“Frikën nuk e njoh”- Salianji reagon pas gjyqit në Apel: Të vërtetën do e mbroj me çdo çmim! S’ka asnjë fakt si mund të inkriminohem

Sep 20, 2024 | 22:31
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar sërish pas seancës së sotme në Gjykatën e Apelit të Tiranës, për çështjen që siç tha ai “e kanë quajtur “Babale” sepse e kanë babalizuar Shqipërinë”.

salianji

Ai është shprehur përmes një reagimi në rrjetet sociale, që nuk ka frikë nga asgjë përveç zotit, ndërsa shton: “jam dhe kam qenë në interes të publikut duke bërë denoncime”.

Më tej deputeti demokrat shprehet se denoncimi i krimit është një mision i tij si i zgjedhur publik, pavarësisht kostove personale.

Ndër të tjera, Salianji thekson se nuk ka asnjë fakt si mund të inkriminohet në këtë çështje.

“Sikurse është e qartë nga dokumentet përmes audios në sallë, nuk ka asnjë fakt si mund të inkriminohem në këtë çështje. Nga ana tjetër paraqita prova shkencore të pakontestueshme për të faktuar montimin politik të çështjes!”, shkruan ai.

 

Reagimi i plotë

Sot për të vijuar një betejë disa vjeçare që vetëm më lartëson bindjen se duke denoncuar krimin dhe pushtetin kriminal, i shërbej misionit si i zgjedhur publik pavarësisht çdo kostoje!

Nuk kam frikë nga asgjë përveç zotit, frikën nuk e njoh. Jam dhe kam qenë në interes të publikut duke bërë denoncime dhe jo për të mbrojtur interesa personale, as kam akuzë për vjedhje, as vrasje, as plagosje, as plaçkitje si keta që denoncoj por vetëm se kam pasur guximin të denoncoj në publik një familje kriminale!

Jam i bindur që kam bërë gjënë e duhur dhe qytetarët shqiptarë më dhanë besim maksimal kur më rimandatuan si ligjvënës. Unë sot nuk isha në SPAK por në një gjykatë të zakonshme Apeli.

E dini për çfarë? U përballa sërish në gjykatë për shkak se një i dënuar për trafik droge jetonte i lirë në Shqipëri, për shkak të mbrojtjes që i jepte vëllai i vetë ministër!

Sikurse është e qartë nga dokumentet përmes audios në sallë, nuk ka asnjë fakt si mund të inkriminohem në këtë çështje. Nga ana tjetër paraqita prova shkencore të pakontestueshme për të faktuar montimin politik të çështjes!

Të vërtetën do e mbroj me çdo çmim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura