Flik bën gati Barçën: Ta nisim sa më mbarë, ia dalim pa Olmon

Sep 19, 2024 | 12:07
SHPËRNDAJE

Përballja e sotme mes Barcelonës dhe Monakosë në Principatë do të jetë e trata mes tyre në historinë e turneve europiane. Dy precedentë dhe po aq fitore katalanase që datojnë në sezonin e largët 1993-94.

flik

Në ndeshjet e grupit të atij turneu, spanjollët fitonin minimalisht në Francë teksa në ndeshjen e kthimit do të siguronte suksesin me dy gola. Monegaskët ende nuk i kanë shënuar formacionit blaugrana në një ndeshje zyrtare dhe do ta kërkojnë sot në ora 21:00. Lidhur me këtë takim, në konferencë për shtyp, ka folur Hansi Flik i cili ka deklaruar:

“I kam parë ndeshjet e tyre dhe mund të them se janë një ekip i rrezikshëm me lojtarë shumë të shpejtë. Edhe në duelet fizike janë të pajisur mirë ndaj do të duhet shumë vëmendja nga ana jonë për të kufizuar dëmet e për t’i goditur në momentin e duhur. Jam i kënaqur me atë që skuadra ime po tregon deri më tani, por ka ende vend për përmirësime dhe ndeshjet e Champions-it janë ideale për të kuptuar forcën tonë.”

OLMO E JAMAL – Pa Dani Olmon, tekniku gjerman do të duhet të bëjë një ndryshim të rëndësishëm taktik. Me gjasë do të jetë Rafinja i tretë në mesfushë, teksa në krahun e djathtë të sulmit do të lirohet një vend për Ferran Torresin. Flik nuk dëshiron të japë shumë referime dhe lidhur me vendimet e tij shpjegoi:

“Kam fatin që punoj me një grup kaq cilësore. Për nga karakteristikat askush nuk është i njëjtë me Olmon, megjithatë janë të paktën tre lojtarë që mund ta mbulojnë atë rol edhe pse me cilësi e karakteristika të ndryshme.”

Në fund edhe një koment mbi Lamin Jamalin për të cilin homologu Hyter tha se nuk do të ishte i vetmi rrezik për Monakonë. “Jam shumë i lumtur për ecurinë e Laminit. Është shumë i ri, por është me të vërtetë i jashtëzakonshëm, një krijues i ndryshimeve në një moshë kaq të re. Ta kemi atë është çelësi për ne, jo vetëm për shkak të cilësisë së tij, por ai gjithashtu bën shumë mirë presion.”, përfundoi Flik.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura