Aq shumë është folur për fushatën “Respekt”, por në Angli ajo ka nisur të duket më shumë si fushata “Anarshi”. Sepse klubet e Premier Ligë po i afrohen shifrës së 1 milion paundëve gjoba për mungesë disipline në ditët e ndeshjes, përpara se të vendosen dekorimet e Krishtlindjes.
Dhe ky është sinjali më i qartë i mundshëm se sjellja e skuadrave po shkon në drejtimin e gabuar, edhe në një vend me kulturën sportive të Anglisë. Jo vetëm lojtarët dhe trajnerët po humbasin kontrollin e tyre, por edhe asistentët, drejtorët sportivë dhe madje edhe një pronar ka përfunduar në listën e njerëzve të penalizuar nga Federata Angleze këtë sezon, Evangelos Marianakis, i Notingem Forestit.
Dhe me pjesën më të rrëmujshme të të gjithë sezonit që do të nisë muajin e ardhshëm, klubet përballen me 12 ndeshje në vetëm pesë javë në kompeticione të ndryshme. FA ndoshta duhet të punësojë më shumë staf për departamentin e saj të gjobave për të mbuluar mungesat gjatë pushimeve.
GJOBAT NUK MJAFTOJNË – Me sa duket, për të kontrolluar sjelljen e protagonistëve në fushë, po rezulton se gjobat janë një mjet gjithnjë e më i paefektshëm për të kontrolluar temperamentin. Pothuajse çdo javë kemi një tjetër dënim financiar ose akuzë për sjellje të pahijshme të FA-së, me totalin aktual të Premier Ligës që qëndron në 917,500 £ deri tani këtë sezon.
Gjoba më e madhe e vetme e vendosur deri më tani ishte 125,000 £, të cilën Notingem Foresti u urdhërua të paguante pas grindjes së shkaktuar nga shtytja e Neko Uilliamsit ndaj Mark Kukurejës së Çelsit në ditët e fundit të tetorit në “Stamford Bridge”. Kukureja u shty te trajneri i Bluve, Enco Mareska, duke çuar në një përleshje që përfshiu stolat dhe lojtarët.
Zënka i kushtoi gjithashtu Çelsit një gjobë 90,000 £, gjysma e të cilave ishte pasi Blutë morën gjashtë kartonë të verdhë nga gjyqtari Kris Kavano. Ndeshja me Notingem Forestin ishte e dyta nga tre ndeshjet në të cilat Çelsi mori gjashtë ndëshkime këtë sezon, duke i kushtuar 150,000 £ në total. Ka pasur 14 raste të klubeve që kanë marrë gjashtë ose më shumë kartonë në një ndeshje, me Bornmëthin dhe Mançester Junajtid, të dy fajtorë në dy raste, ku secila shkelje i shton 25,000 £ të tjera gjobës standarde.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al