Mjekimi i hershëm mund të bëhet një mburojë shumë e mirë për të penguar avancimin e sëmundjes apo edhe për të mos lejuar shfaqjen e komplikacioneve. Mjeku nefrolog Ahmet Duraku sqaron se në rastin e azotemisë së veshkave, tri janë mënyrat e trajtimit:
Hemodializa është metoda e parë e mjekimit të azotemisë në veshka e filluar në vitet ’60 të shekullit të kaluar, që bëhet 3 herë në javë, zgjat afërsisht 4 orë dhe është e përjetshme; tjetra, dializa peritoneale është një mundësi mjekimi e pranueshme që realizohet në kushte shtëpie dhe që kërkon kushte minimale higjienike dhe pak përkushtim dhe së fundmi, transplanti renal. Në intervistën dhënë për gazetën, doktori ndalet edhe te shkaktarët që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje dhe kapacitetet që ne kemi për t’iu përgjigjur siç duhet kërkesës për trajtim cilësor të pacientëve.
Doktor, cilat janë disa nga sëmundjet më të shpeshta të veshkave dhe si është incidenca në Shqipëri lidhur me numrin e pacientëve të prekur dhe moshat gjithashtu?
Paraprakisht, do të theksoja se intervista e një profesionisti, në veçanti e mjekut, është në dilemë të raportit profesional dhe mesazhit për lexuesin. Sëmundjet e veshkave përbëjnë shkakun e 3-të të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në të gjithë botën. Aktualisht thuhet që: sëmundjet kronike të veshkave kanë një incidencë (mundësia për t’u sëmurë) afërsisht 15% të popullatës botërore. Shqipëria nuk mund të përjashtohet nga ky raport gjeopolitik. Sipas një studimi të bërë në vendin tonë në vitet ’90, rezulton që dëmtimi kronik i veshkave (SRK) është në raportin e mëposhtëm: 115/1 milion banorë (Konventa e të dhënave të BE-së).
Cilat janë shkaqet që ndikojnë zakonisht në përhapjen e këtyre sëmundjeve dhe sa ndikojnë faktorët gjenetikë?
Etiologjia (shkaqet) e sëmundjeve që prekin veshkat janë të larmishme, gjithëpërfshirëse, gjenetike dhe anomalitë, të cilat në fund të fundit për një pjesë të mirë të sëmurëve përfundojnë në terapi renale zëvendësuese, duke filluar që nga infeksionet e thjeshta të aparatit urinar, që në gjuhën mjekësore quhet cystitis (infeksioni i fshikëzës së urinës) e duke u bërë të përgjegjshëm dhe të mos kemi turp për të pranuar problemet që rastësisht i kemi të trashëguara.
Anomalitë e lindura, si veshka në formë patkoi apo të tjera të kësaj natyre, a mund të trajtohen për të mos e dëmtuar plotësisht veshkën tonë?
Anomalitë e aparatit uro-gjenital janë rastësore dhe të trashëguara. Për këto anomali është e rëndësishme diagnostikimi i hershëm dhe profilaksia e komplikacioneve sipas sëmundjes bazë. Çdo individ është i ekspozuar përballë mundësisë për t’u sëmurë dhe kjo shprehje nuk ka të bëjë me pozitën socio-ekonomike, por një gjë është e sigurt në këndvështrimin tim me një eksperiencë mbi 30-vjeçare si mjek, që kushtet social-ekonomike kanë një vlerë të pakundërshtueshme në mundësinë për t’u sëmurë.
Si mund t’i mbrojmë veshkat në përditshmërinë tonë, çfarë duhet të kemi parasysh që nga shpeshtësia e kontrolleve mjekësore e deri te stili i jetesës? Veshkat mbrohen shumë thjesht, duke pasur parasysh:
– Ndërgjegjësimin për sëmundjet e trashëguara, që në vetvete do të thotë që të pranojmë të vërtetën se vetëm në këtë bashkëjetesë me sëmundjen mund dhe është e mundur që jetën tonë ta bëjmë sa më të pranueshme.
