“Gërdeci”/ Flasin dy dëshmitarët, ish-drejtori i Logjistikës: Bërzhita e papërshtatshme për demontim! S’jam pyetur kurrë për shpërthimin. Kisha dy thasë me barut kur…

Nov 30, 2023 | 12:34
SHPËRNDAJE

Pas ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë seancës së sotme në GJKKO për dosjen “Gërdeci”, janë marrë në pyetje edhe dy dëshmitarë, Bardhyl Hoxha, ish-Drejtor Logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në 2008, dhe Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo.

gerdeci

Sipas dëshmive të siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, mësohet se Hoxha ka deklaruar para trupit gjykues se në kohën që ka qenë Drejtor logjistike ka hartuar një memo për Bërzhitën, ku ka dalë në konkluzion se ky vend nuk është i përshtatshëm për demontimin e armëve pasi banesat kanë qenë shumë pranë.

Ndërkohë sipas tij, ai nuk është pyetur kurrë për Gërdecin gjatë kohës që ka ushtruar këtë detyrë.

Nga ana tjetër, Sula ka deklaruar se ka nisur punë në Gërdec, pasi ishte i papunë. Ai ka pohuar se ka parë më sytë e tij që zjarri ka nisur në një karrocë, që sipas tij ka pasur 2  thasë me barut.

Thënë këtë, ai lë të nënkuptohet se shpërthimi në Gërdec ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor.

Ndërkohë Fatmir Mediu deklaroi se si ministër i Mbrojtjes dha dorëheqjen duke marrë përgjegjësi morale për atë që ndodhi, megjithatë u shpreh se ndihet i keqardhur që aktin e tij grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj.

“Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri.

Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit”, tha Mediu.

LEXO EDHE: “Do doja shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por s’kam forcë”- Dosja “Gërdeci”, Fatmir Mediu në gjykatë: Në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes së këtyre familjeve! Jam i keqardhur që…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura