Gazeta katolike: Zhiti, një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë

Feb 18, 2015 | 14:43
SHPËRNDAJE

Gazeta katolike “Avvenire” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë në faqet e saj veprës së Visar Zhitit. Ndërsa në Shqipëri zien debati për emërimin e Visar Zhitit si ambasador në Selinë e Shenjtë, Vatikan, gazeta më e madhe katolike, e themeluar në vitin 1968 nga Papa Pauli VI, shprehet me superlativa për Visar Zhitin si shkrimtar, por edhe si njeri. Nxitja për të shkruar për Zhitin është bërë përkthimi në gjuhën italiane të romanit “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” – “Il visionario alato e la donna proibita”. “Një roman që nxjerr në pah cilësinë, vlerën dhe tensionin moral e fetar të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë të ditëve të sotme”, shkruan “Avvenire”. Duke qenë gazeta më e madhe, lidhur me Kishën Katolike romane, pas gazetës së Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”, përmes saj shprehet një opinion më i gjerë se i një redaksie gazete. Dhe fakti që ky shkrim vjen në kulmin e një debati, që ka përfshirë qeverinë, prej nga erdhi propozimi për emërimin e Visar Zhitit në Selinë e Shenjtë, institucionin e Presidentit të Republikës, që po i bën rezistencë të fortë kandidaturës në fjalë, por edhe vetë Kishën Katolike, e cila gjithashtu ka dalë në deklarata në lidhje me të.

Revista kineze “The World Poets Quarterly”, ku janë botuar poezitë e Zhitit

NGA FULVIO PANZERI

VISAR ZHITI, DOSJA SHQIPËRIA

Më në fund vjen e përkthyer në italisht, nën përkujdesjen e Elio Miracco-s, një roman që nxjerr në pah cilësinë, vlerën dhe tensionin moral e fetar të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë të ditëve të sotme. Visar Zhiti, i lindur më 1952, është i vlerësuar mbi të gjitha si poet, i njohur në nivel ndërkombëtar me përkthime e çmime të shumta, por i penguar që në publikimet e para në atdheun e vet. Në fakt, që në 1980-n dënohet në një proces fals për poezitë e tij të konsideruara “në kundërshtim me idetë e realizmit socialist” dhe për shtatë vjet vuan jetën e vështirë në kampet e përqendrimit në malet shqiptare, të strukturuara sipas modeleve të gulagëve sovjetikë. I liruar në 1987, në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria ishte në kaos tërësor, shkon në Milano, ku bashkëpunon edhe me të përditshmen tonë dhe rezulton një nga fituesit e një nisme për letërsinë të ndërmarrë nga “Avvenire”, antologjia e tregimeve fetare “Trego Zotin tënd” e botuar nga Oscar Mondadori.

Sapo bie diktatura, Zhiti vazhdon punën në atdhe, ku veprat e tij më në fund mund të qarkullojnë lirisht. Sot konsiderohet si një nga zërat më autentikë në zonën e Ballkanit dhe këtë gjë e demonstron edhe ky roman, “IL VISIONARIO ALATO E LA DONNA PROIBITA” – Perëndia mbrapsht dhe e dashura (në origjinalin shqip), autenticiteti i të cilit rrjedh edhe nga fakti që historia bazohet edhe në përvojën autobiografike të shkrimtarit, që ia del të ndërtojë një lloj udhëtimi emblematik përmes Europës, përmes ekspresionizmit e realizmit magjik, në kërkim të një mundësie për të bërë drejtësi ndaj padrejtësive të regjimit komunist e dhunës së ushtruar në burgjet shqiptare.

Përmes fantazisë dhe realizmit, referencave biblike e vizioneve, shkrimtari e ndan romanin në krerë-tregime, që kanë për protagonistë një fotograf në hapat e parë, Feliks Kondin, dhe Ema Markun, një gjimnaziste e re, viktimë e regjimit komunist shqiptar. Feliksi do që të njohë Europën, por mbi të gjitha dëshiron që Europa të njohë barbarizmat e dhunën, nga të cilat ai vetë vjen. Dhe për këtë në udhëtimin e tij ai mbart me vete një dosje të krijuar me mund e të paracaktuar për në Gjyqin e Hagës, pothuajse një lloj dëmshpërblimi për jetën e humbur të vajzës që ka dashur, Emës, tashmë në arkivol pas dhunës që ka pë- suar. Asaj që frekuentonte gjimnazin, e dënuar nga “një shtet që duhej të tregonte forcën e duhej të ishte i pamëshirshëm”, vetëm se mbante kryqin në qafë e dëshironte lirinë për të bërë çfarë i pëlqente, në një shoqëri ku ishte i ndaluar çdo lloj besimi fetar. Dosja është një akt drejtësie, por edhe dashurie, në lidhje me Emën. Kështu, duke përshkuar Europën, nga Roma në Vjenë, Zhiti na rrëfen përmes historive të protagonistëve – të vëna në dukje nga grumbullimi i përimtimeve dhe rrethanave të reja – realitetin e ashpër të mungesës së lirisë, duke nënvizuar jetën e burgut përmes situatave aspak të dukshme, që rilexojnë një përmasë kafkiane, siç është në fund të fundit dosja, ajo vrimë e zezë, plot me dëshpërim, dhembje, nevojë për drejtësi, e cila, nga objekt i përbërë nga letra e kartela, bëhet një pjesë e brendshme dhe shpirtërore e Feliksit: “Ndonjëherë shpirti migronte nga kraharori në ato kopertina me karton të zi, të kthyera në kufoma, dhe dosja gulçonte nga ankthet, përpëlitej… Akuza ishte përmbledhur e gjitha në dosjen e fshehur. I dukej sikur dëgjonte gjëmimin, jo brenda në valixhe, por në kraharorin e vet…”.

