Personi që shihni në foto është Klisman Hasaj, vëllai i Arjon Hasajt, autorit të vrasjes së Ramazan Matajt në Shkodër.
Klisman Hasaj, i cili është arrestuar si bashkëpunëtor i vëllait të tij, Arjon Hasaj në vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj, krim që tronditi vendin mbrëmjen e 4 Janarit në fshatin Dragoç të Shkodrës. Ai mohon të ketë bashkëpunuar me vëllain e tij për vrasjen e Ramazan Matajt.
“Nuk kam patur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, ka dëshmuar Klisman Hasaj.
20-vjeçari akuzohet për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Sipas policisë, Klisman Hasaj ka ndihmuar vëllan e tij, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit, të cilën fillimisht e fshehën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.
Por, i riu ka mohuar përfshirjen në krim duke u shprehur se nuk ka pasur dijeni për kurthin e ngritur nga Arjon Hasaj për të ekzekutuar 33-vjeçarin, sipas tij, për nderin e së motrës.
Megjithatë, blutë duket se kanë dyshime të forta për përfshirjen e të dy vëllezërve, pasi pas ngjarjes së rëndë policia vendore e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj.
Gjatë përgjimeve dy vëllezërit kanë folur për vrasjen e realizuar nga Arjoni si dhe në një moment del se autori kryesor Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën dhe ka shkuar duke e marrë sërish dhe duke e groposur në oborrin e shtëpisë për ta patur për siguri.
Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autor të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ramazan Mataj. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarë të tjerë të viktimës dhe autorit të dyshuar ndërsa vijon punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.
Dëshmia e Arjon Hasajt
Arjon Hasaj: “Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë.
Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër.”
DEKLARATA E KRYEPOLICIT TË SHKODRËS
Jam sot, këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit Ledio Ibrahimi dhe me prokurorin e rrethit Albert Murçaj, për të bërë prezente rezultatet e një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç, ku u vra me armë zjarri shtetasi Ramazan Mataj, 33 vjeç.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e ndodhur në fshatin Dragoç, ngriti një grup të posaçëm hetimor dhe së bashku me shërbime të shumta të Policisë së Shkodrës, të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër dhe të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, shkuan në vendin e ngjarjes.
Shërbimet e Policisë, pas veprimeve të shpejta në vendin e ngjarjes, shoqëruan në ambientet e Policisë, shumë shtetas, për t’i pyetur në lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, konkretisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, vijoi punën në mënyrë intensive për të gjetur dhe fiksuar prova materiale që do t’i shërbenin hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit.
Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.
Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës. Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:
Arjon Hasaj, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”;
Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al