Në mes të fushatës zgjedhore në radhët e demokratëve amerikanë ka shpërthyer një debat për kohën e emërimit të presidentit amerikan Joe Biden si kandidat për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Por gjendja po ndryshon – nga ajo e tensionuar e deri në dëshpërim.
Për Filippo Trevisan, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington DC, Partia Demokrate është në një “ngërç”. “Një opsion do të ishte sigurisht gjetja e një kandidati tjetër (në vend të Bidenit). Por kjo do të ishte e mbushur me rreziqe. Një tjetër opsion do të ishte ndryshimi i narrativës së fushatës së Bidenit me propozime të reja radikale,” shpjegon ai në përgjigje të një DW. “Demokratët kanë nevojë për një temë të re në fushatë që mund të tërheqë vëmendjen e votuesve.”
Nominimi po, por kur?
Mosmarrëveshja për emërimin e hershëm të Joe Biden si kandidat presidencial demokrat, tregon se mbështetësit dhe kundërshtarët kanë qëndrime shumë të ndryshme mes vete.
Disa po bëjnë thirrje që Biden të emërohet zyrtarisht sa më parë, pra përpara konventës së emërimit të Demokratëve nga 19 deri më 22 gusht në Çikago. Të tjerët duan patjetër ta parandalojnë këtë dhe të mos bëjnë asnjë ndryshim në orar. Ndërkohë republikanët kanë përcaktuar Donald Trump kandidat.
“Nuk ka asnjë arsye ligjore për një emërim të tanishëm, përmes një votimi virtual”, thuhet në një letër të disa demokratëve. “Një votë e tillë do të ishte kundërproduktive dhe do të minonte unitetin dhe kohezionin e partisë.”
“Një ide e tmerrshme”
Letra e diskutueshme nga kundërshtarët e nominimit të menjëhershëm u shkrua nga kongresmeni demokrat Jared Huffmann nga Kalifornia. Demokrati amerikan tashmë ka fituar shumë mbështetës. Drafti i letrës thotë se debatimi për ndryshimet në procedura është “një ide e tmerrshme”. Një emërim i hershëm i kandidatit presidencial demokrat do të vinte “në kohën më të keqe të mundshme”.
Sipas raportimeve të mediave, mbështetësit e një nominimi të hershëm gjithashtu kanë shkruar një letër. Kjo u drejtohet anëtarëve të komitetit të konventës së emërimit të Demokratëve, “Konventa Kombëtare Demokratike” (DNC). Ata i bëjnë thirrje partisë që të miratojë votimin e parakohshëm virtual.
Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik Jaime R. Harrison sqaroi në X, dikur Twitter: “Ne do të përmbushim afatin e 7 gushtit dhe kandidati ynë do të jetë në fletën e votimit në Ohio në nëntor.”
Shtohet presioni ndaj Biden
Por nuk është e sigurt nëse do të ketë ndonjë epilog të shpejtë. Presidenti amerikan Biden ka qenë nën presion masiv prej javësh për shkak të moshës dhe dyshimeve për gjendjen e tij mendore.
Pas atentatit ndaj Trump më 13 korrik, frika për një fushatë zgjedhore të dështuar u rrit edhe më shumë te demokratët. Të mërkurën (17 korrik), Bidenit iu desh të anulonte sërish të gjitha aktivitetet e fushatës për shkak të një infeksioni COVID.
Dhjetëra politikanë demokratë, përfshirë ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i kanë bërë thirrje Biden të tërhiqet nga gara javët e fundit. Vetë Biden komentoi për herë të parë këtë çështje më 17 korrik në një intervistë me transmetuesin amerikan BET News: “Unë do të largohesha nga gara nëse doktori im më thotë se kam probleme serioze shëndetësore,” i tha ai reporterit Ed Gordon.
Biden kishte lavdëruar më parë Kamala Harris, pas një fjalimi të saj në organizatën e të drejtave civile të zezakëve NAACP në Las Vegas. “Ajo nuk është vetëm një zëvendëspresidente e mirë, ajo mund të jetë edhe presidente e SHBA-së”, tha Biden.
Duke pasur parasysh situatën e paparashikueshme, shkencëtari politik Trevisan dyshon se një emërim i menjëhershëm i Bidenit do t’i jepte fund debatit për shëndetin dhe moshën e tij të shtyrë. “Sa herë që Biden bën ndonjë gabim apo refuzon ndonjë intervistë e takim me gazetarë, do të ngrihen dyshime për shëndetin e tij,” shpjegon ai. Emërimi i tanishëm si kandidat zyrtar nuk do ta ndryshonte këtë.
Ekspertja amerikane Andrea Römmele nga Shkolla Hertie supozon “se Biden do të mbetet në garë”. Në një intervistë për kanalin televiziv gjerman ZDF, ajo pyeti: “Si duhet të profilizoni një kandidat të ri për një kohë kaq të shkurtër?” Biden nuk mund të fajësohet për faktin se ai është 81 vjeç. Tani është e rëndësishme që Biden të qëndrojë deri në vjeshtë dhe të fokusohet në sukseset ekonomike.
Strategu politik Trevisan kujton se ka pasur diskutime të ngjashme brenda partive edhe në të kaluarën – për shembull për Hillary Clinton në 2016. “Demokratët e SHBA-së kanë një spektër më të gjerë ideologjik se shumica e partive progresive në Evropë,” shpjegon ai. “Ky pluralizëm mund të kthehet ndonjëherë në një disavantazh strategjik.”/DW
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al