NGA BEN ANDONI
Paradoksi më i madh në këto ditë ishte sesi një lajm i madh, që lidhej me hapjen e kapitullit të parë në negociatat e anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë më 15 tetor, ka kaluar pa asnjë lloj jehone. Në vend të saj, lajmi i dhënë prej Kryeministrit Rama për krijimin e asaj që u konsiderua si “Vatikani i Bektashinjve”(!) dhe burgosja e një deputeti opozitar mori të gjithë vëmendjen e duhur dhe madje, edhe shumë përtej saj. Në kronika, vendin kryesor e merrte një masë e madhe njerëzish që përcillnin në burg deputetin, i cili pranoi vetë vuajtjen e dënimit, pas gjetjes fajtor nga Drejtësia. Hapësira tjetër lidhej me takimet e Kryeministrit Rama në Nju Jork. Ndërsa pak ditë më parë parlamenti shqiptar e sfidoi Gjykatën Kushtetuese, duke mos ia pranuar kërkesën për mandatin e deputetes Xhaçka, të njëjtët njerëz, të njëjtat media e kaluan fare “normalisht”. Kuptohet, që me të drejtë u cilësua si puç ndaj Kushtetueses nga opozitarët e PD-së, por lajmi kaloi fare normalisht. Për ta ndihu edhe ndihma e kryetares së Kuvendit me deputetët e PS-së, që dukshëm mbrojtjen e shefit të partisë të ish-ministres, e përcollën si çështje nën interpretimin e Komisionit të Venecias!
A kemi një lloj bindje të tepruar për realitetin ku jetojmë? A janë vetë njerëzit e politikës të parët, që ushqejnë dhe ato që shefat e tyre, as nuk i çojnë ndërmend? A do t’ia vlejë mosbindja civile, që kumtohet tani, për të arritur qëllimin dhe të mos përsëriten këto situata? Vështirë ta thuash. Duke njohur gjenezën e transformimit të PPSH-së në PS dhe “ngritjen” nga hiçi të PD-së, një gjë e merr lehtë me mend: individët e partive, njerëzit e thjeshtë, në çdo mënyrë i japin ushqim kësaj status quo-je, ku ndodhet Shqipëria. Dhe, autoritarizmi duket se ka qenë aty, është zbutur përgjatë viteve të idealizmit të pak njerëzve në post demokraci dhe është rikthyer sërish. Bota po e ndjen dihatjen e saj, sesi po i afrohet me diskursin e kandidatit për president në SHBA, Trump, kurse Shqipëria e vogël dhe e papërfillshme me pushtetin e pamasë të Ramës dhe mëtimet për kryeministër të kryeopozitarit Berisha. Të gjithë të tjerët mbeten shtojca dhe veprojnë sipas vullneteve të tyre të papërfillshme. Më keq akoma, jetojnë (më mirë të themi po jetojmë kohën e një gënjeshtre të madhe), ku flitet në çdo kohë dhe nga cilido për demokraci në pamundësitë gjithnjë e më të mëdha për ta ushtruar atë si duhet.
Historiani Timothy D. Snyder e shpjegoi në një mënyrë origjinale këtë fenomen. Koncepti i tij për “bindjen paraparëse” të bën të mendosh thellë se ku jemi në këto kohë. Kurse në formën e një postulati togfjalëshi është tashmë në shumë manuale, që e paralajmërojnë demokracinë: “Pjesa më e madhe e fuqisë së autoritarizmit jepet lirisht. Në kohë si këto, individët mendojnë përpara se çfarë do të dëshirojë një qeveri më represive dhe më pas ofrojnë veten qoftë edhe pa u pyetur. Një qytetar që përshtatet në këtë mënyrë i mëson pushtetit se çfarë mund të bëjë”.
Në vitin 1978, në një ese të titulluar “Fuqia e të pafuqishmëve” (përkthyer në anglisht si “The Power of the Powerless”), që duket ka përmasat e një pamfleti politik shpjegoi formën që do të merrnin me kalimin e kohës shoqëritë post-totalitare. Përveç rastit të Solzhenicinit, ai solli në të njëjtin shkrim një parabolë jetësore, ku një shitës perimesh vendosi në dyqanin e tij sloganin: “Proletarë të gjithë botës, bashkohuni”! Nëse nuk do ta vendoste në vitrinat e tij, shkroi Havel, kjo shenjë mund të merrej si një lloj sfide ndaj regjimit, por ai e bën me shumë vendosmëri, që ta lenë rehat, në gjuhën e popullit. Në interpretimin e Havel: shenja nuk bëhet thjesht simbol i entuziazmit të tij për regjimin, por një simbol i nënshtrimit ndaj tij dhe i poshtërimit po prej tij. Kritikët e konsideruan atë ide të Havelit si motiv për të treguar kontradiktat midis “qëllimeve të jetës” dhe “qëllimeve të sistemeve”, pra midis individit dhe shtetit, në një shoqëri që sot bëhet gjithnjë e më shumë autokrate. Kuptohet se një personazh i tillë i ditëve tona, ngjashëm me grosistin, i duhet të jetojë në anonimatin brenda sistemit, ku ai është veçse një numëror i heshtur dhe i bindur, thjesht që të fshehë atë që beson dhe më pas ta lënë të qetë.
