Gjykata Kushtetu-ese i hoqi dje mandatin deputetit socialist Ilir Beqja.Pasi e gjykoi çështjen për 6 muaj rresht, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën dje në mbledhjen e radhës që t’i heqin mandatin Beqjes, pas një vendimi 6 me 3 të shumicës. Sapo u mor ky vendim, pak minuta më vonë, si rrallë ndonjëherë, lajmi u shpërnda menjëherë në redaksitë e mediave, të cilat konfirmuan vendimin e marrë nga shumica në Gjykatën Kushtetuese. Burime pranë Gjykatës pohuan dje për “Panoramën”, se është lënë në fuqi vendimi i marrë nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve të Kuvendit të Shqipërisë, që argumentonte se Ilir Beqja ka përfituar fonde publike gjatë kohës që kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ. Për këtë vendim, shumica u mbështet te neni 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutësm që i referohet papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Pika 3 e këtij neni thotë se “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndërsa në pikën 4: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një të dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”. I gjithë debati i bërë dhe gjatë seancës ku u dëgjuan pretendimet e palëve, por dhe gjatë gjykimit brenda trupës së 9 gjyqtarëve, pika e nxehtë ishte momenti kur deputeti fillon mandatin, për shkak të interpretimit që i bëhet nisjes së mandatit nga Ilir Beqja, pasi deputetët socialistë e bënë betimin e tyre në mars të vitit 2010, 6 muaj pas fillimit të punimeve të Kuvendit. Edhe për këtë çështje, shumica mësohet se i është referuar nenit 71, pika 1, të Kushtetutës, që thotë se “mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”.
Kërkesa
Kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja u bë nga një grup deputetësh demokratë, pas akuzave të ministrit të Transportit, Sokol Olldashi. Sipas tij, Beqja ka përfituar fonde publike në shumën 24 milionë lekë nga Bashkia e Durrësit përmes kompanisë që zotëron për shërbime kompjuterike, gjatë kohës që kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ. Deputetët demokratë e çuan çështjen në Këshillin e Imuniteteve dhe Mandateve të Kuvendit, ndërsa vetë Beqja u tregua i gatshëm të përballej me çdo instancë të Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pozicionin e tij që, sipas tij, nuk ishte në konflikt interesi me mandatin e deputetit. “Zoti Ilir Beqja është deputet i Kuvendit të RSH që prej datës 1 gusht 2009. Pjesëmarrja në procedurat e prokurimit dhe përfitimi i fondeve publike nga Bashkia Durrës u përkasin datave të mëvonshme. Pra, këto fonde janë përfituar nga zoti Beqja gjatë kohës që ky i fundit ka qenë deputet, duke rënë kështu në gjendje papajtueshmërie”, thuhet në kërkesën e Partisë Demokratike drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, papajtueshmëria lidhet me mandatin, dhe jo me ushtrimin e mandatit. Ndërsa për avokatin Genc Çifligu, Beqja e ka fituar mandatin më 25 shkurt 2010, kur selia rozë theu bojkotin për t’u betuar në Kuvend. Kjo, sipas tij, e çliron Beqjen nga akuza e shkeljes së detyrës.
Paulina Hoxha e PS në vend të Beqjes
Paulina Hoxha do të zëvendësojë deputetin Ilir Beqja në Grupin Parlamentar socialist. Paulina, pedagoge në universitetin “Luigj Gurakuqi”, ishte e pesta në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, ndërkohë që PS fitoi në ato zgjedhje katër mandate deputetësh. Pritet që ky zëvendësim të bëhet pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, veprim që zgjat edhe një muaj nga dita që merret nga nëntë anëtarët e saj. Ilir Beqja kryesonte listën e deputetëve të Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, ndërsa e vetmja kandidate femër në këtë qark që mund të pretendonte ishte e pesta, pas deputetëve Tom Doshi, Ndue Kola, biznesmen, e Astrit Beci, me profesionin mjek. Në Parlamentin shqiptar do të ketë tashmë dy deputete me emrin Paulina. Paulina Hoti është deputete e listës së Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, e cila do të ketë si antagoniste të saj socialiste pedagogen e Universitetit të Shkodrës, Paulina Hoxha. Në këtë mënyrë, kemi dhe një deputete femër më shumë në Parlamentin shqiptar, e cila do të jetë para provës nëse do të ketë zërin e saj, apo porositë partiake për të bërë politikë.
Etapat që çuan në heqjen e mandatit
• 25 shkurt 2010
Beqja bën betimin si deputet
• 30 shtator
Sokol Olldashi akuzon Beqjen për përfitime fondesh publike
• 4 tetor
deputetët e PD, kërkesë për verifikim mandati të deputetit socialist
• 15 tetor
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit vendos për përcjelljen e kërkesës në seancë plenare
• 21 tetor 2010
Kuvendi çon në Gjykatën Kushtetuese çështjen “Beqja”
• 23 dhjetor 2010
Kushtetuesja nis shqyrtimin e kërkesës së deputetëve të PD
• 16 qershor 2011
Gjykata Kushtetuese i heq mandatin deputetit socialist Beqja
Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PS, s’u hiqet mandati deputetëve të PD
Gjykata Kushtetuese ka pushuar çështjen e dërguar në këtë gjykatë nga Partia socialiste, që kishte lidhje me mandatin e deputetëve demokratë, të cilët nuk kishin dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre shtetërore dhe administrative. Burime pranë Gjykatës Kushtetuese pohuan se kërkesa e socialistëve është konsideruar abstrakte dhe e padiskutuar dhe debatuar më parë nga Këshilli i Imunitetit dhe Mandatit të Kuvendit. Sipas saj, kjo çështje ka ardhur në Gjykatën Kushtetuese pa kaluar më parë në Kuvend. Gjykata ka interpretuar dhe gjykuar vetëm kërkesën e bërë nga deputetët e PD-së për deputetin Beqja. Socialistët, në seancën e dëgjimit të palëve në Gjykatën Kushtetuese kërkuan interpretimin e neneve 69, 70, 71 dhe 72, që flasin për papajtueshmërinë e mandatit dhe për konfliktin e interesit. Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, në seancën e parë të shqyrtimit të kërkesës solli fakte rreth papajtueshmërisë së mandatit të rreth 20 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët nuk kanë dhënë dorëheqjen nga detyra që kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj, si kryetarë komunash dhe bashkish, si zv.ministra apo këshilltarë. Këtë deklaratë, përfaqësuesi i Partisë Socialiste e dokumentoi me pagesat e deputetëve që kanë marrë nga detyrat që kishin edhe pasi ishin mandatar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si deputetë.
ARISTIR LUMEZI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al