Gjermania do të mbyllë të tre konsullatat iraniane në territorin e saj si reagim ndaj ekzekutimit të një shtetasi gjermano-iranian, por do të lejojë mbajtjen hapur të ambasadës së Iranit, njoftoi të enjten Ministria e Jashtme gjermane.
“Marrëdhëniet tona diplomatike tashmë janë në një pikë shumë të ulët”, tha Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila ndodhet në Nju Jork.
Irani thirri të ngarkuarin me punë të Gjermanisë në Teheran për të protestuar kundër vendimit, siç tha Teherani, “të padrejtë” të Gjermanisë për të mbyllur të gjitha konsullatat iraniane, njoftoi media shtetërore të enjten.
Media shtetërore iraniane njoftoi të hënën ekzekutimin e Jamshid Sharmahd-it pas gjetjes fajtor për sulme terroriste. Kjo bëri që Gjermania të tërhiqte ambasadorin e saj në Teheran ndërsa thirri të ngarkuarin me punë të Iranit për të shprehur protestën e Berlinit.
Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, e dënoi Iranin për lojërat e rrezikshme politike me pengjet, ndërsa e akuzoi Teheranin se po përpiqej të përdorte mbështetjen e Gjermanisë pë Izraelin, në konfliktin e zgjeruar në Lindjen e Mesme, për të justifikuar ekzekutimin e zotit Sharmahd.
“Shumë shtetas gjerman po mbahen gjithashtu padrejtësisht. Jemi thellësisht të përkushtuar për lirimin e tyre”, tha shefja e diplomacisë gjermane.
Organizata për të drejtat e njeriut, HAWAR, e mirëpriti vendimin për mbylljen e konsullatave, por tha se qeveria gjermane duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për të siguruar lirimin e një shtetasi tjetër gjerman, Nahid Taghavi, 70 vjeç, i cili mbahet në Iran që nga tetori i viti 2020.
“Mungesa e planeve të qeverisë federale në trajtimin e diplomacisë së Republikës Islamike të Iranit për pengjet duhet të marrë fund”, u shpreh organizata përmes një deklarate.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i bëri thirrje gjithashtu Bashkimit Evropian që të shtojë Gardën Revolucionare të Iranit në listën e grupeve terroriste./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al