– Kontrollin mjekësor çdo 6 muaj (urinë komplet, gjak komplet, ECHO – renale, azotemi+ kreatininemi)
Thuhet se, ata persona që konsumojnë pak ujë gjatë ditës dhe përdorin shumë kripëra në dietën e tyre ushqimore, mund të preken më lehtësisht nga sëmundjet e veshkave? Sa e vërtetë qëndron kjo hipotezë?
Në raport me konsumin ditor të ujit rekomandohet 2.5 – 3 litra/ 24 orë, i cili është pjesë e dietës së përditshme. Raporti me konsumin e kripës është kontradiktor, por si definicion do të theksoja që është çështje shijeje. Për këtë nuk kam rekomandim; një ushqim i larmishëm duke konsumuar të gjitha produktet ushqimore pa neglizhim është ruajtja më e mirë e shëndetit.
Cilat janë disa nga sëmundjet e tjera që dëmtojnë veshkën? Cila është balanca që duhet të ndjekim në të tilla raste për të kuruar sëmundjen, por nga ana tjetër për të mos dëmtuar veshkën?
Shkaqet e asaj që quhet në gjuhën popullore azotemi kronike në veshka (SRK) janë të larmishme, duke filluar nga shkaqe gjenetike, anomalitë e lindura, infeksionet e aparatit urinar, albumina në veshka (sindromi glomerular), sëmundjet sistemike (lupus, eritematos i desiminuar, diabet melitus, hipertensioni). Me këtë dua të nënvizoj që veshkës natyra i ka ngarkuar një mision.
Për të ruajtur dhe për të parë nëse vuan apo jo nga veshka mjafton një analizë urine, e cila është çelësi i zbulimit të hershëm,i parandalimit dhe të mjekimit sa më efikas.
Sa efikase është dializa në rastin e pacientëve me insuficiencë renale? Shumë nga këta pacientë dhe familjarë të tyre kanë edhe shumë paqartësi në këtë drejtim, duke e lidhur procesin e dializës me jetëgjatësinë e pacientit. Në të vërtetë, a shkurtohet jetëgjatësia e një pacienti, pasi kalon në dializë?
Kur një i sëmurë vuan nga azotemia kronike në veshka, tri janë mundësitë e mjekimit: – Hemodializa është metoda e parë e mjekimit të azotemisë në veshka, e filluar në vitet ’60 të shekullit të kaluar, që bëhet 3 herë në javë, zgjat afërsisht 4 orë dhe është e përjetshme. Për këtë mënyrë mjekimi do të doja t’u bëja një apel të sëmurëve që mjekohen me hemodializë që të jenë të kujdesshëm, duke filluar me mënyrën e të ushqyerit, me shtimin në peshë.
Natyrisht, si çdo mjekim edhe dializa ka të këqijat e veta duke filluar që nga transporti, stresi psikologjik, problemet me aksesin vaskular (Fistulen). – Dializa peritoneale është një mundësi mjekimi e pranueshme që realizohet në kushte shtëpie dhe që kërkon kushte minimale higjienike dhe pak përkushtim. Për këtë mënyrë mjekimi do të doja të theksoja se ruan privatësinë e të sëmurit dhe nuk e përjashton atë për të pasur mundësinë që kur ajo nuk funksionon, të përdoren mënyrat e tjera të mjekimit të azotemisë në veshka. – Transplanti renal.
Në këto tri mënyra terapeutike (mjekësore) janë zgjedhjet mjekësore aktuale në raport me zhvillimin e mjekësisë botërore. Më këtë rast dua të përcjell një mesazh (si fëmija i prindërve të mi, si prind, si bashkëshort) që duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur të marrim një vendim dhe në këto kushte, në mënyrën më të qartë duhet të zbatohet rekomandimi i mjekut specialist.
Gjej rastin për t’u bërë një apel publik kolegëve nefrologë që të jenë shumë të kujdesshëm, ku të mendojnë për mënyrën se si do mjekohet i sëmuri me (SRK) azotemi në veshka. Në këto kushte, çka është shumë e rëndësishme është që zgjedhja e mënyrës së mjekimit të pacientit duhet të bëhet sipas: – Moshës së pacientit, me të cilën dua të theksoj se nuk duhet të nxitohemi kur të vendosim për dhurimin e organeve për transplant.
