Mbetet mister për hetuesit se kush e vrau Rezart Arshiajn, i njohur edhe si Beni, si edhe arsyet pse ai u ekzekutua në oborrin e banesës së tij.
Vrasja ndodhi në Piza mbrëmjen e së dielës pak pas orës 21:00, ku autorët iu bënë pritë në banesë 37-vjeçarit dhe në momentin që ai mbërrit në oborr, e qëlluan brenda furgonit me dy plumba në kokë dhe 3 në trup. Më pas, ekzekutorët, që mendohet se janë 2, u larguan me motoçikletë.
Fqinji ishte i pari që shkoi me vrap. Më pas gruaja e tij, Ina Hysa dhe djali i tyre 9-vjeçar, të cilët e gjetën 37-vjeçarin të vdekur brenda furgonit.
Gruaja u dërgua në spital, ndërsa djali i viktimës dhe motra e tij 5-vjeçare shkuan te një i afërm.
37-vjeçari punonte si murator dhe kopshtar në Itali dhe ishte baba i dy fëmijëve.
Hetuesit po ndërtojnë dinamika e krimit që tronditi komunitetin.
Ata që e njihnin Ben Arishajn e përshkruajnë si një punëtor që kujdesej për familjen e tij. Të dielën, disa orë para se të ekzekutohej, ai kishte qenë me gruan dhe fëmijët duke ngrënë në një restorant fast-food.
Pastaj dërgoi furgonin për ta larë dhe shkoi të punonte te një i afërm. Në orën 21:00 u kthye në shtëpi për darkë, por e vranë me gjakftohtësi.
Nuk ka kamera sigurie në zonë. Por, policia gjeti një kamera sigurie private në via Calatafimi, e cila mund të kishte filmuar skuterin dhe autorët. Por, çuditërisht, pajisja elektronike ishte jashtë funksionit në momentin e krimit dhe filloi të regjistronte sërish në orën 22:00, një orë pas vrasjes.
Pronari i kamerës shpjegon: “Ajo regjistroi të premten dhe të shtunën, por të dielën nuk ka regjistruar deri në orën 22:00. Mendova se dikush e ka sabotuar”.
Tashmë policia po kryen hetimet në lidhje me rastin dhe nëse janë të përfshirë autorët e krimit.
Policia ka sekuestruar edhe celularin e viktimës për të kuptuar nëse mund të kishte ndonjë të dhënë: brenda celularit mund të ishte çelësi i asaj që aktualisht mbetet mister.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al