Kryeparlamentarja Elisa Spiropali është takuar në zyrën e saj me ish-kreun e Parlamenti, Gramoz Ruçin, për t’u këshilluar lidhur me marrjen e detyrës së saj të re.
Spiropali ka publikuar në rrjetet sociale një foto krah Ruçit, tek shkruan: “Takim brezash”.
Kujtojmë se më ndryshimet e fundit në qeveri, Elisa Spiropali është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me 75 vota pro dhe 4 kundër.
Ajo ka pasuar Lindita Nikollën, e cila pak ditë më parë dha dorëheqje nga ky post për arsye shëndetësore.
Gjatë fjalës së saj të parë në krye të Kuvendit, Spiropali deklaroi se do të jetë vullnet mirë me opozitën, njësoj si me kolegët e saj të mazhorancës.
“Kolegë të opozitës, ju qeni mësuar të debatoni me mua në këtë sallë dhe përtej saj, dijeni se do tju shoh njësoj përballë, por nuk do të me keni përballë. Do të më gjeni vullnet-mire në krahun tuaj të djathtë, po njësoj si shokët e kolegët e mi majtas do të më kenë në krahun e majtë”, tha ajo.
Spiropali më herët ka mbajtur postin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që nga sot do të drejtohet nga Taulant Balla.
Pjesë nga fjala e Elisa Spiropalit:
Kolegë do kërkoja mirëkuptimin tuaj për këtë fjalë dhe më pas vijojmë me debate në sesionet e tjera.
Mirënjohja është një fjalë e cila në gjuhën e dikujt që merret me politikë tingëllon si trokitja e një gote kristale fallco, sic tingëllojnë gjitha fjalët kyce të bashkëjetesës sociale, ku bashkëjetesa politike është territor i mbuluar me re te zeza gjykimesh dhe paragjykimesh të frikshme.
Por edhe përtej këtij territori, në jetën e përditshme të turra-vrapit kapitalist dhe arrivist mirënjohja ka hyrë në garderobën e kostumeve në rrobave të vjetra, jashtë mode.
Sot dua të them që mirënjohjen që gjithnjë e e kam kuptuar si detyrim për të kthyer më shumë se sa kam marr, e ndjej si një shtysë për të bërë më shumë se sa kam mundur deri më tani.
Nuk kam ndroje të pranoj se jam prekur si asnjëherë më shumë në jetën time publike, nga vlerësimi që më blatuan duke me zgjedhur kryetare kuvendi të Shqipërisë.
Besoj që e di mirë që ky është një ushtrim jashtëzakonisht i vështir, por në fund jam e qartë që në këtë ushtrim cfarë shkon mirë është e juaja dhe cfarë shkon keq është e kujtdo që ju nxirrni këtu lart. Kjo nuk me tremb, por me motivon.
Mirënjohjen ia blatoj të parëve qytetarëve që më sollën për herë të parë në 2017 dhe më risollën në 2021 si deputete në këtë sallë.
Mirënjohjen ua kam detyrim sot e gjithmonë secili koleg në sallë dhe kryetarit të kësaj shumice, njeriut më të pakënaqur nga vetja dhe nga ne, që ma besuan mua këtë përgjegjësi soleme.
Në këto pak fjalë dhe në këtë situatë krejt atipike për mua, duke pasur parasysh 3 vitet e mandatit qeverisës kaluar në vijën e parë të zjarrit politik, dua të falenderoj me zemër zonjën grua që zëvendësova sot.
E dashur Lindita, gjatë 3 vite e drejtove këtë Kuvend me përkushtim, urtësi dhe durim, që më shtë dukur gjithnjë mbinjerëzor.
Deri dje kisha një zili të çuditur për ty, sot kam një zili të sëkëlldisur nga krahasimi që do të më bëhet me ty. Uroj të të afrohem sa më shumë.
Kolegë të opozitës, ju qeni mësuar të debatoni me mua në këtë sallë dhe përtej saj, dijeni se do tju shoh njësoj përballë, por nuk do të me keni përballë. Do të më gjeni vullnet-mire në krahun tuaj të djathtë, po njësoj si shokët e kolegët e mi majtas do të më kenë në krahun e majtë.
Dua të dini, që sot se nëse do të gjykoj se duhet të ndërhyj si palë, nuk do ta bëjë këtu, por do të zbres poshtë në foltore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al