Gjykata e Kasacionit në Itali ose Gjykata e Lartë, i ka dhënë të drejtë kryeministres Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj, që të caktojnë se cilat shtete janë të sigurta dhe cilat jo, në raport me vendin e origjinës së emigrantëve që kërkojnë azil në Itali.
Gjykata ka argumentuar se është në tagrin e qeverisë italiane, të vlerësojë si të sigurta apo jo, vendet nga ku vijnë emigrantë.
“Për përcaktimin e vendeve të sigurta, gjyqtari i konfirmimit, si garant i shqyrtimit të çdo rasti individual, për efektivitetin e të drejtës themelore për lirinë personale, nuk zëvendëson vlerësimin që, në përgjithësi, i përket vetëm Ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministrave të tjerë që marrin pjesë në këtë proces”, është shprehur gjykata sipas ANSA-s.
Kjo pjesë e vendimit, i jep Melonit lirinë për dërgimin e emigrantëve në kampet e Gjadrit në Shqipëri, deri në dhënien e një vendimi për këtë çështje nga Gjykata Evropiane, i cili me gjasë do të ndikojë edhe drejtësinë në Itali.
Megjithatë kryeministrja pak ditë më parë tha se në janar do të rifillojnë operacionet me azilkërkuesit drejt Shëngjinit dhe Gjadrit, duke theksuar se modeli Italo-shqiptar do të funksionojë.
Disa herë qeveria italiane u ndalua nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Ajo u fut në një betejë më gjykatat, për shkak të listës së vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al