Historia e fjalimit të famshëm të Ronald Reaganit në 1987, i cili ishte lajmëtari i parë i shembjes së Murit të Berlinit dy vjet më vonë, në Nëntor 1989. Në vitin 1987, Presidenti i SHBA, Ronald Reagan qëndroi para Murit të Berlinit dhe i lëshoi një sfidë Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkimit Sovjetik: “Zoti Gorbaçov, shembe këtë Mur!” Njeriu që e shkroi atë fjalim, Peter Robinson flet se si u krijua dhe vështirësitë që hasi
Peter M. Robinson
Kohë më parë, një producent televiziv shfaqi dëshirën të më intervistonte me rastin e një përvjetori të fjalimit që Presidenti Ronald Reagan mbajti përpara Murit të Berlinit, një fjalim që e kam shkruajtur unë. U takuam në Librarinë Presidenciale “Ronald Reagan” në Simi Valley, California me qëllim që intervista të filmohej duke patur në sfond dokumenta realë. Kisha shumë dëshirë të shihja dokumentat, pas shumë kohësh: dy draftet e mi të fjalimit si dhe shënimet dhe draftet alternativë që qarkullonin kur Departamenti i Shtetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë kishin dërguar me aq shumë përçmim dhe furi, ndaj asaj që unë kisha shkruar. Në fund të fundit, ky ishte qëllimi i librarive presidenciale, të ruanin të paprekur historinë e aspekteve të vegjël por shumë të rëndësishëm të administratave, dokumentat e të cilave mbajnë.
Nuk kisha fat. Ishin të pranishme dy dosje të trasha, secila me dhjetëra faqe, por ato ishin dokumenta që kish grumbulluar studiuesi që punoi bashkë me mua për fjalimin. Tregonin shumë gjëra për çfarë kish ndodhur – unë e kisha harruar që njëri nga ata të Këshillit të Sigurisë kish kundërshtuar kaq shumë disa faqe, saqë kish shkarravitur në mënyrë të përpiktë cdo fjalë. Por, dosja ime mungonte. “Nuk na u dërgua asnjëherë nga Shtëpia e Bardhë”, më tha një pjesëtar i stafit të librarisë.
Në amfiteatrin e vogël të librarisë, një çift të moshuarish po shihnin një film të shkurtër: Presidenti Reagan shfaqej në një platformë ngjyrë blu. Pas tij, përmes një dritareje mund të shihje Murin e Berlinit. Mbi të ngriheshin kolonat e Portës së Brandenburgut. Presidenti drejton nofullën. Flet me një zemërim të kontrolluar, por të sinqertë – pak çaste para se të mbante fjalimin, ai kishte mësuar se në Berlinin Lindor, në anën tjetër të Murit, një turmë ishte mbledhur për ta dëgjuar. Por policia i kishte shpërndarë me dhunë. Ai i shqipton me shumë kujdes fjalët që nxjerr, me qëllim që katër fjalët e tij të fundit të tingëllojnë si goditje çekani: “Z. Gorbaçov, rrëzoje këtë Mur!”
Puna ime me atë fjalim ka qenë më e spikatura e të gjithë karrierës time profesioniste. Mu desh një betejë monumentale për të mbërritur deri në momentin kur Presidenti Reagan mund të shqiptonte ato fjalë, që tingëllonin imagjinare edhe në kohën që i shkruajta – fjalë që u shndërruan lavdishëm në realitet pas dy vitesh e gjysmë (ndonëse nuk ishte Gorbaçovi që e shembi). Fjalimi në Murin e Berlinit është vetëm njëri prej dhjetërave që ka mbajtur Reagani – fjalimi në Westminster, fjalimi për “Perandorinë e së Keqes”, fjalimi në Universitetin Shtetëror të Moskës. Por historianët do të kenë vështirësi në saktësimin e historisë së fjalimit në Murin e Berlinit, dhe jo vetëm sepse dokumentat janë zhdukur. Që kur u shemb Muri, njerëzit që ishin në qeveri dhe pranë saj në atë kohë kanë kërkuar të kenë meritën në një pjesë apo fjalimin e plotë. Në Evropë, shumë artikuj ia kanë atribuar John Kornblumit, një zyrtar karriere në shërbimin e jashtëm, i cili në fakt qe totalisht kundër tij.
Nuk e shkruajti Kornblumi. Dhe në disa drejtime shumë të rëndësishëm, nuk e shkruajta as unë.
Fraza kyç erdhi në fakt nga një grua që takova gjatë një darke, dhe fraza mbeti në fjalim vetëm për meritë të Ronald Reaganit.
Në maj të vitit 1987, kur mu ngarkua detyra e hartimit të fjalimit, Mbretëresha Elisabetë kish vizituar tashmë Berlinin me rastin e 750 vjetorit të tij, dhe pritej që pas pak ditësh ta vizitonte edhe Gorbaçovi. Në Uashington më kishin thënë vetëm se Presidenti do të mbante fjalimin përpara Murit të Berlinit dhe se pritej që ai të fliste për afro 30 minuta. Në Berlin, bashkë me ekipin e Shtëpisë së Bardhë më nevojitej material, dhe unë e kisha gati kompjuterin portativ kur takova Kornblumin, diplomatin amerikan në qytet.
Kornblumi, një njeri truplidhur me syze mu shfaq i paduruar. Fliste me shpejtësi. Shihte vazhdimisht lart, a thua kërkonte në dhomë një pjesëtar më të rëndësishëm të ekipit me të cilin duhej të fliste. Komentet e tij ishin pak a shumë këta: “Berlini është më i majti nga të gjithë qytetet gjermano- perëndimorë. Ji i sofistikuar. Mos lejo që Reagani të sulmojë sovjetikët. Mos përmend Murin. Berlinezët janë mësuar me të. Përmend përpjekjet e amerikanëve për të bindur gjermano-lindorët që të lejojnë më shumë rrugë ajrore drejt Berlinit Perëndimor. Flit për mbështetjen e amerikanëve, që Berlini Perëndimor të organizojë Olimpiadën”.
Këtu në Berlin, ku konflikti mes botës komuniste dhe perëndimit ishte më i dukshëm, Kornblumi po më thoshte se Reagani duhej të fliste vetëm për disa nisma të vogla diplomatike.
Atë mbrëmje darkova me një grup berlinezësh perëndimorë në shtëpinë e Dieter Elzit, një zyrtar i Bankës Botërore tashmë në pension. Isha i vetmi amerikan i pranishëm, dhe duke patur në mendje atë që më kish thënë Kornblumi, u thashë: “A është e vërtetë? Jeni mësuar me Murin?”
Pati disa çaste heshtje totale. Ata panë në sy njëri- tjetrin, sikur të donin të vendosnin se kush do të fliste i pari. Më pas, foli një burrë. “Ime motër jeton 20 milje në atë drejtim”, më tha, duke treguar me krahun e shtrirë. “Por unë kam më shumë se dy dekada që nuk e kam parë. Mendon se mund të mësohem me këtë gjë?” Më pas foli një tjetër. Rrugës për në punë, më shpjegoi, kalonte nga një kullë rojash. I njëjti ushtar e shihte me dylbi çdo mëngjes. “Ai flet të njëjtën gjuhë si unë. Ndajmë të njëjtën histori. Por njëri nga ne është kafshë, tjetri një rojë në kopshtin zoologjik, dhe unë nuk jam asnjëherë i sigurtë se kush është kush”.
Zonja e shtëpisë, Frau Elz ndërhyri menjëherë. Ajo qe një grua shumë e këndshme, në mesin e të pesëdhjetave, por qe shumë e zemëruar në ato momente. Mblodhi grusht njërën dorë dhe e përplasi në pëllëmbën e dorës tjetër. “Nëse ky njeri, Gorbaçovi, e ka seriozisht kur flet për glaznostin dhe perestrojkën, le ta vërtetojë. Të heqë qafe Murin”.
Kur u ktheva në zyrë, përshtata fjalët e frau Elzit për Gorbaçovin, duke i shndërruar në pasazhin qëndror të fjalimit. Dy javë më vonë, pas dy drafteve, ne që shkruanim fjalimet u mblodhëm me Presidentin Reagan në Zyrën Ovale. Tom Griscom, drejtor i departamentit të komunikimit pyeti presidentin në lidhje me komentet e tij për fjalimin në Berlin. Presidenti tha thjeshtë se i pëlqente. Griscom ma bëri me kokë.
