Gjykata Kushtetuese ka kërkuar në Parlament që të ketë pavarësi buxhetore nga Qeveria, por edhe nga Legjislativi.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit të ri të vitit 2025, Sekretari i Përgjithshëm i GJK, Eugen Papandile, u shpreh se Gjykata Kushtetuese si një nga institucionet kyçe të shtetit të së drejtës, ka nevojë për një pavarësi të plotë jo vetëm në vendimet e saj juridike, por edhe në burimet financiare. Sipas tij në këtë mënyrë për të shmangur çdo ndikim ose presion të jashtëm nga pushtetet e tjera.
Papandile ka përmendur gjatë mbledhjes së Komisionit te Ligjeve dhe rastet e Gjykatave Kushtetuese Europianë, dhe tha se gjatë takimeve me ta u është komunikuar se në asnjë rast kërkesat e tyre për financime nuk vihen në diskutim nga ligjvenesit.
“Më lejoni të hap këtë prezantim duke kujtuar se, pavarësia buxhetore është një komponent thelbësor për garantimin e funksionimit të saj të pavarur dhe të paanshëm në mbrojtje të Kushtetutës. Si një nga institucionet kyçe të shtetit të së drejtës, Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një pavarësi të plotë jo vetëm në vendimet e saj juridike, por edhe në burimet financiare, për të shmangur çdo ndikim ose presion të jashtëm nga pushtetet e tjera.
Nga takime e shumta që kemi patur me Kolegë të Gjykatave Kushtetuese Evropiane dhe jo vetëm, është evidentuar fakti se Qeveritë dhe Parlamentet e tyre, nuk venë asnjëherë në diskutim kërkesat buxhetore të Gjykatës, duke i marrë ato të mirëqena si kërkesa të bazuara në nevoja reale dhe që në asnjë rast nuk do mund të ishin të paarsyeshme dhe të pajustifikuara.
Nga ana tjetër, më duhet të pranoj se, të paktën në këto 2 vitet e fundit, ndryshe nga vitet e shkuara ku Gjykata Kushtetuese merrte një buxhet disa herë më të vogël, në raport me institucione e tjera të drejtësisë dhe ato të pavarura, gjërat janë përmirësuar dhe buxheti i saj ka ardhur në rritje si gjatë vitit 2024 ashtu dhe siç konstatojmë në projektbuxhetin e vitit 2025.
Mesa duket mesazhi ynë ka qenë i qartë pasi kërkesat tona buxhetore janë në përputhje me rritjen e kërkesave të ankimit kushtetues dhe plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me numrin e plotë të Gjyqtarëve Kushtetues.
Thënë këtë Buxheti i akorduar për Gjykatën Kushtetuese për vitin 2025 përgjithësisht është në përputhje më kërkesat e paraqitura nga institucioni ynë gjatë fazave të hartimit të Program Buxhetit Afatmesëm 2025-2027.
Gjithsesi, duam të sjellim në vëmendjen Tuaj, disa kërkesa shtesë në lidhje me fondet e akorduara në zërin shpenzime korrente, përkatësisht në zërin “Paga dhe Sigurime shoqërore”, si dhe në zërin “Shpenzime operative”- tha sekretari i Përgjithshëm i GJK.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al