Greqia nuk jep miratimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa betimin e Belerit, Tabaku: Mos i jepni më justifikime qeverisë! Kemi 10 vite në lojën me kungulleshka

Nov 30, 2023 | 14:11
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar qëndrimet e Greqisë në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku ka deklaruar hapur se nuk do të mbështesin integrimin nëse kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, nuk betohet dhe nuk vazhdon detyrën e tij.

jorida tabaku

Lidhur me këtë qëndrim, Tabaku shprehet se “mos hapja e kapitujve në dhjetor prej problemeve të ngritura nga Greqia mendoj që është vendimi i gabuar prej nxitimit”.

Ndër të tjera, Tabaku shprehet se një Shqipëri brenda Bashkimit Europian është një mundësi më e mirë për të gjithë në zbatimin e Sundimit të Ligjit, drejtësisë së paanë dhe përgjegjshmërisë së një klase politike që nuk ka si t’i përdorë më mjetet e pushtetit për të deformuar demokracinë.

Reagimi i plotë

Koha është që të hapen kapitujt e parë e te nisin realisht negociatat me BE!

Kemi 10 vite në lojën me kungulleshka! U hap apo nuk u hap negocimi i kapitujve. Dhe realisht mesi i dhjetorit është momenti kur merret vendimi përfundimtar për këtë.

Të gjithë e njohim realitetin dhe e dimë se sot Shqipëria është një nga vendet që ka probleme të thella në shumë fusha ashtu si paraqitej dhe në progres raport. Këto probleme në dhjetë vite janë akumuluar më me shpejtësi e të reja kanë dalë e janë shfaqur ndërkohë që procesi i integrimit është përdorur për retorikën e përditshme dhe si një imazh i bukur apo dhe si viktimizim i qeverisë që u jepet liderëve në samite.

Por, ndërkohë që shqetësimet rriten e akumulohen mos hapja e kapitujve në dhjetor prej problemeve të ngritura nga Greqia mendoj që është vendimi i gabuar prej nxitimit.

Sot, më shumë se kurrë ne duhet ta përdorim procesin e integrimit për të ndryshuar së brendshmi. Pasi problemet me zgjedhjet, blerjen e votës, financimin e partive politike ashtu si shkruhet dhe në vendimin e këshillit të mars 2020 dhe në rezolutën e parlamentit gjerman nuk do ta ikin vetë. Përkundrazi, do të përkeqësohen nëse Shqipëria nuk lejohet të avancojë në këtë rrugë.

E drejtë, vendi qeveriset përmes një forme të miksuar të demokracisë me autokracinë me pushtet të përqëndruar, kuvendi përdoret për të sulmuar kundërshtarët e jo si platformë debati e idesh për te miratuar reforma dhe forca e ligjit përdoret për të heshtur edhe mediat.

Por, sikundër jam e qartë me situatën dhe vokale për të gjitha problemet, kam bindjen e thellë dhe të sinqertë se nuk mund të kemi përmirësim nëse Shqipëria mbetet jashtë proceseve integruese. Katër vite më parë Bundestagu Gjerman hartoi një set prej 15 parakushtesh që sot e kësaj dite nuk janë përmbushur tërësisht dhe që nuk mund të përmbushen plotësisht nëse Shqipëria nuk ka një dritë jeshile.

Të gjithë e dimë që procesi integrimit është në vetvete një proces transformimi që i shërben Shqipërisë për të ndërtuar pikërisht atë shtet të së drejtës dhe demokratik që kërkojmë ne si shqiptarë e jo vetëm se e duan të tjerët.

Por, të gjitha këto nuk do të ndodhin nëse Shqipërisë i mohohet nisja reale e negociatave. Veçse do t’i jepet qeverisë një tjetër alibi në gjerdanin e pafundëm të justifikimeve të pabaza që janë sebepi më i mirë i atyre që demokracinë duan të përthyejnë sipër interesit. Në këtë rast justifikimi për “dasmën” e pandodhur do t’i vishet Greqisë ndërsa një tis nacionalizmi i pandershëm nga krahu jonë do të mbështjellë qeverinë.

Prandaj duhet të dalim nga ky pellgu 10 vjeçar i dhënies së alibive një qeverie që i kërkon ato me lupë për çdo mundësi. Sidomos në kushtet e sotme kur vatrat e ndezura i japin një tjetër formë jo vetëm zgjerimit të BE por mbi të gjitha luftës kundër korrupsionit që është një nga plagët e mëdha që kjo qeveri i ka dhuruar shqiptarëve.

Një Shqipëri brenda Bashkimit Europian është një mundësi më e mirë për të gjithë në zbatimin e Sundimit të Ligjit, drejtësisë së paanë dhe përgjegjshmërisë së një klase politike që nuk ka si t’i përdorë më mjetet e pushtetit për të deformuar demokracinë. Kjo, është ëndrra e vërtetë e atyre që sot qeverisin Shqipërinë dhe ne duhet bëjmë çmos të mos e lejojmë!

Prandaj kujtdo që ka një vendimarrje a thënie në këtë proces, dhe kolegëve grekë që kanë ngritur shqetësime, që mund të ngriheshin për cdo cështje tjetër pervec asaj që i kanë ngritur në fakt, mos i jepni më justifikime qeverisë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura