Fluksi në pikat kufitare, drejtori i Policisë nga Kakavija: Të eliminohet çdo pengesë artificiale, qytetarëve t’u krijohen lehtësirat ligjore

Dec 29, 2024 | 17:25
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga Kakavija, u ka kërkuar të gjitha shërbimeve të Policisë Kufitare angazhim maksimal për të eliminuar çdo pengesë artificiale.

prods

Gjithashtu Proda u ka kërkuar të krijojnë lehtësirat ligjore qytetarëve që përdorin pikat e kalimit kufitar.

“Me kënaqësi e them që nga strukturat e Policisë Kufitare në të gjithë Shqipërinë, jam shumë i kënaqur, padyshim edhe nga struktura juaj këtu në Kakavije, ku nuk mund të lë pa përmendur bashkëpunimin e shkëlqyer me FRONTEX.

Këto janë momente ku qytetarët tanë kthehen për të festuar vitin e ri në shtëpitë e tyre. Këto janë ditë festash dhe për të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kërkohet më shumë angazhim. Të gjithë në detyrë; asnjë pengesë artificiale nuk dua të vijë nga strukturat tona. Vlerësim maksimal, çfarë të kemi mundësi tua lehtësojmë lëvizjen. Bashkëpunoni me homologët, që lëvizja të jetë e njëtrajtshme nga të dyja anët e kufirit. Edhe njëherë, ju uroj festat gjithë punonjësve dhe familjeve të tyre, qytetarëve, gjithë bashkatdhetarëve që vijnë për të festuar vitin e ri dhe, pa diskutim, edhe gazetarëve që kontribuojnë në përcjelljen e punës tonë dhe të mesazheve te qytetarët!”

Ndërkohë, gjatë bisedës me Drejtorin e Policisë Kufitare të Janinës Diamantis Dimitrios,  Drejtor Proda i kërkoi që në pikën e kalimit në palën greke të punohet me të njëjtin numër sportelesh, duke mundësuar lëvizjen e njëtrajtshme dhe eliminimin e radhëve në hyrje apo dalje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura