Gjermania dënon xhelatët e komunizmit, Shqipëria mbron krimet e tyre!

Oct 17, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA BESIM NDREGJONI besimndregjoni

Këto ditë mësuam nga ‘DW’, se një ish– agjent i Stasi-t, ish-sigurimi i shtetit të RDGJ, u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Landit të Berlinit për një vrasje në pikëkalimin kufitar të stacionit Berlinit-Friedrichstrabe në vitin 1974. Të hënën gjykata e konsideroi të provuar se tashmë i dënuari, 80-vjeçari, kishte qëlluar një shtetas polak gjatë operacionit të Stasi-t në zonën e transit të stacionit. Prokuroria kishte kërkuar dymbëdhjetë vjet burg. Komisionerja e Brandenburgut për pasojat e diktaturës komuniste, Maria Nooke, e përshëndeti vendimin. Është në përputhje me vlerësimin historik të rastit, tha Nooke.

Gjyqi tregon rëndësinë e rivlerësimit ligjor dhe shoqëror të padrejtësisë së RDGJ, deri sot. Kjo është drejtësia gjermane, ai komb që përballoi dy diktatura naziste dhe komuniste, nuk i harron krimet e komunizmit dhe për dënimin e tyre vendos drejtësia, jo politika, edhe pse kanë kaluar mbi 50 vite nga ai regjim. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist-stalinist, i cili nuk ka marrë asnjë masë serioze për të pastruar jetën politike nga mbeturinat e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ma shumë se kurrë, sot janë ma të rrezikshme se shfaqen në mënyrë të kamufluar në institucionet shtetërore dhe shoqërisë civile si mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut. Klasa politike shqiptare asnjëherë deri në sot nuk ka lejuar që të analizohen shkaqet që çuan në hartimin e skemës së komunizmit shqiptar si një lloj i veçantë nga vendet e lindjes.

Krimet e komunizmit në Shqipëri jo vetëm nuk iu nënshtruan analizave juridike, por u përdorën me retorika ideologjike për të gëzuar pushtet dhe jo për t’i shërbyer të vërtetës dhe demokracisë. Dhe mbas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit, Shqipëria u mjaftua vetëm me një rezolutë parlamentare dhe kjo e votuar vetëm nga Partia Demokratike, për arsye se Partia Socialiste, trashëgimtarja e Partisë Komuniste që i kreu këto krime, u largua nga votimi në parlament në vitin 1996, duke demonstruar papërgjegjshmëri morale e politike për krimet e diktaturës komuniste.

Diktatura enveriste-staliniste në Shqipëri ishte një pushtet xhungël që u aplikuar në një vend të vogël ku krimi ishte dominues në mbajtjen e pushtetit. Shifrat tronditëse të krimit komunist që kanë ndodhur në vendin tonë nuk kanë të bëjnë fare me pushtetet komuniste në Europën Juglindore. Xhelatët e xhunglës shqiptare vrisnin kundërshtarët politikë, vritnin mendjet e ndritura intelektuale të fushave të ndryshme si të artit, kulturës, të politikës etj., ata vritnin si fshatarin e thjeshtë, edhe intelektualin me përmasa kombëtare. Kufiri shqiptar ishte bërë arenë e vrasjeve të të rinjve dhe qendrat e banuara ishin bërë sheshe manifestimesh e dekorimeve të xhelatëve për vrasjet e shqiptarëve antikomunistë dhe duartrokitjeve të komunistëve për aktin barbar që kryenin. Të gjitha këto krime kanë dosjet e shqiptarëve të vrarë e të burgosur, të internuar e të mbijetuarve të diktaturës komuniste.

Këto dosje i kanë krijuar ish-politikanë, hetues, gjyqtarë, sekretarë partie, operativë të Sigurimit të Shtetit, administratorë të lartë të diktaturës hoxhiste, sot drejtues të politikëbërjes shqiptare. Në cilin vend të botës demokratike mbrohen me kushtetutë krimet e komunizmit. 34 vite që politika shqiptare përdor heshtjen ndaj krimeve të komunizmit, ku 35-40% e popullsisë i provoi këto krime me shkatërrime brezash. Shqipëria përjeton demokraci formale për mbrojtjen e komunistëve dhe nuk venë përballë drejtësisë krimet që shkaktoi diktatura. Trumbetohet nga falangat e diktaturës, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të xhelatëve të diktaturës dhe heshtet për krimet që pësuan kundërshtarët e diktaturës. I vetmi vend në Europë që ka mbi 6000 shqiptarë të vrarë që u kanë humbur dhe kufomat dhe sot ata që i dhanë Shqipërisë, pavarësinë, krijuan shtetin e parë shqiptar mbas 500 vitesh pushtim otoman, ata që e pritën fashizmin me armë në dorë, ata që nën pushtimin nazistë, shpëtuan jetë hebrenjsh, ata që i rezistuan diktaturës komuniste për 50 vite, sot nuk kanë një varr në tokën e tyre.

Demokracia shqiptare flet për të drejtat e xhelatëve dhe nuk i çoi para drejtësisë si Gjermania, por përkundrazi ka ndërtuar ligje privilegjuese politike ekonomike dhe sot, të përndjekurit dhe të burgosurit politikë nuk lejohen të jenë pjesë e politikëbërjes apo të marrin poste drejtuese në institucionet e shtetit shqiptar. Po ju sjellim në vëmendje trajtimin e pensioneve në mes të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të ish-burgosurve politikë. Të burgosurit politikë marrin pensione qesharake 100 ero në muaj, kurse operativët, hetuesit, gjyqtarët, sekretarët e partisë kanë pensione marramendëse mbi 1000 euro. Sot sistemi politik, juridik arsimor, shoqëria civile, drejtohen nga ish-prokurorë dhe hetues të diktaturës, drejtojnë sistemin politik në vend. Sot librat shkollorë e paraqesin diktaturën si një pushtet që ka ndërtuar Shqipërinë e ka bërë luftën dhe nuk ka një faqe të vetëm për krimet e tyre çnjerëzore.

Ka mbi 34 vite që iu kërkojmë institucioneve të shtetit shqiptar t’i dënojnë krimet e komunizmit me ligj si Europa, por Presidenti, Parlamenti, Qeveria, edhe opozita kanë mbi 10 muaj që heshtin ndaj kërkesës sonë për të bërë ligjin e dënimeve të krimeve të komunizmit. Konferenca Ipeshknore e Shqipërisë, Komuniteti Mysliman, Bektashian, Ortodoksë iu kanë dorëzuar kërkesën që të bëhet ligji i dënimeve të krimeve të komunizmit. Gjithashtu edhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë i është bashkuar heshtjes shtetërore. Turp kombëtar për këta institucione që bëjnë politikë me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve antikomunistë.

Turp për ambasadorët e vendeve demokratike që i bashkohen kësaj heshtje antinjerëzore. A është antikushtetuese, zotërinj parlamentarë që këto krime të mos të dënohen moralisht dhe ligjërisht dhe tani mbas 34 vitesh të ashtuquajtur sistem demokratik. A është antikushtetuese zotërinj drejtues të shtetit shqiptar që diktatori ma i tmerrshëm mbas Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha, gëzon titujt e nderit e viktimat e regjimit s’kanë një varr. Përse në Shqipëri nuk u lejokan të dënohen krimet e komunizmit?! Vetëm në Kushtetutën komuniste ligjërohen krimet e mbrohen kriminelët. Të drejtë paskan ata që kryen krime, ne që u viktimizuan duhet të heshtim për të “drejtat” e atyre që na viktimizuan. Në rastin tonë kohezioni social kërkon pastrimin e krimit dhe të kriminelëve komunistë në një proces të mbështetur në drejtësi.

Ashtë rikthimi i plotë në liri dhe dinjitet për të gjithë, asht mbrojtje nga “dora e shtetit” e nga “grushti i hijeve të zeza”.. një shtet dhe shoqëri e këtillë nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësi! Tek ne dhe sot, mbas 34 viteve, nuk është dënuar krimi komunist 50-vjeçar, me gjithë sjelljen tonë fisnike, që përbuzëm hakmarrjen. Ne, antikomunistët, jemi breznia që këputëm zinxhirin e hakmarrjes, një fitore historike e shpirtit shqiptar. Duhen dënuar krimet e komunizmit siç po i dënon Gjermania për hir të breznive të reja që të mos përsëritet e kaluara tragjike. Kjo është një detyrë primare për të gjithë, por sidomos për ne. Zotërinj parlamentarë, ju sjell në vëmendje thënien e një të burgosuri politik spanjoll: “Mos e mbyllni librin e krimeve të komunizmit derisa çdo rresht, çdo faqe të lexohet nga të gjithë”.

Dhe më tepër, nga ju që jeni ligjvënës e që duhet të mbroni të drejtat dhe liritë e njeriut. Bëhuni palë në dënimin e krimeve të komunizmit, siç vepron drejtësia dhe shteti gjerman, se kështu u shërbehet jetëve njerëzore të pafajshme shqiptare. Morali është ligj i pashkruar, por që gjen zbatim çdo ditë në një shoqëri të civilizuar e demokratike. Këtë Shqipëri duam ne të mbijetuarit e xhunglës. Kjo nuk është Shqipëria për të cilën luftuam ne kundërshtarët e komunizmit. Kjo nuk është Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarëve të lirë. Për të cilën kemi ëndërruar e shpresuar në këtë 34-vjeçar tranzicion komunistë”. Ndiqni shembullin gjerman, zotërinj shtetarë shqiptarë, dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi dhe jo hakmarrje, por edhe paqe për breznitë e reja. Ne, të mbijetuarit e diktaturës po presim çdo ditë, kur do ta kaloni ligjin në parlament që t’i dënoni krimet makabre të enverizmit e t’i bashkohemi Europës si vendet e tjera demokratike! “Hakmarrje, jo”, “Drejtësi, po”.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura