Në afërsi të Manastirit të Banjskës në veri të Kosovës, mësohet se policia ka gjetur mjete ushtarake.
Mediat kosovare raportojnë se mjetet e gjetura dyshohet se i përkasin ngjarjeve që ndodhën në shtator të vitit 2023.
“Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë në veri , Veton Elshani për RTK.
Kujtojmë se më 24 shtator 2023, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë efektivin Afrim Bunjaku.
Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia zyrtare e mohon përfshirjen.
Po ashtu Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha sese Millan Radoiçiç, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari i 2023 deri më 24 shtator 2023.
Sipas Prokurorisë serbe, armët i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, nga ku i ka transportuar dhe fshehur në objekte të braktisura dhe pyje në Kosovë.
Vetë Radoiçiç, përmes një letre publike më 29 shtator, pranoi se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm, po ashtu, nuk i pranoi veprat, me të cilat e ngarkoi Prokuroria e Beogradit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al