Poezitë e Visar Zhitit botuar në gjuhën kineze

“Dielli i dytë”, “Abys”, “Të mbledhësh dritë” etj., janë disa prej poezive të poetit Visar Zhiti në gjuhën kineze. Është revista “The World Poets Quarterly”, e cila i ka kushtuar një vend të posaçëm në faqet e saj poetit shqiptar. Poezitë janë botuar në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe kinezisht. Në gjuhën angleze ato janë përkthyer nga përkthyesi dhe albanologu i njohur Robert Elsie. Krahas poezive, në revistë ofrohet edhe një informacion mbi jetën dhe krijimtarinë e Zhitit:

PËR AUTORIN:

Visar Zhiti është një shkrimtar e poet i famshëm, jeta e të cilit ndoshta është pasqyra më e mirë e historisë së kombit të vet. Ai është njëri nga të shumtët që vuajtën persekutimin e tmerrshëm pa asnjë arsye të dukshme. Por Visar Zhiti mbijetoi: fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht, dhe tani ai është midis poetëve më popullorë të Shqipërisë së sotme. I lindur më 1952 në Durrës, Zhiti shfaqi një interes të hershëm për vargjet dhe botoi disa vjersha në revista periodike letrare. Më 1973, ai po përgatiste për botim “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, kur i ashtuquajturi “spastrimi i liberalëve” shpërtheu në Tiranë gjatë sesionit të katërt plenar të Partisë Komuniste… Visar Zhiti u arrestua në Kukës, ku ai po jepte mësim. Për të ruajtur të shëndoshë gjendjen mendore, ai kompozoi dhe memorizoi mbi njëqind poezi. I dënuar me tridhjetë vjet burg nga një gjyq i sajuar, atë e dërguan në burgun e Tiranës dhe prej andej e transferuan lart në malet veriore të izoluara për të kaluar në mes të kampeve famëkeqe të përqendrimit të ngjashme me gulagët sovjetikë, në ferrin mbi tokë, nga minierat e bakrit të Spaçit në burgun me male të akullta të Qafë-Barit. Kur u lirua nga burgu, Visar Zhiti u bashkua me lëvizjen opozitare demokratike (1990), duke punuar si gazetar, dhe pas rënies së diktaturës drejtoi shtëpinë botuese “Naim Frashëri” (nga i erdhi arrest-dënimi). I zgjedhur për deputet, më pas diplomat, konsull në Ambasadën Shqiptare në Romë, Itali, së fundmi Visar Zhiti ka qenë ministër i Kulturës. Librat e tij me poezi, histori të shkurtra, romane, ese janë të shumta dhe janë përkthyer në gjuhë të huaja, si në anglisht, italisht, rumanisht, kroatisht, maqedonisht etj. dhe në shumë antologji në gjuhën angleze, franceze, gjermane, daneze, greke, holandeze, hebraike, arabe etj. Ai është vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, ka marrë çmimin e madh të letërsisë dhe është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhrin “Mjeshtër i madh”. Është anëtar i Akademisë Europiane të Artit dhe emri i tij përmendet në enciklopedi të ndryshme. Puna e tij është një emblemë letrare e lirisë.

Bumçi: Qeveria të konsultohet me Presidentin për Visar Zhitin

Nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, Aldo Bumçi, deklaroi dje se Kryeministri dhe Presidenti duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjidhur ngërçin e krijuar me kandidatin për ambasador në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, Visar Zhiti. Gjatë një prononcimi për mediat, Bumçi theksoi se qeveria nuk e ka në dorë vendimmarrjen për ambasadorët dhe, për këtë arsye, duhet të ulet për të zhvilluar konsultime me kreun e shtetit. “Për sa kohë janë dy institucione, duhet të gjejnë gjuhën. Kur është vendimmarrja e një institucioni, konsultimi është i këshillueshëm, por nuk është i detyrueshëm. Kur vendimmarrjen nuk e ke ti në dorë, atëherë duhet të ulesh dhe të gjesh një gjuhë të përbashkët. Konsultimi është i detyrueshëm, është i nevojshëm dhe kjo qeveri, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm duan ta kthejnë dhe t’i japin forcë ligjore, duan të shmangin çdo lloj kontakti me institucionet e tjera”, tha dje Bumçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura