Guardiola: Arsenali rivali ynë më i madh, De Bryjne ka shanse

Sep 22, 2024 | 12:41
SHPËRNDAJE

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, vlerëson edhe njëherë rivalin e kampionëve të tij këtë të diel, Arsenalin, që është kthyer në skuadrën që po e bezdis më shumë ekipin e tij të paktën gjatë dy sezoneve të fundit.

guardiola

Tekniku katalanas skuadra e të cilit është e vetmja me pikë të plota në Premier Ligë pas katër javëve të para, tha për djemtë e Artetës: “Ka qenë gjithmonë një ndeshje e ngushtë në vitet e fundit. Unë mendoj se ne jemi një ekip i mirë, por edhe ata janë të mirë. Ata bëjnë shumë gjëra të mira, ata janë një ekip i kompletuar, prandaj ata ishin rivalët tanë më të mëdhenj në dy sezonet e fundit. Në këtë fazë të hershme të sezonit, asgjë më shumë se atmosfera për ndeshjen e ardhshme nuk ka rëndësi. Për sa i përket tabelës, nuk është shumë e rëndësishme. Do të jetë e rëndësishme kur të shkojmë në Londër në gjysmën e dytë të sezonin. Ata bëhen më të fortë çdo sezon. Cili është sekreti i tyre? Mund të pyesni Mikel Artetën, sepse nëse unë them diçka ata do të thonë se unë po luaja lojëra mendjesh apo diçka të tillë. Unë nuk e bëj këtë, sepse nuk jam i zoti. Unë kam pasur gjithnjë një opinion superlativ për të dhe skuadrën e tij. Në të dy sezonet e fundit ata kanë qenë pranë titullit, por të tillë kemi qenë edhe ne dhe vazhdojmë të jemi”.

Një lajm që shqetëson kampin e “Qytetarëve” pas ndeshjes me Interin në Champions ishte dëmtimi muskulor i Kevin de Bryjnes. Por mesa duket mesfushori belg, i cili la fushën pas pjesës së parë, nuk duket se ka asgjë serioze dhe mund të jetë në dispozicion të skuadrës deri ditën e diel. “Ai ndihet pak më mirë sot (të premten). Nesër (sot) do të stërvitemi dhe do të shohim. Ai mund të jetë i përfshirë”. Rodri tha përpara ndeshjes me Interin se kalendari i ngjeshur është një problem dhe lojtarët mund ta gjejnë zgjidhjen te greva, ndërsa Pep tha në lidhje me këtë temë: “Nëse diçka do të ndryshojë ajo do të vijë nga lojtarët. Ata janë të vetmit që mund të ndryshojnë diçka. Ky biznes mund të ekzistojë pa trajnerët, drejtorët sportivë, mediat, pronarët, por pa lojtarët nuk mund të luash dot. Ata të vetëm kanë fuqinë për ta bërë këtë”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura