Bota e futbollit ka humbur sot një legjendë që do të kujtohet gjithmonë për arritjen e tij të jashtëzakonshme. Ish-portieri rumun, Helmut Dukadam, është ndarë nga jeta sot në moshën 65-vjeçare pas një beteje të gjatë me problemet shëndetësore, pasi kishte kryer disa operacione radhazi.
Dukadam u kthye në një emër legjendar në vitet ’80; kur vishte fanellën e Steauas së Bukureshtit dhe kur me pritjet e tij ndihmoi klubin rumun të shkonte në finalen e Kupës së Kampioneve në sezonin 1985-1986, ku u përball me Barcelonën.
Ai përveçse ndali gjuajtjet e katalanasve drejt katërkëndorit të tij gjatë kohës së rregullt, ishte personi që praktikisht i dha trofeun klubit rumun në gjuajtjet nga pika e bardhë, pasi priti të katër tentativat e katalanasve, duke bërë që Steaua të shpallej fituese.
Por pak javë më vonë, atij iu diagnostikua një problem i rrallë shëndetësor dhe ka qenë vazhdimisht nën efektin e medikamenteve, duke iu nënshtruar operacioneve të vazhdueshme, më të fundit në zemër në vitin 2024. “Prej 30 vitesh marr 18-20 pilula në ditë”, do të tregonte pak kohë më parë Dukadam, i cili largohet si një nga legjendat e paharrueshme të këtij sporti.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al