NGA DR. JORGJI KOTE
Më 19 – 20 nëntor u zhvillua në Rio de Janeiro Samiti i 20 vendeve më të zhvilluara ekonomike të botës, ose G-20, me praninë edhe të BE-së dhe Unionit Afrikan. Me një “menu” të bollshme tematike, ku spikatën kriza klimatike, konflikti në Lindjen e Afërme, agresioni rus në Ukrainë, lufta kundër varfërisë dhe urisë, reforma e OKB-së etj.. Samiti u mblodh në një atmosferë të trazuar, kur agresioni rus kundër Ukrainës po hyn në vitin e katërt dhe kriza në Lindjen e Afërme vetëm sa përshkallëzohet pa shenja zbutjeje.
Kur në BE dhe në SHBA përgatiten të marrin drejtimin ekipet e reja drejtuese dhe veçanërisht Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, me shumë të papritura, parashikime dhe profeci nga më të ndryshmet. Vlen të theksohet se Samiti i G-20, u mbajt në një vend të madh si Brazili me rreth 215 milionë banorë, nga më të begatët në Amerikën Latine dhe fuqia më e madhe ekonomike në atë rajon. Vend që gëzon një harmoni dhe ekuilibër të rrallë në botë, thelbin e politikës së jashtme të të cilit e përmbledhin me moton: “Ne mundet ta kemi mirë me të gjithë”. Me këtë moto në tri dekadat e fundit, Brazili është shfaqur me sukses në arenën ndërkombëtare me të ashtuquajturën “diplomacia samba” të sharmit, e cila merr spunto nga vallja emblematike me lëvizje karakteristike trupore plot temperament dhe personalitet njerëzor dhe mbi të gjitha me humorin dhe buzëqeshjen rrezatuese.
Në fakt, Samba me origjinë pikërisht në Rio de Janeiro e mirënjohur kudo në botë është shumë më tepër se një dans apo vallëzim, ajo është shenjë dalluese dhe kryemarkë e këtij shteti të madh, mishërim i shpirtit dhe frymës braziliane, i festimit dhe lirisë së shprehjes. Ajo ka ndihmuar në rritjen e vetëbesimit dhe dëshirës që ndikimi i Brazilit të zgjerohet më tej dhe në nivel global. Pikërisht me këtë “samba” veçse tani dhe diplomatike, në një botë gjithnjë dhe më të polarizuar, këto 25 vitet e fundit Brazili ka dalë në skenën ndërkombëtare me synimin madhor për mirëkuptim me secilin dhe me të gjithë. Për këtë qëllim, në fillimin e viteve 2000 qeveria braziliane filloi të organizonte shumë veprimtari të mëdha me profil të gjerë ndërkombëtar, ku u kombinuan të gjitha dimensionet diplomatike; këtu spikatën Kampionati Botëror i Futbollit 2014 dhe Lojërat Olimpike Verore në Rio De Janero 2016.
Ndërkohë, vetë diplomacia klasike braziliane u përfshi në shumë debate dhe diskutime shumëpalëshe deri në lobimin për anëtarësim të përhershëm në KS të OKB-së. Më tej, në vitin 2009, Brazili bashkë me Indinë, Rusinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut pak më vonë themeluan aleancën ekonomike BRICS, një lloj sfide ndaj G-7, G20 dhe Perëndimit në përgjithësi. Këtë tetor, BRICS u zgjerua në Samitin e Kazanit në Rusi në tetor me tre anëtare të rinj – Etiopinë, Arabinë Saudite dhe Iranin. Për një kohë të gjatë BRICS shihej nga disa si një aleancë antiperëndimore, një klub autokratësh dhe diktatorë “de fakto”; mirëpo kjo “nuk ngjit” dhe aq, se aty është Brazili, që në vitet 80 shembi diktaturën ushtarake dhe sot përfaqëson demokracinë më të madhe në Amerikën e Jugut. Aty janë dhe India me Afrikën e Jugut, po ashtu demokratike.
Gjithashtu, Brazili është pozicionuar si ndërmjetës midis të ashtuquajturit Jugu Global, vendeve të pazhvilluara dhe atyre më të pasura industriale. Një situatë përgjithësisht komode diplomatike: me fjalë më të thjeshta, ndërsa nga njëra anë Brazili bën biznes me SHBA-të, kjo nuk e pengon të bëjë tregti masive me Kinën dhe ndërkohë të kujdeset për marrëdhënie të mira dhe me Rusinë. Vërtet që Brazili si vend demokratik ka shumë dallime sa u takon vlerave dhe parimeve themelore perëndimore me Rusinë, Kinën, Iranin, por kjo nuk i prish punë përderisa me ato vende Brazili ka shumë më tepër interesa të përbashkëta praktike, ekonomike dhe tregtare.
