Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë Robert Holzmann, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë, ku u prit nga Guvernatori Gent Sejko. Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Kombëtare të Austrisë.
Në nisje të këtij takimi Guvernatori Gent Sejko falënderoi Guvernatorin Holzmann për vizitën dhe vlerësoi marrëdhënien historike mes dy vendeve, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Guvernatori Sejko theksoi se dëshmi e kësaj lidhje të fortë mes dy vendeve janë investimet e huaja direkte të Austrisë të cilat përfaqësojnë rreth 6% të totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, me një kontribut të dukshëm në sektorin financiar.
Gjatë këtij takimi Guvernatori Sejko vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Austria në procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, dhe u shpreh besimplotë se bashkëpunimi ekonomik dhe teknik midis dy vendeve mund të zhvillohet edhe më tej.
Guvernatori Sejko e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit makroekonomike në vend, reformat e ndërmarra, si edhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim. Guvernatori Sejko theksoi se pavarësisht situatave sfiduese me të cilat është përballur, ekonomia shqiptare qëndron në një trajektore pozitive zhvillimi, ku vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, por pritet të kthehet gradualisht në objektivin e Bankës se Shqipërisë gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, bilancet financiare të sektorit privat dhe të sektorit bankar janë të shëndetshme. Së fundmi vihet re dhe një përmirësim në balancën e sektorit të jashtëm ku niveli i borxhit të jashtëm është ne nivelet më të ulëta të dekadës.
Duke u ndalur në veçanti në zhvillimet e sektorit bankar Guvernatori Sejko theksoi se ky sektor karakterizohet nga bilance financiare likuide dhe të mirëkapitalizuara si dhe ka një rezistencë të lartë ndaj goditjeve potenciale. Sektori bankar po furnizon gjithnjë e më shumë me kredi ekonominë shqiptare. Kredia për sektorin privat ka shënuar në vazhdimësi rritje, ritmi i së cilës kulmoi në 16.8% në muajin gusht, duke qene në nivelet më të larta të më shumë se një dekade.
Ky përshpejtim i rritjes se kreditimit është një tregues i rëndësishëm i kontributit qe jep sektori bankar në zgjerimin e aktivitetit ekonomik te vendit. Gjithashtu falë reformave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë vërehet një përmirësim i cilësisë së portofolit të kredisë, ku raporti i kredive me probleme është në nivelet më të ulëta historike. Guvernatori theksoi se këto zhvillime në tërësi janë pasqyrim i politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, si dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të sektorit bankar.
Euroizimi i ekonomisë shqiptare dhe sistemit të saj financiar dhe sfidat qe ai sjell, ishte një tjetër çështje e diskutuar gjatë këtij takimi. Guvernatori Sejko u shpreh se euroizimi i sistemit financiar ka ndikim të rëndësishëm mbi efektivitetin e politikave ekonomike, dhe për këtë qëllim Banka e Shqipërisë në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash që synojnë zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare. Rezultatet e deritanishme kanë qenë inkurajuese, ku konstatohet një rritje e peshës së kredisë në lekë.
Duke u ndalur në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimit Evropian, Guvernatori Sejko theksoi se një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë është modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA. Ne këtë drejtim Banka e Shqipërisë, ka përmbushur me sukses të gjitha kërkesat ligjore e rregullatore dhe në qershor të 2024 finalizoi procesin e aplikimit. Paralelisht po punohet edhe me projektin e pagesave të shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane.
Dy Guvernatorët nënvizuan se pjesa më e madhe e vendeve në rajon, përshirë Shqipërinë, janë të lidhura ekonomikisht me Eurozonën dhe financiarisht janë të ekspozuara ndaj saj. Ciklet ekonomike janë të sinkronizuara me ato të Eurozonës dhe sistemet financiare kanë një shkallë të lartë integrimi dhe varësie nga politikat monetare, mbikëqyrëse e rregullatore të ndjekura në Eurozonë.
Gjatë takimit të pranishmit diskutuan dhe mbi planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe rëndësia që ka implementimi tij në procesin e integrimit evropian të vendit. Guvernatori Sejko njohu homologun e tij me vrojtimet që kryen Banka e Shqipërisë drejtuar bizneseve, konsumatorëve dhe bankave, të cilat kanë si qëllim t’i vijnë në ndihmë procesit të njohjes dhe vlerësimit të aspekteve të ndryshme ekonomike të agjentëve të ndryshëm në ekonomi. Të tjera çështje të prekura ishin edhe ndikimi i luftës në Ukrainë në ekonominë vendase dhe adoptimi i sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Banka e Shqipërisë organizoi gjithashtu një tryezë me përfaqësues të sistemit bankar dhe drejtues të lartë të Bankës së Shqipërisë, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike, inflacioni në rajon dhe BE, si dhe çështje të tjera me rëndësi për sistemin bankar si masat mbikëqyrëse dhe rregullatore të vendosura nga Banka Qendrore Evropiane dhe modernizimi i sistemeve të pagesave.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim z. Holzmann vlerësoi pozitivisht rolin dhe politikën dhe kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë çka ka mundësuar që Shqipëria të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon.
Holzmann gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra prej saj në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit. Guvernatori austriak, i cili vjen nga një vend ku turizmi është thelbësor, theksoi rëndësinë e përqendrimit të vëmendjes drejt turizmit te qëndrueshëm. Turizmi i qëndrueshëm jo vetëm që sjell përfitime për mjedisin, por gjithashtu përforcon komunitetet vendase dhe siguron rritjen ekonomike afatgjatë.
Së fundi, të dy guvernatorët iu përgjigjën interesit të të pranishmëve mbi çështje të trajtuara gjatë takimit dhe sfidat aktuale të bankave qendrore përkatëse. Kjo është vizita e parë zyrtare e Guvernatorit Holzmann në Shqipëri.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al