Një gjykatë në Romë urdhëroi të premten kthimin në Itali të grupit të vogël të migrantëve që u dërguan në kampet e pritjes të ngritura nga qeveria italiane në Shqipëri, duke i dhënë kështu një goditje të fortë planeve të kryeministres Giorgia Meloni për të dërguar jashtë vendit azilkërkuesit.
Seksioni i migracionit i Gjykatës së Romës e konsideroi të pavlefshme mbajtjen në kampin e Gjadrit të 10 shtetasve nga Bangladeshi dhe 6 të tjerëve nga Egjipti, dy vende të konsideruara jo të sigurta, nga një vendim i Gjykatës së Drejtësisë evropiane dy javë më parë.
Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në kampin e Gjadrit në Shqipëri, do të mbaheshin vetëm migrantë nga vende të konsideruara të sigurta, sipas një liste prej 22 shtetesh, të hartuar nga ministria e jashtme italiane.
Por vendimi i Gjykatës Europiane, i detyrueshm për zbatim në vendet anëtare, tkurr ndjeshëm numrin e vendeve që mund të konsiderohen të sigurta. Për pasojë, qeveria italiane mund të gjendet përballë faktit që kampi në Shqipëri të mbetet thuajse bosh.
Migrantët e parë mbërritën në Shqipëri, dy ditë më parë, me një anijë ushtarake italiane, pasi ishin kapur në det.
Katër prej tyre u kthyen pas, dy për shkak të problemeve shëndetësore dhe dy të tjerë pasi u deklaruan të ishin të mitur./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al