Pastaj, kur vjen puna te vlerat dhe sistemet, dhe ai bashkë me vende të tjera mendojnë se secili vend apo grupim dhe secila kohë dhe ngjarje ka vlerat dhe alternativat e veta; kryesorja është qeverisja e mirë me përfitime për masat e gjëra të popullsisë dhe jo ideologjia. Ndaj Brazili dhe shumë vende të tjera nuk e kanë dënuar agresionin rus dhe vazhdojnë marrëdhëniet e rregullta ekonomike dhe tregtare me Moskën, që të mos ketë pasoja negative për ekonomitë e tyre për shkak të rritjes së çmimeve dhe kostove të produkteve, shtimin e varfërisë etj.. Dihet se Lula dhe aleatët e tij të BRICS janë mjaftuar vetëm me propozimin për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, që u hodh poshtë nga Presidenti Zelenski, i paftuar në Samit. Nismëtari dhe promovuesi i imazhit të këtij Brazili të ri, të vetëdijshëm dhe të pavarur gjatë 25 viteve të fundit është Luiz Inácio Lula da Silva, Presidenti i dikurshëm dhe i sotëm i vendit. Lula 79-vjeçar fitoi zgjedhjet presidenciale për herë të parë në vitin 2002. Presidenca e tij rastisi me rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve energjetike në tregjet botërore dhe arkat braziliane u mbushëm plot. Në kulmin e triumfit politik të Lulas në vitin 2009, Presidenti i atëhershëm amerikan Obama e cilësoi atë si “politikanin më të adhuruar në botë”! Mirëpo mbas atij viti filloi rënia politike e Lulas.
Në vitin 2017, ai u dënua për pastrim parash dhe korrupsion me 12 vite burgim. Ky dënim ishte tejet i debatueshëm dhe në fund ai u shfuqizua. Por ishte tepër vonë për ta lejuar Lulan të garonte sërish për President në zgjedhjet e vitit 2018, të cilat i fitoi ekstremisti i djathtë, Jair Bolsonaro. Nën presidencën e tij Brazili humbi shumë nga pesha e sambës së tij diplomatike. Por gjendja ndryshoi sërish në vitin 2022, kur Lula rifitoi zgjedhjet presidenciale të radhës me parullën “Brazili rikthehet”. Gjithsesi, entuziazmi që shkaktoi fitorja e tij brenda u kthye në ftohtësi dhe zhgënjim jashtë vendit, sidomos për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus. I pari shtetar që provoi shijen e hidhur të rikthimit të Lulas në këtë drejtim ishte Kancelari gjerman Olaf Scholz. Në fillimin e vitit 2023, kur sapo Lula ishte rikthyer në zyrën presidenciale, Scholz fluturoi plot shpresa në Brazil. Me pohimin se “i kishte munguar shumë Brazili dhe Lula i tij i dashur”!
Mirëpo, kur gjatë takimit Scholz i kërkoi që t’i dërgonte armë dhe municion Kievit, Lula iu përgjigj: “Jo, e pamundur, sepse Brazili është vend i paqes dhe nuk mund të bëhet as indirekt pjesë e luftës në Europë”. Për Presidentin Lula, ky pohim ishte rihyrja në politikën e jashtme braziliane, që vendi i tij kishte ndjekur për dekada me radhë, ndërsa për Gjermaninë dhe Perëndimin “përplasje dere!”. Në këto kushte dhe rrethana, për t’u rikthyer Samitit në Rio, përpara mikpritësve brazilianë dhe Presidentit Lula shtrohej pyetja madhore nëse do t’ia dilte dot mbanë dhe kësaj radhe me diplomacinë braziliane të Sambas? Kjo ishte jetike mbasi suksesi në Rio do të ishte inkurajim i madh për realizimin e synimeve të ardhshme gjeopolitike braziliane. Në fakt, Samiti i G-20 në kryesinë e Lulas ishe rasti më i mirë për një përgjigje bindëse.
Se bëhet fjalë për një grupim që me 2/3 e popullsisë botërore jep 80 për qind të GDP-së dhe 75 për qind të tregtisë së saj. Sfida, përgjegjësia dhe pritshmëritë sidomos ndaj Presidentit Lula ishin të mëdha për shkak të shumë pengesave, vonesave dhe problemeve specifike. Duke filluar nga pjesëmarrësit e tij, ku 3 “peshat më të rënda” të G-20 shkonin tejet të dobësuar në Rio. Presidenti amerikan në detyrë, Joe Biden, ishte për të fundit herë në këtë Samit dhe tashmë si “rosë e çalë”, siç quhet një president që ka humbur zgjedhjet dhe për pasojë nuk ka fuqi vendimmarrëse. “Rosa të çalë” ishin dhe Kancelari gjerman Scholz me Presidentin francez Macron. Scholz mbas prishjes së koalicionit qeveritar dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt 2025, madje mes debatesh nëse duhet të jetë kandidat për Kancelar, për shkak të popullaritetit të tij në nivelet më të ulëta historike me vetëm 15 për qind. Ndërsa Macron, mbas dy katastrofave politike në zgjedhjet europiane në qershor dhe ato kombëtare në korrik, po qeveris i dobësuar në kulm me një qeveri pakice në mëshirë të ekstremit të majtë dhe të djathtë. Ndërkohë që Presidenti Putin nuk shkoi në Rio për shkak të urdhër arrestit ndërkombëtar që do ta kishte vënë në pozita të vështira dhe mikpritësit brazilianë. Atë e përfaqësoi ministri i Jashtëm, Lavrov. Mbi të gjitha, ishte tematika e nxehtë me probleme, të cilat ka kohë që ulërasin për zgjidhje”.
