Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër kancelarin gjerman Olaf Scholz për refuzimin për t’i dhënë Kievit raketat Taurus të prodhimit gjerman.
Sipas Zelenskyt, ngurrimi bazohet në dëshirën e Scholz për të mbajtur armët për mbrojtjen e vetë Berlinit kundër një kërcënimi nga Rusia.
“Me sa kuptoj unë, kancelari beson se, duke qenë se ai është përfaqësues i një shteti jo bërthamor, kjo është arma e vetme që ka Gjermania, është më e fuqishmja”, ka thënë Zelensky për raketat Taurus në një intervistë me ‘Politicon’.
“Ai ndau mesazhe me mua duke thënë se nuk mund ta lë vendin e tij pa një armë kaq të fuqishme”, ka shtuar Zelensky.
Qeveria gjermane, megjithatë, i paraqet publikut logjikë krejt tjetër për mosdërgimin e raketave. Scholz ka refuzuar të dërgojë raketa Taurus në Ukrainë, duke thënë në deklaratat publike se një veprim i tillë mund të çojë në një përshkallëzim të luftës dhe madje mund ta tërheqë Gjermaninë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al