Nga Halil RAMA
Në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda. Megjithatë, ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Një protagonist me një jetë të jashtëzakonshme është padyshim gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku (Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit), veprimtaria patriotike e të cilit nis që në fëmijërinë e hershme me organizimin dhe drejtimin e Njësiteve guerrile në Vlorë për të vijuar si drejtues i lartë i Brigadave të 3-të, 8-të, 12-të e Divizionit të 5-të të Ushtrisë Nacionalçirimtare dhe në vitet e pasçlirimit deri në krye të piramidës së Ushtrisë Shqiptare (Parllaku, pasi kishte mbaruar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike “Voroshillov”, kreu detyra e funksione të rëndësishme deri edhe atë të zëvendësministrit të Mbrojtjes).
Emri i këtij personaliteti që për merita të veçanta i janë dhënë titujt “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, që ka qenë zgjedhur deputet i Kukësit për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973 dhe që më pas me një akuzë absurde u dënua dhe vuajti 17 vjet burgjet e diktaturës, do të përjetësohet në segmentin rrugor që bashkon rrugën “Ali Demi” me rrugën “Petro Nini Luarasi”, që me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës Nr.137, datë 05.10.2020 merr emrin Rruga “Gjeneral Parllaku”, e cila pritet të përurohet pas disa ditësh.
Kështu, duke konsideruar kërkesën e Kryesisë së OBVL-së (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ-it), kryebashkiaku Veliaj i propozoi Këshillit Bashkiak përjetësimin e emrit dhe veprës së ish-kryetarit të OBVL-së, gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, në një nga rrugët kryesore të lagjes ku Ai kishte banuar, deri në largimin për në botën e përtejme, tre vjet më pare. (ceremonia e lamtumirës një ditë pas vdekjes, më 16 shtator 2019).
Rreth tre vjet më parë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Bashkia e Tiranës e nderoi atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”. (Në 95-vjetorin e lindjes, gjeneral Parllakut i është dhënë nga Presidenti i Republikës dekorata e lartë “Nderi i Kombit”). Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi Parllakun si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Shqiptarët ndihen krenarë me jetën dhe veprën e këtij gjenerali legjendar, që bëri gjithçka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së tij janë plotësisht të merituara. Me gjeneral Parllakun ndihemi krenarë të gjithë.
BURIM FRYMËZIMI PËR BREZAT
Gjeneral Parllaku ishte dhe mbetet burim frymëzimi për brezat. Kontributi i tij në organizimin e drejtimin e LANÇ e të Ushtrisë Shqiptare e rendit gjeneral Parllakun në krye të plejadës së gjeneralëve shqiptarë që bënë epokë. Ai ishte dhe mbetet përmendore e gjallë e traditës dhe e virtytit familjar të trashëguar ndër shekuj.
Para tetë vitesh, kur me bashkautor Sakip Camin shkruam dhe botuam monografinë “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e dy kohëve”, shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço (në parathënie) do të shprehej se nuk është thjesht një biografi tërheqëse, që për një shkrimtar do të qe një grishje për fantazinë. Është më shumë se kaq. Është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe jeta e heroit të librit, që jetoi mbi një shekull, dhe që si rrallëkush deri sa zemra e tij pushoi së rrahuri përgjithmonë, mbarte dhe frymëzonte, me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk i binte përdhè, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti… Nga jeta e një Matuzalemi si Ai, na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur.
Nga ëndrra e tij dhe e brezit të tij për një shoqëri të njerëzve të barabartë, që e kërkoi atë nëpërmjet komunizmit si ideologji, vjen edhe zhgënjimi i madh prej kësaj utopie që u përpoq të imponohej nëpërmjet luftës së klasave. Nga një çerek shekulli i dënimit të tij, nga plumbi dhe vdekjet në qelitë e burgut, mund të njohim një nga pamjet më makabre të dhunës së diktaturës. Nga veprimtaria si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë bashkë me të tjerë ish-të dënuar si L.Belishova, E.Ohri, H.Ramohito, etj., mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë.
Prej jetës së këtij njeriu, vijnë e të zgjohen edhe disa ndjenja, në dukje tepër intime, por që janë në thelbin e moralit të individit. Një prej tyre është dashuria dhe lidhja e tij me vendlindjen, me krahinën e Lumës dhe Kosovën. Historia dhe luftërat e tyre. Rrethanat ia sollën Parllakut që të punonte në zanatin ëmbëlsues të hallvës. Tregtarët ambulantë të saj në Korçë e quanin “gegë”. Ky “gegë” shtathedhur, i fortë fizikisht, i pashëm që bridhte deri në Selanik, do të bëhej një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerrile, pikërisht në Vlorë, aty ku ishte ndezur një nga vatrat kryesore të luftës antifashiste. Megjithatë, identiteti i tij mbetet i derdhur që nga fëmijëria, aty ku për vite të tëra ndarjeje bashkohej verilindja shqiptare me Kosovën shqiptare, me Kosovën, liria e të cilës ishte “Ëndrra e jetës së tij”. Dashuria për vendlindjen është një nga ndjenjat më të bukura. Kush e shpërfi ll, dëshmon për një shpirt të varfër. Jeta, lidhja me vendlindjen është zanafilla e respektit të tij për njeriun e thjeshtë, e humanizmit dhe altruizmit.
“Kur më dha për një mendim librin e tij në dorëshkrim “Mirënjohje familjeve vlonjate…”, i thashë se ndoshta iu kishte lënë më shumë vend nënave dhe grave vlonjate, në raport me ngjarjet e tjera të njësitit guerril. -Përkundrazi, iu kam lënë pak, – më tha. Pa dyert e zemrat e tyre të hapura, ne s’do të mund të bënim asgjë.”,-shkruan T.Laço. Këtë modesti dhe altruizëm në raportin e veprës së tij në luftë dhe më pas, unë kam patur mundësinë ta vërej dhe ta çmoj që nga takimi dhe biseda ime e parë me të rreth 25 vjet të shkuara, kur bashkë me Liri Belishovën, Edip Ohrin e Skënder Malindin më besuan drejtimin e gazetës “Veterani” që u bë zëdhënëse OBVL dhe në të cilën ata kontribuan me mendimin e tyre progresist, duke pasqyruar realisht fakte dhe ngjarje të LANÇ të shtrembërauara nga historiografia e kohës së diktaturës.
HEROI QË FITOI DUKE MERITUAR LAVDINË DHE PAVDEKËSINË
Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e gjeneral Parllakut, atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për atdheun e tij, si lajtmotiv vijues mbikohor, që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e tij është një shëmbëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar, ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigant hijerëndë që ngjitet i sigurt në bedenat e kalasë. Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situata të ndryshme, pati edhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari, që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare.
Heroi i luftës në terren (nga organizimi e drejtimi i Njësiteve Guerile në Vlorë deri komandant i Divizionit të V-të, drejtues i lartë i LANÇ e Ushtrisë Shqiptare, dhe i përballjes në gjyqe ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua heroit herë me tufa me lule, herë duke u derdhur mbi të me tërë egërsinë e saj. Rrallë gjen shembuj të tillë të personalitetit, ku të jenë ngjizur e plazmuar në mënyrë aq mjeshtërore vetitë e karakterit të një intelektuali patriot, të një drejtuesi e komanduesi të aftë ushtarak, të zgjuar dhe trim, të thjeshtë dhe të ndershëm, të bukur në trup, shpirt dhe mendime. Ai është një model i ardhur nga gjenocidi komunist si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja.
Mbi 20 vjet në krye të organizatës së Bashkuar të Veterëve të LANÇ me përkushtimin e tij bëri që OBVL të anëtarësohet në Federatën Botërore të Veteranëve.
Ai, me ndershmëri dhe principe të larta morale, ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike, duke dhënë edhe në moshë pensioni një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Si një lundërtar i shquar, ai e drejtoi varkën e shpëtimit duke kapërcyer me sukses tallazet e historisë deri në brigjet e paqta të demokracisë që po jetojmë. Jo vetëm gjatësia kohore e jetës, por dendësia dhe përmbushja e saj me veprime, qëndrime dhe vlera në përmbajtjen e saj, e bën këtë figurë të lartësohet në nderimin tonë shoqëror, ku zëri dhe mesazhet e tij dëgjohen deri në organizata famoze ndërkombëtare. Në këtë vështrim, gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.
