Tre shqiptarë janë ndaluar nga autoritetet italiane, pasi kanë plagosur me thikë një bashkatdhetar të tyrin.
Shqiptarët u identifikuan dhe u lanë në gjendje të lirë nga hetuesit. I dyshuari si autor i goditjes është një 23-vjeçar ndërsa dy personat e tjerë të përfshirë janë një 20-vjeçar dhe një 17-vjeçar.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në zonën e Riminit. I plagosuri ndodhej me një bashkatdhetar brenda një makine të parkuar buzë rrugës. Të dy po bisedonin me njëri-tjetrin kur papritmas u shfaqën tre bashkëkombës të tjerë të rinj dhe urdhëruan djemtë brenda kabinës së pasagjerëve të dilnin jashtë.
Sipas të gjitha gjasave, kur ata kanë refuzuar, njëri prej treshes ka thyer xhamin e shoferit dhe i armatosur me thikë ka goditur 25-vjeçarin që ishte në timon dhe më pas është larguar me vrap bashkë me të tjerët.
Shqiptari u shpëtua nga shoku i tij, i cili e dërgoi në urgjencë ku u kujdes nga mjekët të cilët për shkak të plagës, iu desh të operonin me urgjencë.
I riu i plagosur i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si fillim dyshohet për tentativë vrasjeje, por hetimet vijojnë për sqarimin e motivit që çoi në sulmin dhe identifikimin e çdo person tjetër që mori pjesë në ngjarje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al