Mirëpo, ja që për habinë e të gjithëve, samba diplomatike braziliane shënoi sukses, madje të dy apo trefishtë dhe pa as më të voglin incident. Më konkretisht, u ra dakord, madje qysh në mbrëmjen e ditës së parë të Samitit për Deklaratën e Përbashkët, çka ka qenë problem i vazhdueshëm në tri vitet e fundit. Kjo kryesisht për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës dhe acarimit të krizës në Lindjen e Mesme dhe për shkak të përbërjes heterogjene të G-20. Arritja e dytë e rëndësishme ishte konsensusi i plotë për nevojën e reformimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ai të jetë “më përfaqësues, më eficient, më gjithëpërfshirës dhe demokratik”. Kjo temë ka gati 25 vjet që është ngritur, me qëllim që atje të përfaqësohet Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Krahas Indisë, Japonisë dhe Gjermanisë, kandidate e fortë ka qenë dhe mbetet dhe Brazili. Sa i përket luftës Rusi/ Ukrainë, ashtu siç pritej, konsensusi ishte minimal. Ndonëse në deklaratën përfundimtare ky aspekt madhor u përmend kalimthi, pa e dënuar agresionin rus. Në vend të këtij distancimi këshilltarët e shumtë që punuan gjatë gjithë natës kishin hartuar fraza të tilla “as mish as peshk” si “dhimbjet, vuajtjet dhe ndikimet negative të luftës për sigurinë ushqimore dhe energjetike” dhe “G-20 përkrah të gjitha nismat për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Po ashtu, lidhur me krizën në Lindjen e Mesme asgjë për Hamasin, vetëm thirrje për “të mbështetur propozimin amerikan për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve”.
Mirëpo, kush ka punuar në organizatat shumëpalëshe e di sa e vështirë është të arrihet konsensusi në një format të tillë, ca më tepër për këto dy ngjarje shpërthyese që kanë krijuar përplasje të mëdha dhe në gjirin e OKB-së. Minimal ishte dhe konsensusi sa i takon daljes nga kriza klimatike. Pa ndonjë rezultat konkret, me përjashtim të miliarda dollarëve që do të vihen në dispozicion. Madje, nuk pati pëlqim as për ndalimin e lëndëve djegëse fosile. Për këtë të fundit, deklarata u mjaftua me shprehjen “të ndalohen subvencionet joefikase lidhur me lëndët djegëse fosile”, por asgjë më shumë. Gjithsesi, Brazili si kryesues i G-20 dhe Presidenti Lula ia arritën qëllimit dhe falë shumë demarsheve, manovrave dhe lëshimeve diplomatike siguruan konsensusin e të gjithë liderëve të G-20 për dy pikat më të rëndësishme politike për Brazilin: e para, lufta kundër varfërisë dhe urisë që po bëjnë kërdinë në Jugun Global. Në Deklaratën e Samitit shprehet dakordësia për “krijimin e një Aleance Globale kundër Varfërisë dhe Urisë”. Aty u nënvizua se për këtë qëllim nuk mungojnë as burimet financiare dhe as kapacitetet, por duhet vetëm vullnet dhe vendim politik. Konkretisht u caktua objektivi që deri në vitin 2030, 500 milionë njerëz në Jugun Global të dalin nga varfëria nëpërmjet ndihmave sociale, fondeve monetare etj..
Arritja tjetër e shënuar dhe pse jo e plotë për G-20 e sidomos për Brazilin dhe Presidentin Lula ishte konsensusi qoftë dhe në parim për propozimin brazilian mbi vendosjen e një takse mbi 2800 persona superpasanikë në masën 2 për qind të pasurisë së tyre totale. Për rrjedhojë, do të përfitoheshin çdo vit 250 miliardë euro, të cilat do të përdoreshin sërish për të luftuar varfërinë, urinë dhe aspekte të tjera sociale. Me gjithë kundërshtimet fillestare të SHBA-ve, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, më në fund u ra dakord për një masë të tillë, por pa shifrat e mësipërme. Suksesi surprizë për Lulan për këtë çështje delikate ishte dhënia e pëlqimit nga kundërshtari i saj kategorik, Presidenti argjentinas, Javier Miley, i cili fillimisht nuk ishte as për përfshirjen e kësaj pike në rendin e ditës. Rikujtojmë se ai dhe Lula u takuan ballë për ballë për herë të parë atje në Rio; më parë, Miley e kishte etiketuar Lulan “hajdut dhe komunist të korruptuar”. Ky ishte një afrim politik me vlera! Dhe së fundi, kundër parashikimeve mediatike, në mbyllje u realizua miqësisht dhe fotoja familjare, “qershiza mbi tortën” e Samitit të G-20. Çfarë kartoline promovuese për Rion, Lulan dhe të ardhmen e sambas diplomatike braziliane!
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al