– Sëmundjes bazë (jo çdo i sëmurë me azotemi në veshka mund të bëjë zëvendësimin e saj) – Llojit të terapisë renale zëvendësuese Në raport me jetëgjatësinë e pacientit që trajtohet me terapi renale zëvendësuese (sipas: HD,DP,TR ) ka të dhëna statistikore të barasvlershme në kohë, por jo në kompliancë jetese, mbijetesa e të cilëve është varësisht nga sëmundja bazë dhe koha e fillimit të këtyre 3 mënyrave të mjekimit.
Hemodializa dhe dializa peritoneale; cila është më e këshillueshme dhe nëse mund të bëjmë një lloj krahasimi mes të dyjave, se cilat janë anët pozitive dhe negative të secilës metodë?
Ndër 3 mënyrat e mjekimit të azotemisë kronike në veshka (SRK stadi 5) dy janë më të pranueshmet dhe më gjithëpërfshirëset: hemodializa dhe dializa perinoteale. Studimet bashkëkohore sugjerojnë që të dyja janë efikase, por më e mira është hemodializa.
Çfarë vështirësish hasin sot pacientët me dializë; sa është përmirësuar situata dhe, a vazhdojnë ende problemet me radhët e pritjes në qendra apo ilaçet me rimbursim?
Aktualisht në Shqipëri, që të jemi të sinqertë, të sëmurët që vuajnë nga azotemia kronike në veshka (SRK) nuk kanë probleme mjekësore për sëmundjen e tyre. Që nga viti 2006 e në vazhdim, harta e qendrave të hemodializës në Shqipëri është përpjekur të mbulojë të gjithë territorin, pavarësisht nga kostoja. Situata është përmirësuar dhe uroj që të mos jetë politikë e çastit, por e vazhdimësisë. Në raport me medikamentet e rimbursuara është bërë, por mbetet akoma shumë për t’u bërë. Zgjidhja me e mirë në rastin e një diagnoze me insuficiencë renale mbetet transplanti, por që në Shqipëri shihet si një ‘mision i pamundur’.
Cilat janë vështirësitë konkrete në kryerjen e transplanteve në vendin tonë dhe çfarë do të sugjeronit ju për ta bërë më të aksesueshëm këtë proces për njerëzit, që nga kostot financiare e deri te ngritja e një banke të dhurimit të organeve?
Transplanti renal është zgjedhja më komode e mundshme për mjekimin e sëmundjeve të veshkave, por i cili paraqet vështirësi në aspektin moral, ligjor, etik dhe fetar. Në lidhje me pyetjen tuaj për krijimin e një (Banke Kombëtare të Dhurimit të Organeve) gjykoj dhe mendoj që është për shumë vite të ardhshme e pamundur, si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës ligjore, logjistike dhe profesionale.
TRI MUNDËSITË E MJEKIMIT TË AZOTEMISË RENALE
- – Hemodializa është metoda e parë e mjekimit të azotemisë në veshka, e filluar në vitet ’60 të shekullit të kaluar, që bëhet 3 herë në javë, zgjat afërsisht 4 orë dhe është e përjetshme
- – Dializa peritoneale është një mundësi mjekimi e pranueshme që realizohet në kushte shtëpie dhe që kërkon kushte minimale higjienike dhe pak përkushtim.
- – Transplanti renal
- KËSHILLA
- Kujdes kur fëmija vuan nga temperatura në moshën 0-1 vjeç.
- (Kërkoni urinë komplet dhe ECHO – renale )
- – Diagnostikoni herët hipertensionin
- – Diagnostikoni herët diabetin melitus
- – Të monitorohet gruaja shtatzënë çdo 1 muaj ( urinë komplet dhe
- ECHO – renale)
- – Kujdes me jatro-gjenite.
- SHKAQET QË ÇOJNË NË AZOTEMI
- KRONIKE NË VESHKA (SRK)
- – Anomalitë e lindura
- – Infeksionet e aparatit urinar
- – Albumina në veshka (sindromi
- glomerular)
- – Sëmundjet sistemike (lupus,
- eritematos i desiminuar, diabet melitus,
- hipertensioni)