Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka gjatë takimit me LDGSH, u shpreh se Partia Demokratike ka hapësira të shumta për gratë, teksa theksoi se fuqia e tyre është e madhe.
“Gratë në shoqërinë shqiptare kanë qenë dhe janë një nga shtyllat kryesore të familjes dhe shoqërisë”, u shpreh deputeti Noka.
Ai theksoi se gratë kanë një rol më të madh se burrat në ndërtimin e të ardhmes së shoqërisë pasi edukojnë brezat e ardhshëm.
“Megjithatë në kushtet e Shqipërisë, përfshirja e grave nuk ka qenë jo gjithmonë e duhura dhe roli i tyre ka qenë edhe më i kufizuar në politikë”, deklaroi Noka, duke shtuar se kjo është një padrejtësi, e cila duhet korrigjuar.
Deklarata e plotë:
Për mua dhe kolegët e mi është një kënaqësi e veçantë të jemi në këtë takim për të diskutuar për një temë që ka një rëndësi të veçantë që është pjesëmarrja e suksesshme në proceset politike të grave dhe vajzave.
Gratë në shoqërinë shqiptare kanë qenë dhe janë një nga shtyllat kryesore të familjes dhe shoqërisë.
Një specifikë në kushtet tona është se gratë në Shqipëri kanë qenë bashkëluftëtare të përhershme edhe në mbajtjen e familjes, por kanë një rol më të madh se burrat në ndërtimin e të ardhmes së shoqërisë pasi edukojnë brezat e ardhshëm.
Megjithatë në kushtet e Shqipërisë, përfshirja e grave nuk ka qenë jo gjithmonë e duhura dhue roli i tyre ka qenë edhe më i kufizuar në politikë.
Kjo është një padrejtësi që duhet korrigjuar, pasi ne mendojmë se roli i grave nuk është thjesht rol i rëndësishëm, por në një shoqëri demokratike, roli i grave është i pazëvendësueshëm.
Kur gratë marrin pjesë aktive në politikë, shoqëria përfiton një qasje tjetër më gjithëpërfshirëse, më të drejtë, më ët barabartë.
Madje mund të them me plot gojën se shoqëria bëhet edhe më paqësore kur ndërhyn dhe ndikon gruaja dhe gratë.
Është shumë e rëndësishme që ju të kuptoni rolin tuaj të pazëvendësushëm.
Duke kuptuar rolin tuaj, ju do luftoni më shumë për të drejtat tuaja.
Duke kuptuar rolin tuaj, ju do të kuptoni fuqinë tuaj.
Vërtet Shqipëria është më maskiliste, por fuqia e gruas është po kaq e madhe sa kudo, vetëm se duhet të luftoni për këtë rol.
Shqipëria sot ndodhet në një udhëkryq si pasojë e politikave të qeverisë shqiptare.
Megjithatë, BE ka çelur dritën jeshile për hapjen e negociatave.
Kjo është një dritë jeshile për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse zhvillimet politike dhe sociale këto 11 vite kanë qenë dhe janë dramatike në çdo këndvështrim.
Dhuna dhe diskriminimi janë dy tipare të skalitura në fytyrën e kësaj qeverie dhe këtij regjimi.
Ato kanë ecur këto 11 vite paralelisht me krimin dhe korrupsionin në këtë qeveri.
Kjo qasje e kësaj qeverie ka sjellë pasoja në familjen dhe shoqërinë shqiptare.
Kur një pushtet mbjell krim, dhunë dhe terror, ajo shoqëri kalon në gjendje ankthi dhe është e destinuar të ecë drejt depresionit.
Detyra jonë është të luftojmë për të mbrojtur shoqërinë shqiptare, për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe diskriminimi dhe për ta nxjerrë nga bataku ku e ka futur Edi Rama.
Klima e armiqësisë që Edi Rama ka mbjellë në Shqipëri duket në qasjen e tij ndaj opozitës.
Sot, opozita ndryshe nga çfarë konsiderohet në vendet demokratike, nga Rama dhe qeveria e tij konsiderohet si armike. Asaj i është shpallur luftë dhe sot kemi të burgosur liderin tonë si dhe liderë të tjerë të opozitës.
Sot kemi një parlament që bën gjithçka për të eliminuar të drejtat kushtetuese të opozitës.
Përtej gjitha përpjekjeve titanike që po bën Edi Rama, duke tentuar t’i bëjë vetes dhe qeverisë një makijazh me fytyrë femërore për të zbutur imazhin e tij, këtu kam parasysh kabinetin qeveritar qenë dukje ka përfshirë gra, por në realitet i trajton si matrioshka.
Ky realitet përjetohet kudo përveç asaj që përcjell ERTV dhe tre ERTV-të e tij kombëtare, që mundohen të përcjellin të zezën si të bardhë dhe të bardhën si të zezë.
Në këtë situatë, qasja e PD është krejt tjetër ndaj grave dhe rolit të tyre në shoqëri.
Për ne, roli i grave në shoqëri dhe politikë nuk duhet të jetë thjesht sipërfaqësor, por duhet të jetë thelbësor pasi siç e thamë, pasi edhe pozita e grave në familje dhe shoqëri është thelbësore.
Por ne duhet të luftojmë të gjithë së bashku për të krijuar hapësira.
Në PD, hapësirat janë të pamata për gruan, pjesëmarrjen dhe ndikimin e saj.
Megjithatë në politikë nuk është shumë e lehtë që të ecin edhe burrat, pale më gratë.
Por historia ka treguar se gratë, kur këmbëngulin, kur luftojnë, kanë arritur të sjellin ndryshime të mëdha.
Ju keni fuqi për të ngritur dhe mbajtur kauza që rrallëkush mund t’i mbajë.
Kërkoni një rol më të madh për veten tuaj, të luftoni për këtë rol dhe pjesëmarrje, për familjet tuaja, për komunitetin dhe shoqërinë.
Zëri juaj në tryezën e politikës është i domosdoshëm.
Me zërin tuaj ju duhet të adresoni të gjitha sfidat që prekin jetën e grave, familjeve dhe shoqërisë.
PD i ka dyert e hapura për gratë dhe rolin e tyre.
Unë dua t’u falënderoj për këtë pjesëmarrje, duke u siguruar se në zgjedhjet e ardhshme dhe pjesëmarrja e grave në të gjitha instancat politike, parlamentare dhe qeverisëse do jetë shumë më i madh se ç’ka qenë tani.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al