Flet mjekja gastrohepatologe: Gastriti, trajtimi i duhur për të parandaluar kancerin

Jan 29, 2019 | 19:51
SHPËRNDAJE

Gastrit është inflamacion (acarim) i mureve të stomakut. Kjo mund të shkaktohet nga shumë faktorë, duke përfshirë infeksionin, alkoolin, medikamente të veçanta dhe disa kushte alergjike dhe imune.

Edlira-Elezaj

Mbi efektet që sjellin medikamente të caktuara kryesisht tek ata që vuajnë nga sëmundje reumatizmale, mjekja gastrohepatologe Edlira Elezaj këshillon që në çdo rast, mjekimi të shoqërohet me medikamente mbrojtëse për stomakun. “Gastritet janë një inflamacion, thënë ndryshe pezmatim ose skuqje e shtresës së brendshme të stomakut, pra, mukozës së stomakut. Në varësi të llojit, ato ndahen në gastrite erozive dhe joerozive. Këto të fundit takohen më shpesh. Janë më të shpeshta në moshën mbi 50 vjeç. Ndërsa gastritet erozive janë gastrite që shkaktohen nga përdorimi i disa medikamenteve që janë agresive për mukozën e stomakut (më shpesh këto janë medikamente që përdoren për probleme reumatizmale të tipit aspirinë dhe joaspirinë si dhe kortizonikët). Këto medikamente shkaktojnë erozione ose gërryerje të vogla në stomak duke dëmtuar mukozën e tij, ndaj është e rëndësishme që në personat që kanë shqetësime gastrike, kur është e nevojshme, të merren preparate antireumatizmale, të shoqërohen me medikamente mbrojtëse për stomakun”, pohon doktoresha. Gastriti mund të jetë ose akut (me sulme të rënda që zgjat një ose dy ditë) ose kronik (me humbje afatgjatë të oreksit ose nauze). Nuk është e qartë sesi merret H. pylori, por ka disa dëshmi se mund të transmetohet nga personi në person ose nëpërmjet ushqimit të ndotur dhe ujit. Në këto kushte ju mund të ndërmerrni hapa për të mbrojtur veten nga infeksionet, të tilla si duke larë shpesh duart me sapun dhe ujë dhe duke ngrënë ushqime të gatuara mirë.

maxresdefault

SIMPTOMAT

Sa u takon shenjave që shfaq kjo sëmundje, Elezaj shton se ndër shenjat klinike më të shpeshta janë dhimbja epigastrike, që lokalizohet në pjesën e sipërme të abdomenit, mbi kërthizë, ose dhimbje shpine, pas ushqimit, të përziera, të vjella, sindromë dispeptike me fryrje barku apo djegie urthi, më shpesh në rastet kur është i shoqëruar me refluks gastroezofageal. Në rastin e gastriteve erozive, mund të jetë hemorragjia nga stomaku, më shpesh në formë të melenës, pra, nëpërmjet defekimit apo hematemezës me anë të të vjellave.

gastriti

TRAJTIMI

Mundësitë e trajtimit përfshijnë shmangien e ekspozimit ndaj irrituesve të njohur dhe marrjen e ilaçeve për të zvogëluar sasinë e lëngjeve në stomak. Sipas mjekes gastrohepatologe, Edlira Elezaj, çrrënjosja e helikobakter pylori me anë të antibioterapisë është i domosdoshëm për mbajtjen në kontroll të situatës dhe parandalimin e sëmundjeve serioze siç janë tumoret e stomakut. “Diagnoza e gastriteve, përveçse klinikisht, vihet me ekzaminimin gastroskopipik, që është ekzaminimi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për stomakun. Ky është ekzaminim që bën të mundur edhe marrjen e materialit për evidentimin e helikobakter pylorit, ekzaminimin histopatologjik për saktësimin e llojit të gastritit si dhe evidentimin e dispalzisë apo të atrofisë gastrike, që janë ndryshime të mukozës që mendohet t’u paraprijnë tumoreve të stomakut. Evidentimi në kohë i këtyre gjendjeve, çrrënjosja e helikobakter pylori me anë të antibioterapisë është i domosdoshëm për mbajtjen në kontroll të situatës dhe parandalimin e sëmundjeve serioze siç janë tumoret e stomakut. Për sa i përket mjekimit, ai bëhet me preparate antiacide ose me frenues të pompës protonike të tipit omeprazol, pantoprazol, lansoprazol etj. si dhe me 2 antibiotikë në rastet kur është prezent helikobakter pylori”, pohon më tej doktoresha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura