal janë polenet e pemëve, barërave dhe të shkurreve, të cilat qëndrojnë pezull në ajër dhe përhapen nëpërmjet erës. Pacientët mund të jenë të sensibilizuar nga më shumë se një lloj poleni. Prandaj, edhe pacientët me alergji sezonale i përjetojnë simptomat në një periudhë të caktuar të vitit dhe kryesisht në periudhën e pranverës dhe të vjeshtës, pasi simptomat janë më të shprehura në periudhën pik të polenizimit. Një bimë mund të ketë sezon polenizimi gjithë vitit dhe pacientët mund të shfaqin simptoma gjithëvjetore. Dëmtimi i mukozës nazale i shkaktuar nga inflamacioni alergjik mund të shkaktojë dhe sensibilitet ndaj irritantëve inhalatore si tymi i duhanit, erërat e forta, substancat kimike etj, të cilat shpjegojnë faktin përse simptomat persistojnë edhe kur polenet nuk janë të pranishme në atmosferë. Pacientët me alergji stinore ndonjëherë mund të paraqesin dhe simptoma të rrugëve të poshtme bronkiale, si kollë, marrje fryme, fërshëllimë; në kohë sëmundja alergjike mund të përparojë në astmë alergjike. Riniti alergjik gjithëvjetor shkaktohet nga alergenë gjithëvjetor si: akarienet, furtaret, mykërat e ambientit të shtëpisë si dhe alergenë të tjerë, por mund të shkaktohet edhe nga një polen i caktuar (Parietarja), që zgjat për më shumë se 9 muaj gjatë vitit. Simptomat kryesore janë: sekrecionet e shumta, bllokimi i shprehur i hundëve i shkaktuar nga trashja, enjtja e mukozës nazale. Si pasojë e bllokimit të hundëve, pacienti merr frymë me gojë dhe për rrjedhojë ka gërhitje gjatë natës. Të sëmurët mund të kenë humbje të nuhatjes, dobësi të përgjithshme, lodhje etj.

QQQQQQQQQQQ

Cilët janë faktorët shpërthyes të rinitit alergjik?

Faktorët shpërthyes të rinitit alergjik sezonal dhe gjithëvjetor janë: alergenët (alergenët inhalatorë), alergenët e shtëpisë, që mund të jenë akarienet, kafshët shtëpiake, insektet, alergenët e ambientit, janë polenet dhe mykërat. Po ashtu, ndotësit. Ndotja e ajrit të shtëpisë, ndotja nga tymi i duhanit. Ndotja urbane, shkaktohet nga gazrat dhe tymrat e mjeteve motorike. Në ndotësit atmosferikë futen ozone, dioksidi squfurit dhe oksidi nitrik. Të gjithë ndotësit e mësipërm përkeqësojnë simptomat nazale në pacientët me rinit alergjik.

Si diagnostikohet riniti alergjik?

Diagnozën e rinitit alergjik e vendos mjeku alergolog-imunolog. Për të vënë një diagnozë sa më reale dhe për të vlerësuar e trajtuar sa më mirë pacientin duhet të njihet historia klinike dhe simptomat. Diagnoza bazohet në ekzaminimet laboratorike kryesisht, analiza e gjakut komplet (për të parë nivelin e eozinofileve në të). Dozimi i IgE totale serike, (një nivel i lartë i tyre mbështet diagnozën e rinitit alergjik). Përcaktimi i IgE alergen specifik. Testet kutane (të rëndësishme për të demonstruar reaksione IgE vartëse), të cilat kryhen nga mjeku alergolog për të përcaktuar llojin e alergenit shkaktar të rinitit. Diagnoza imazherike (radiografia e pulmonit e sinuseve, tomografia), të cilat shërbejnë për saktësimin dhe përcaktimin e sëmundjeve shoqëruese si polipoza nazale, astma bronkiale, sinusiti etj.

Si trajtohet kjo sëmundje?

Trajtimi i rinitit ndjek protokollin e mëposhtëm: Evitimi i ekspozimit ndaj poleneve, ose largimi i alergenit, trajtimi medikamentoz dhe imunoterapia (vaksinimi ndaj alergenit). Në momentin që është identifikuar alergeni shkaktar i rinitit, duhet të evitohet (largohet) ky alergen nga pacienti. Nëse është pluhuri i shtëpisë, të merren masat për të ulur sasinë e tyre. Nëse është polen, duhet të kufizohen aktivitetet në natyrë gjatë periudhës së nivelit të lartë të poleneve në ajër e kryesisht në mesditë. Mjekimi duhet të seleksionohet sipas simptomave të çdo pacienti sipas llojit të rrufës.

Çfarë do të rekomandonit ju?

Rekomandohet përdorimi i një trajtimi shkallë-shkallë, duke individualizuar trajtimin për çdo person, në varësi të gravitetit të simptomave të llojit të shenjave dhe të simptomave. Trajtimi përfshin: antihistaminikët oralë të gjeneratës së dytë, zgjidhen pasi nuk shkaktojnë përgjumje. Ato lehtësojnë teshtimat, rrjedhjen e ujshme dhe kruajtjen e hundëve. Për të qetësuar bllokimin e hundëve përdoren steroidët nazalë, të cilët trajtojnë rinin alergjik në fëmijë dhe të rritur. Imunoterapia specifike me alergenin e përshtatshëm është tepër efikas në kontrollin e simptomave të rinitit alergjik. Pacientët me rinit alergjik konsiderohen kandidatë për imunoterapi specifike, duke u nisur në gravitetin e simptomave, në dështimin e mjekimit, si dhe në sëmundje të tjera shoqëruese (astmë, sinozit). ITS-ja rekomandohet të vazhdojë për 4 vjet. Meqenëse riniti alergjik është identifikuar si një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e astmës bronkiale dhe se riniti alergjik mund të paraprijë fillimin e simptomave të astmës, atëherë themi se një menaxhim në mënyrë efektive i riniti alergjik çon në parandalimin primar dhe një kontroll sa më optimal të astmës bronkiale.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura