Është publikuar foto e Jani Aliajt, të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare, i cili u arrestua në Athinë, ku edhe fshihej prej vitesh.
Siç shihet në foto, Jani Aliaj është transformuar duke mbjellë flokët. Imazhi i të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços vjen disa ditë pas arrestimit të tij në kryeqytetin grek.
48-vjeçar u vendos në pranga më 31 dhjetor 2024 dhe pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.
Punonjësit e Policisë greke, gjatë patrullimit, kanë ndaluar 48-vjeçarin për shkak të lëvizjeve të tij të dyshimta në zonën e “Platonos Korai”. Patrulla evidentoi me pajisjen speciale se mbante një kartë identiteti false me emrin Aleks Kreshniku, 48 vjeç, dhe u transferua në Komisariat.
Nga gjurmët e gishtave është bërë i mundur zbuluar i identitetit të tij të vërtetë. Nga hetimet rezultoi se ishte personi është i arratisur nga burgu grek, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm dhe 2 vjet e 12 muaj burg për vrasje të bashkatdhetarit të tij nga pakujdesia, lëndim i rrezikshëm trupor dhe shkelje e legjislacionit për armët, që ishte kryer në vitin 2006 në rajonet e Atikës Perëndimore.
Ekzekutoi në lokal Elton Çiçën, kush është Jani Alia
Jani Alia është dënuar me burgim të përjetshëm për ekzekutimin në ish-Bllok të Elton Çiçës, krim i ndodhur mbrëmjen e 1 majit 2016 në një lokal në Tiranë.
“Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas”, njoftoi policia e shtetit.
Masakra ne ish-Bllok
Jani Alia është dënuar në maj të vitit 2018 për vrasjen e Elton Çiçës në zonën e ish-Bllokut.
Çiça dhe Alia, të dy nga Tepelena, kishin një histori të gjatë konfliktesh mes tyre që dyshohet se kishin si zanafillë prishjen e pazareve të drogës mes dy grupeve të tyre.
Ndërsa një tjetër pistë ishte se Alia i ka vrarë Çiçës shokun e fëmijërisë dhe kjo u bë shkak për nisjen e një serie vrasjes dhe atentatesh.
Ngjarja që dyshohet për nisjen e konfliktit mes dy tepelenasve është vrasja e E. Ballazhiut nga Jani Alia, i cili e goditi 20-vjeçarin me thikë. Ngjarja ndodhi në vitin 2000 në Greqi dhe viktima ishte bashkëmoshatar dhe shok fëmijërie i Elton Çicës. Alia dhe Çica u përballën në një burg të Greqisë, pasi ishin arrestuar për drogë, ku ky i fundit tentoi të hakmerrej për shokun e tij, duke e goditur Alian me thikë. Pas daljes nga burgu, ata nisin atentatet ndaj njëri-tjetrit në Shqipëri.
Në janar 2016, Alias iu bë atentat, por ai u shpëtoi plumbave, ndërsa mbeti i plagosur një kalimtar rasti. Më 25 prill 2016, Alia u qëllua përsëri, ku këtë herë mori plumb në dorë. Vetëm një javë pas kësaj, Çiça u vra në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Hetuesit arritën të identifikojnë Alian si autor përmes bishtit të një cigareje, pasi në kokë mbante kapele dhe nuk identifikohej nga kamerat e sigurisë.
Si ndodhi vrasja
Jani Alia ekzekutoi me gjakftohtësi Elton Çiçen në prani të tre personave të tjerë në lokalin “De Niro” në kryeqytet.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së lokalit pranë stadiumit “Selman Stermasi”, në Tiranë, ku ndodhi vrasja e Elton Çiçës, shihej momenti kur rreth orës 22:15 minuta vrasësi futet në lokal.
Në atë moment, në bar “De Niro” fokusohen 5 persona nga kamerat. Një person që qëndronte në këmbë pranë derës, te banaku dhe pak hapa më brendësi të lokalit, në një tavolinë ishin të ulur 4 persona. Në pamje ballore shquhej viktima, Elton Çiça, që qëndronte me kokën ulur duke shkruar diçka në celular, ndërsa në krahun e tij të majtë ndodhej oficeri i Policisë së Tiranës.
Përballë tyre qëndronin edhe dy persona të tjerë, një gazetar, që ndodhej në krahun e viktimës, me shpinë nga kamera dhe një stomatolog, që shquhej në profil, i cili ndodhej i ulur në karrigen pranë oficerit të Policisë.
Në lokal u fut një person i veshur sportiv (Jani Alia) dhe me një kapele të bardhë në kokë, që fillimisht dukej si klient që ishte drejtuar për t’u ulur në ndonjë prej tavolinave.
Por në fakt, ai me hapa të shpejtuar u drejtua te tavolina ku ndodhej viktima. Sapo u afrua aty, duke qëndruar mes Çiçës dhe gazetarit, ai iu drejtua me emër viktimës dhe për më pak se 2 sekonda nxorri pistoletën, duke qëlluar dy herë dhe më pas u largua nga lokali.
Konfiskimi i pasurisë
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 9 Qershor, la në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Jani Aliajt.
Shtatë pasuritë e Jani Aliajt, nga dyqane, ullishte e vilë, do i kalojnë shtetit. Ai u bë subjekt i OFL-së në mars 2022, ku iu kërkua deklarimi i burimit të pasurisë.
46 vjeçari është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiçës, ngjarje e ndodhur më 1 maj të vitit 2016, në kryeqytet.
Gjithashtu ndaj Jani Aliajt ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë”, në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Vendimi
Gjykata e e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.53 datë 28.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me objekt konfiskimin e pasurive të subjektit të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, të ndryshuar, në lidhje me subjektin Jani Alia dhe personave të tretë të lidhur me të.
Me vendimin nr.53 datë 28.12.2022 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (vendim i lënë në fuqi me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 të Gjykatës së Apelit), ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr.152 datë 30.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
1. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 27 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 29.000 (njëzetë e nëntë mijë) Euro;
2. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 38.15 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 41.000 (dyzetë e një mijë) Euro;
3. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 26.4 m2, me adresë “Palorto” Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;
4. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 130 m2, me adresë Lagjia Palorto Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;
5. Objektin në proces legalizimi në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Palorto, Gjirokastër;
6. Pasuria e llojit ullishte, me sipërfaqe 200 m2, në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Borsh, Sarandë;
7. Objektin Vila “Kav…….”, në proces legalizimi në emër të N. Alia etj, me adresë Borsh, Sarandë.
LEXONI EDHE:
Si nisi hakmarrja/ Jani Alia vrau shokun e fëmijërisë së Çiçës
Detajet/ Jani Alia ishte në shërbim prove kur ekzekutoi Elton Çiçën
Ekzekutimi i Elton Çiços, burg përjetë në mungesë për Jani Aliajn
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al