Furrat e bukës dhe pastiçeritë rrezikojnë të mbeten pa punonjës/ Shoqata: Po marrim njerëz nga vendet aziatike dhe rajoni

Sep 11, 2023 | 7:21
SHPËRNDAJE

Prodhuesit e bukës, të specialiteteve të brumërave të ndryshme dhe pastiçerive po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.

furre-buke

Në pamundësi të zgjidhjes për plotësimin e vendeve të lira me vendas, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të industrisë që me rritjen e pagave, furrat dhe pastiçeritë e vendit janë duke shqyrtuar mundësitë për punësimin e të huajve.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave Gëzim Peshkopia tha për Monitor se sektori prej vitesh vuan mungesën e specialistëve të prodhimit të brumërave dhe ëmbëlsirave, por sivjet problematika shfaqet tepër e mprehtë.

Peshkopia pohon se shkak i mungesës së lartë të fuqisë punëtore të specializuar mbetet emigracioni i popullatës.

Të gjendur përballë kësaj situate sipërmarrësit e prodhimit të brumërave dhe ëmbëlsirave po shqyrtojnë mundësinë e punësimit të punonjësve të huaj si nga vendet aziatike dhe ato të rajonit.

Sipas të dhënave të shoqatës në vend operojnë 8,000 deri 10,000 furra buke dhe pastiçeri, ku secila prej tyre po vuan mungesën e fuqisë punëtore.

“Mungesa e fuqisë punëtore të specializuar në prodhimin e brumërave dhe ëmbëlsirave kërkon zgjidhje imediate. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga sektori që nisi me rritjet e herëpashershme të pagave, pothuajse të gjitha furrat në vend po hasin vështirësi me gjetjen e fuqisë punëtore. Për këtë arsye bizneset prodhuese tashmë janë të hapura për shqyrtimin e mundësive për punësimin e specialistëve të huaj me eksperiencë të ngjashme qoftë nga shtetet aziatike dhe ato të rajonit”, pohoi ai.

Prej muajit shtator të vitit të kaluar, për shkak të mungesës së punëtorëve shumë furra buke në vend janë detyruar të rrisin pagat deri në 80%, me qëllim mbajtjen e profesionistëve. Sipas shoqatës për pozicionin e furrxhiut, profesioni më kyç në prodhimin e brumërave, pagat variojnë nga 60 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në muaj. Rritja e lartë pagash është bërë edhe për punonjëset e pastrimit në nivelin 70 deri 80%.

Mungesa e fuqisë punëtore po shton kostot edhe te prodhuesit e bukës. Shtimet e pagave vështirësuan vjet gjendjen te disa furra buke, të cilat rritën çmimet e bukës 10 deri 20 lekë.

Problematika e mprehtë e fuqisë punëtore tashmë është prezentë në të gjitha sektorët e ekonomisë. Më herët edhe prodhuesit e pijeve freskuese pohuan se po shohin mundësitë e punësimeve të huajve, edhe pse fillimisht industria nguroi për shkak të problematikës me largimet e të huajve që po përballen shumë biznese.

Sektori i bareve dhe shërbimeve këtë vit në nisje të sezonit turistik u përball me mungesa prej 15,000 punonjësish. Edhe sektori i manifakturës po përballet me mungesë të lartë të fuqisë punëtore. Pro Eksport Albania tha më herët për Monitor se për janar-qershor 2023 u punësuar 450 gra nga Nepali dhe Filipinet për plotësimin e mungesës me punëtorët vendas. /Monitor

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura