Hakerat e “Homeland Justice”, të cilët një ditë më parë kanë sulmuar faqen e Instituti të Statistikave, kanë reaguar duke njoftuar se kanë akses në të gjitha të dhënat e INSTAT, përfshirë dhe ato të censit.
Grupi shkruan se ka arritur të marrë 100 terabajt të dhëna, ku përfshihen edhe të dhënat e censit, që sipas tyre janë kopjuar dhe hequr nga serverët.
“Instat është fshehtësi më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave tuaja GIS dhe censit. Të dhënat gjithashtu janë kopjuar dhe hequr nga serverët. Do ta kthejmë Drejtësinë në Atdheun tonë. Të gjitha statistikat janë kundër jush”, shkruajnë ata.
Ndërkohë Instituti i Statistikave pas sulmit të një dite më parë (1 shkurt) deklaroi se të dhënat e censit nuk janë objekt i këtij sulmi.
INSTAT tha se menjëherë pas sulmit ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.
“Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim. INSTAT po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike. INSTAT falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e INSTAT.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al