“Z. President”, i thashë, “mësova në Gjermani se fjalimi juaj do të dëgjohet në radio në të gjithë Gjermaninë Lindore. Në varësi të kushteve të motit, mund të dëgjohet madje deri në Moskë. A ka ndonjë gjë që dëshironi t’u thoni njerëzve përtej Murit të Berlinit?”
“Eshtë ai pasazhi për shembjen e Murit”, tha Regan. “Muri duhet të bjerë. Këtë dua të them”.
Fjalimi u qarkullua në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, 3 javë para se të mbahej. Për tre javë, u luftua në të dy këto institucione. Ata argumentuan se qe i ashpër. Pretenduan se ishte provokues. Vlerësuan se pasazhi për Murin kulminonte në një hile zemërgur, një që do të rriste më kot shpresat e berlinezëve. Pati telefonata, memorandume dhe takime. Ata paraqitën draftet e tyre – me sa mbaj mend, ishin shtatë – një prej të cilëve u hartua nga Kornblumi. Në secilin prej tyre mungonte thirrja drejtuar Gorbaçovit për të shembur Murin.
Kjo gjë i shkaktoi një problem Tom Griscomit. Nga njëra anë, ai kishte objeksione për fjalimin nga thuajse i gjithë aparati i politikës së jashtme në qeverinë e SHBA. Nga ana tjetër, kishte Ronald Reaganin. Presidentit i pëlqeu fjalimi. Griscomi e kish dëgjuar me veshët e tij. Presidentit i pëlqente në mënyrë të veçantë ai pasazhi ku flitej për shembjen e Murit, pikërisht ajo pjesë e fjalimit të cilës i kundërviheshin më me zell ekspertët e politikës së jashtme. Nëse ai pasazh hiqej, do të ishte detyrë e Griscomit t’ia shpjegonte përsenë Presidentit.
Javën para nisjes së Reaganit, beteja arriti kulmin. Sa herë që Departamenti i Shtetit apo KSK nxirrte një objeksion të ri për fjalimin, Griscomi më thërriste në zyrën e tij, ku më kërkonte që t’i përsërisja edhe njëherë përse isha i bindur që Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare gaboheshin për fjalimin, ashtu si e kisha shkruajtur unë. (Në një prej këtyre rasteve, Colin Powell, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare po më priste në zyrën e Griscomit. I qëndrova bindjes aq fort sa munda). Dukej qartë se Griscomi po priste për një kundërshtim, që do të ishte bindës edhe për Ronald Reaganin. Nuk e dëgjoi asnjëherë. Kur Presidenti u nis për në samitin e Venecias, mori me vete fjalimin që kisha shkruajtur unë.
Edhe në mëngjesin kur Air Force One u nis nga Venecia për në Berlin, Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare bënë edhe një përpjekje të fundit për të bllokuar fjalimin, duke dërguar edhe një tjetër draft alternativ. Griscomi vendosi të mos e dërgojë në kabinën e presidentit. Disa orë pas uljes së Air Force One në Berlin, Reagani mbajti fjalimin e famshëm.
Ekziston një shkollë mendimi, sipas të cilës Ronald Reagani arrinte të dukej mirë vetëm sepse kishte shkrimtarë të zgjuar në krahun e tij. (Ndoshta eksponenti kryesor është ish kolegia ime Peggy Noonan, e cila ndërsa ishte ende fjalmishkruese e Reaganit u shfaq në një artikull reviste nën një titull që thoshte pikërisht këtë gjë: “Gruaja që vendos fjalët në gojën e Presidentit”). Ka një problem themelor ky lloj opinioni. Jimmy Carter, Walter Mondale, George Bush dhe Bob Dole kishin fjalimshkrues shumë të mencur. Përse asnjëri prej tyre nuk ishte Komunikuesi i Madh?
Sepse ne, fjalimshkruesit nuk po krijonim Reaganin; ne po “rrëmbenim prej tij”. Politikat e Ronald Reaganit ishin të drejtpërdrejta – ai kish dekada që i artikulonte. Kur Departamenti i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare nisën të përpiqen të bllokojnë draftin tim, ata dobësuan kauzën e tyre. Drafteve të tyre u mungonte guximi. Nuk përçonin asnjë ndjesi bindjeje. Ata nuk kishin “vjedhur” ashtu si unë, nga Frau Elz – dhe nga Ronald Reagani.
/The Atlantic/ Përgatiti: www.bota.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al