Kjo periudhë ka qenë shumë impenjative për djemtë e Kombëtares sonë. Dy ndeshje të luajtura përballë Çekisë dhe Ukrainës i kanë rikthyer futbollistët në fushën e “Air Albania”, duke çuar edhe njëherë peshë zemrat e të gjithë tifozëve. Ndonëse atmosfera ishte elektrizuese, në të dyja rastet nuk ia dolëm që të rrëmbenim një fitore përballë kundërshtarëve.
Megjithatë, shpirti i skuadrës është ende pozitiv, të paktën ky perceptim jepet në atmosferën e përcjellë. Por duket se veç angazhimeve që ata kanë si futbollistë, jo vetëm në Kombëtare, por edhe në skuadrat që janë të angazhuar, gjejnë edhe pak kohë për relaks. Duket se zgjedhja e tyre edhe për të përditshmen janë kolegët e futbollit. Dhe ku vijnë këto foto, të shkrepura nga paparaci ynë, që na sjellin disa nga emrat e futbollit shqiptar, të ulur në një tavolinë.
Djemtë kanë zgjedhur një nga lokalet në zemrën e “Bllokut” për të bërë një bisedë dhe për të shijuar një kafe nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Odise Roshi vetëm pak ditë më parë njoftoi largimin nga Kombëtarja kuq e zi.
Ish-anësori i sulmit kuqezi që ka luajtur 71 ndeshje me kuqezinjtë dhe është autori i pesë golave e shumë asisteve. 33- vjeçari fierak debutoi me Kombëtaren më 7 tetor 2011 në një sfidë kundër Francës, të humbur nga tanët 3-0 për kualifikueset e Europianit 2012. Minutat e fundit si kuqezi ai i mori më 16 nëntorin e vitit 2022 në humbjen 1- 3 kundër Italisë, teksa grumbullimi i fundit për të daton më 10 shtator 2023, duke qenë në bankën rezervë.
I dalë nga moshat e Apolonisë, ai ka luajtur me Flamurtarin, Koln, Frankfurt, Koln, Rijeka, Grozny, Diosgyr, Boluspor, Sakaryaspor dhe për momentin është pjesë e Erzuremspor, ku këtë sezon koleksionin 11 ndeshje dhe 2 gola. Por teksa nga fusha e blertë u tërhoq, nga miqtë e Kombëtares as që ka ndërmend të largohet.
Roshi dukej shumë i përfshirë në bisedë me Rei Manajn, teksa ky i fundit shijonte kafenë e tij. Për sulmuesin folëm vetëm pak javë më parë, teksa zbuluam edhe pasionin e tij. Gjithnjë plot stil, Rei preferon që veshjet e tij të jenë të markave më prestigjioze.
“Luis Vuitton”, “Dior”, “Dolce & Gabbana” janë vetëm disa nga të përzgjedhurat e tij për të përditshmen. Një pasion ky i kushtueshëm, por që Rei Manaj nuk ia kursen vetes. Këtë herë, futbollisti kishte zgjedhur një kostum në ngjyrë kafe për të qenë komod. Por, nuk mund të mos na tërhiqte vëmendjen ora që Manaj kishte në dorë. Një aksesor i shtrenjtë, që plotëson kështu edhe pasionin e Reit për markat luksoze.
Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë, vetë ylli i Kombëtares sonë zbuloi se ishte në një lidhje dashurie. Një bukuroshe ia ka rrëmbyer tashmë zemrën dhe sulmuesi ka zyrtarizuar lidhjen në “Instagram”. Pak muaj më parë ai ka publikuar një foto me të dashurën e zemrës, ku ajo shihet e ulur në prehrin e tij.
Që prej asaj shkrepjeje, futbollisti nuk ka publikuar një tjetër pozë me partneren e re, duke zgjedhur që të na e lërë sa më sekret identitetin e saj. Kur kanë kaluar disa muaj nga publikimi i fotos, identiteti i vajzës ende nuk është zbuluar. Madje, në media nuk janë raportuar as detaje rreth kësaj historie dashurie të nisur vetëm muajt e fundit.
Në fotot me djemtë shfaqet edhe Endri Çekiçi, që ndonëse nuk ka zbritur ende në fushë me Kombëtaren, raportet me kolegët e tij i ka më se të mira. Mesa duket, futbollisti ka ardhur në Tiranë edhe për të takuar të dashurën e tij, moderatoren Megi Pojani. Por teksa shijon romancën larg syve të kureshtarëve, me djemtë nuk e ka aspak problem të shijojë një kafe, në prezencën e syve kureshtarë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al