ISHTE DHE MBETET MEMORIA HISTORIKE E KOMBIT
Etapat e jetës së gjeneral Parllakut lidhen me zhvillime të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare, të ushtrisë dhe vendit. Vetë fakti që z.Parllaku e filloi luftën si komandant i njësiteve guerrile në Vlorë dhe e përfundoi si komandant divizioni në Kosovë, është shumë domethënës. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit, “lufta e brrylave’, qëndrimi në qeli, Lufta e Kosovës më 1999, krijimtaria publicistike e aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor, e forcuan karakterin e tij. Megjithëse gjeneral Parllaku i kishte marrë titujt më të lartë, nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, më 17 Prill, 2017 ai pati emocione të veçanta, kur kryetari Aldrin Dalipi, në emër të kryesisë së Këshillit të Qarkut Tiranë, i dorëzoi atij një “Mirënjohje”, për të cilën ai e falënderoi përzemërsisht. Të njejta emocione provoi gjenerali legjendë edhe më 28 tetor 2017, kur u nderua edhe me titullin “Nderi i qarkut Kukës”. “Nderi i Kombit”, Rrahman Parllaku tha se ndër vite është vlerësuar më shumë tituj, por “Nderi i Qarkut Kukës”, kishte për të një domethënie të veçantë.
Rrahman Parllaku ishte dhe mbetet Rrahman Parllaku. Ai dhe vetëm ai. Po Rrahman Parllaku i kishte të gjitha, të gjitha. Kombe që kanë në kufijtë e tyre njerëzorë, njerëz të tillë, besoj se bukur mirë duhet të jenë të përkëdhelur, të jenë më krenarë se muzetë që kanë ndërtuar me dritë shkëlqimtare, se urat që kanë ngritur, të jenë më të bekuar me historitë e tyre njerëzore, me betejat, me humbjet, me fitoret. Jeta-enciklopedi e tij ngre mes nesh kalanë e lartë të krenarisë që duhet ta njohim, ta prekim dhe të futemi në mes tyre, në mos si kështjellarë të sprovuar, të jemi në një bedenë të tyre. Me pengun e madh që të jep një jetë me një numër jo shumë të madh vitesh, se sa ajo e gjeneralit. Po në këtë sfidë të vërtetë shkronjore që mund të marrë një shqipshkrues ose edhe një i huaj (nuk është çudi të themi se shpesh historitë, bukuritë tona, na i kanë rrëfyer të huajt) duhet dhe një prijatar i shkronjës së shkruar. Duket se çdo shkrimtar historian që e merr këtë gjë përsipër dhe e bën mirë e ka kaluar shumë bukur dhe dobishëm sprovën e betejës për të gdhendur këtë Njeri-Monument. Vetë personazhi ynë është i ngjizur si tharm urtie në urtinë e odave lumjane e dibrane, ku shkolla e urtisë bënte garë me atë të librave. Ndaj dhe ndihemi krenarë të gjithë me gjeneral Parllakun. Ai ishte dhe mbetet përmendore e gjallë e traditës dhe e virtytit familjar të trashëguar ndër shekuj.
Opinioni publik ka mirëpritur edhe librat e ndryshëm të shkruar nga gjenerali, siç është ai me titull “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre”, “Kosova, ëndrra e jetës sime”, dhe librin me shtatë kapituj në 466 faqe “Një shekull në memorie”. Me një kujtesë të jashtëzakonshme, me një mendjemprehtësi të madhe, gjeneral Parllaku ka bërë analiza brilante të situatave të vështira e delikate që ka kaluar vendi dhe ushtria jonë.
E veçanta e gjithë “ligjëratave” të tij në shtypin e kohës dhe në veprimtari promovuese të librave kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare e heronjve të saj, ka qenë gjykimi i tij tepër i saktë, konciz, realist, pa mllefe, pa paragjykime… Ai e ka vlerësuar gjithnjë lart Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, arritjet dhe përpjekjet e popullit jo vetëm në rindërtimin e Shqipërisë së pasluftës, por edhe ato në fushën e arsimimit, shërbimit shëndetësor, zhvillimit në tërësi të vendit, përfshirë edhe arritjet në mbrojtjen e fuqizimin e ushtrisë… si dhe këto vite të demokracisë e pluralizmit.
Sa qe gjallë, gjoksi i Rrahman Parllakut u hijeshua thuajse me të gjithë dekoratat, urdhrat e nderet e shumta që iu akorduan në jetën e tij shumë të vrullshme shekullore. Të gjitha i meritonte dhe do i meritojë në kohëra ai njeri. Veç pa këtë monument shkronjor, duket se lavdia e tij do të mbetej pak më e jetësuar se duhet. Ne kemi nevojë për libra të tillë ku lexojmë vetveten…Ai ishte dhe mbetet memoria historike e kombit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al