Presidenti Bajram Begaj, ka ndezur dritat e pemës në Presidencë bashkë me fëmijët e ftuar nga e gjithë Shqipëria.
Në këtë festë morën pjesë këngëtarë të vegjël, valltarë, instrumentistë, si dhe nxënës të shkollave të ndryshme të vendit, të cilët kanë marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare përgjatë vitit 2024.
E pranishme ishte dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, e cila uroi fëmijët për sukseset e tyre në shkencë, art, kulturë dhe sport. Ajo theksoi në fjalën e mikpritjes se fituesit e medaljeve përgjatë vitit që po lëmë pas janë shembulli i duhur për bashkëmoshatarët e tyre dhe se gjithkush ndihet krenar për ta.
“Mirëmbrëma dhe mirëserdhët, të dashur fëmijë! Kjo sallë, e mbushur me kaq hare e gëzim, na lumturon të gjithëve. Këtë vit mes nesh kemi shumë kampionë të dalluar e të suksesshëm në shkencë, art e sport. Ata meritojnë një duartrokitje të madhe nga ne sot të gjithë.
Të dashur kampionë, përkushtimi dhe pasioni juaj për letërsinë, shkencën, artin, kulturën dhe sportin janë siguria që e ardhmja jonë do të jetë më e mirë. Ju jeni shembulli i duhur për të gjithë bashkëmoshatarët tuaj. Faleminderit që keni udhëtuar nga anembanë Shqipërisë për të ndezur sot bashkë dritat e pemës së festave të fundvitit!
Fëmijë, ju lutem, një duartrokitje të madhe për prindërit, mësuesit dhe trajnerët tuaj. Pa vëmendjen, kujdesin dhe mbështetjen e tyre, ju nuk do të jeni të suksesshëm. Ju uroj të gjithëve festa të mbara, shëndet e vullnet për të realizuar ëndrrat tuaja! Gëzoni!”, tha ajo.
Institucioni i Presidentit të Republikës e ka kthyer në traditë kremtimin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me fëmijët, të cilët, edhe këtë vit, me emocion e gëzim, ishin protagonistë dhe spektatorë të koncertit festiv.
Festa vazhdoi me kërcimet e valltarëve të Qendrës Kulturore Artistike Tiranë, këngët e interpretuara nga artistët e vegjël të Liceut Artistik të Tiranës dhe zëra të rrallë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, si dhe interpretime artistike e instrumentale nga nxënës që kishin fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare në fusha të ndryshme të artit.
Ekipi kampion ndërkombëtar në Judo nga qyteti i Kavajës ofroi për të ftuarit një ndeshje të këtij sporti, ndërsa festa kulmoi me dhuratat simbolike që Institucioni i Presidentit të Republikës kishte përgatitur për të gjithë miqtë e vegjël.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al