Gjykata për Krimet e Rënda liron nga paraburgimi biznesmenin Ilir Karçini, i dënuar nga Shkalla e Parë me 5 vjet heqje lirie.
Ai është akuzuar nga Prokuroria si një nga të pandehurit e dosjes penale të njohur si “banda e tritolit”, ku ka porositur një vrasje, e cila nuk ka ndodhur. Karçini u arrestua më 1 shkurt 2014, pas dyshimeve se kishte porositur vrasjen e shtetasit P. B. te “killeri” Julian Sinanaj.
Një trup gjykues i Krimeve të Rënda urdhëroi ndryshimin e masës së sigurisë për të paraburgosurin Karçini, nga “arrest në burg” në atë të “arrestit shtëpiak”. Aktualisht çështja penale ndaj biznesmenit është në gjykim në Apelin e Krimeve të Rënda, ku ai ka kundërshtuar dënimin me 5 vjet burg, të dhënë nga Shkalla e Parë më 14 korrik të këtij viti. Burime pranë Gjykatës pohuan se kërkesa e Karçinit për zëvendësim të masës së sigurisë është bazuar në nenin 264, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, ku saktësohet:
“Kohëzgjatja e paraburgimit nuk mund të kalojë gjysmën e maksimales së dënimit të parashikuar për veprën penale që procedohet”. Ky mësohet se ka qenë argumenti bazë i mbrojtësit ligjor të Karçinit, sipas të cilit klienti i tij kishte vuajtur më shumë se gjysmë e dënimit prej 5 vitesh heqje lirie. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata ka vlerësuar se i pandehuri Karçini ndodhet në kushtet ligjore për zëvendë- simin e masës së sigurisë me një masë më të lehtë.
MOHIMI I AKUZËS
Në vendimin e 14 korrikut 2016, i pandehuri Ilir Karçini u deklarua fajtor për akuzën e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Procedimi penal ndaj tij nisi pas deklarimeve të dhëna nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Julian Sinanaj. Ky i fundit pretendoi se biznesmeni i kishte premtuar 120 mijë euro për kryerjen e një vrasjeje.
Gjatë gjithë gjykimit, i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Në vijimësi, që prej arrestimit, ai ka pohuar se nuk e njihte Julian Sinanajn dhe se nuk kishte pasur asnjë komunikim me të. Përfshirja e të pandehurit Karçini në eliminimin e P.B. u mohua në proces edhe nga i penduari tjetër i drejtësisë, Ndriçim Gjokona.
Në përfundim të procesit gjyqësor në ngarkim të shtatë të pandehurve të “bandës së tritolit”, Shkalla e Parë për Krimet e Rënda dha një dënim me burgim të përjetshëm dhe një total prej 85 vjet heqje lirie. Të pandehurit akuzoheshin se ishin përfshirë në role të ndryshme në porosi dhe kryerje vrasjesh me pagesë e atentateve me eksploziv si grup i strukturuar kriminal.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al