Në kohën tonë, kjo duket edhe më e hidhur. Në shumë protesta të PD-së në vitet e fundit, paradoksi ka qenë se ndërsa mobilizimi i pak syresh ka qenë deri edhe shumë larg pritshmërive, njerëzit e tjerë, i kundronin të gjitha nga kafeteritë e shumta te Blloku të patrazuar. Vetë, individët e PD-së që pak metra me tutje kanë marrë mundësinë të flasin në podiume, më shumë kanë shprehur bindjen ndaj Berishës, sesa kanë shpalosur diçka ndryshe, paçka se ne e dimë sesa e vështirë është meritokracia në këtë formacion. Kënaqësia për t’u përshtatur me konformizmin nën pushtetin në rastin e parë për të treguar se janë fare mirë dhe në rastin e dytë për t’u pëlqyer drejtuesve eprorë ishte gati e njëjta. Rasti i PS-së është tashmë më i hidhur me gatishmërinë e një brezi fare të ri, që ka mentalitet po aq të vjetër sa paraardhësit dhe që i blatojnë lavde apoteoze Ramës, apo të tjerët, që prej kohësh nuk arrijnë as të pëshpëritin ndonjë arsye pse shqiptarët ikin në këtë masë: përveç asaj që thotë shefi: E gjithë Evropa po ikën. Sërish, i thërrasim në ndihmë Havelit: “Nëse të gjithë po marrin pjesë në bindjen paraparëse, të tjerët e ndjekin”. Dhe, pastaj na fal postulatin e tij: “Individët që e konfirmojnë sistemin, përmbushin sistemin, bëjnë sistemin, janë vetë sistemi”. Ne e kemi krijuar të gjithë këtë sistem, që opozita i thotë regjim.
Po pse vallë nënshtrohemi kështu edhe në shekullin XXI? Pse nuk mësuam nga komunizmi dhe fashizmi (bashkëpunëtorët tanë që tani jo pak herë po na shndërrohen si heronj), pse nuk po mësojmë nga fuqia e autokratëve, pse i ushqejmë? “Nënshtrimi për shkak të pritshmërisë nënkupt on, instinktin e menjëhershëm që i vjen dikujt, pa e menduar gjatë, ndaj një situate të re”, shpjegon Snyder. Rasti tek ne ndodh qysh me adoleshentët, që ende pa gëzuar jetën përshtaten me militantizmin partiak dhe pranojnë të përdoren. Rinorët e PL-së, PD-së dhe PS-së janë shembulli më i mirë i vetë përdorjes me qëllim, pa ditur ende motivin. Rasti tjetër është sesi nëpunës e zyrtarë të ndryshëm, thjesht për të qenë më të mirët para syve të shefave të tyre, u dalin përpara vendimeve të parapritshme të shefave. Historia e drejtimit të ekzekutivit të PS-së është e mbushur me raste të tilla. Jo më kot, brenda bunkerizimit të partive kryesore, duhet të japësh shembull që do të bindesh dhe pastaj të thirresh nën armë.
Mbase shembujt që jep Snyder në esenë e tij me Trupat SS, që i eksperimentuan dhe i ofruar mënyrat e ekzekutimeve masive pa ia kërkuar Hitleri, shkon me faktin sesi në Shqipëri u bë në Socializëm, ku eksperimentet e iniciuara nga aparatçikët që u bënë ndaj fshatarëve fillimisht dhe pastaj me punëtorët “kaluan” dhe vetë pritshmërinë e shefave komunistë.
Qytetari që jeton brenda një sistemi të tillë dhe që kontribuon duke e jetuar një gënjeshtër dhe duke mos folur tashmë për atë që beson apo thjesht që do të donte ta linin të qetë, është ai që e dëmton demokracinë, shpjegonte Haveli. Fabula e “Petkave të reja të perandorit” nuk duhet të ketë hapësirë në një vend aq të vuajtur sa yni dhe për fat të keq ende tejet të prapambetur. Të mos harrojmë edhe prapambetjen e frikshme ideore: Eseja e Havelit u shkrua në vitin 1978! Kurse grosisti i tij mbetet shembulli i paqtimit të shqiptarit të sotëm me mediokritetin brutal të politikës, që nuk i bën përshtypje integrimi evropian (akt i madh pas 34 vitesh mundimi dhe ëndrre të shqiptarëve: “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”), por thjesht përshtatja në një rehati, që e kthen në mbajtësin e kësaj status quoje, që me sa duket nuk ndryshon dot.
(Homo Albanicus)
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al