Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi veprimtarin e Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsinin (1811-1881), filozof, astronom, matematicien e psikolog. Lindi në fshatin Mina të Çamërisë (Sarandë), ku mori mësimet e para.
Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. U caktua rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambolli (1870). Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti. Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Qysh në vitin ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë dhe të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis Shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe.
Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare nga fanatikët e njerëzit mendjembyllur, por ai nuk u largua nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve. Hoxhë Hasan Tahsini u lind më 7 prill të vitit 1811 në Ninat afër Sarandës, në Shqipëri dhe vdiq më 3 korrik të vitit 1881. Ishte rilindës, filozof, matematikan, shqiptar. Dijetar i shkallës botërore e atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare, përveç gjuhës amtare, zotëronte edhe disa gjuhë të huaja. Ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (universitet). Kështu, i ndjeri hoxhë Hasan Tahsin efendiu u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; – atë osman, – si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyjave eprore për diturinë shqiptare: Akademinë e Shkencave dhe universitetin e parë shqiptar në kryeqytetin e atëhershëm të sulltanatit osman, Stamboll.
Ai ishte i pari që mbolli dhe përhapi në sulltanatin osman shkencat e natyrës dhe ligjet e gjithësisë e rruzullimit, psikologjinë etj. Por, ishte edhe i pari që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore.
Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.
STUDIMET
Kur qeveria osmane e pa të domosdoshme çeljen e universiteteve në sulltanatin osman, një nga të dy të zgjedhurit e dërguar prej saj në Paris, për t’u pajisur me dituritë e nevojshme shkencore, ishte hoxha Tahsini. Njoftimi qeveritar u shpall në fletoren zyrtare “Xheride-i Havadis”, datë 14. Xhemadi-ul-àhër 1273 H.(10.X.1857): “…Ka dalë dekret mbretëror që urdhëron të dërgohen në Paris Lartësitë e Tyre, Tahsin Efendiu dhe Selim Efendiu, dy prej myderrizëve të nderuar, për të mësuar studentët e dërguar në Paris nga zyrat e shkollat mbretërore si edhe për t’ua mësuar gjuhën e bukur turqisht nënshtetasve të krishterë të mbretërisë osmane që ndodhen në Paris.
Së fundi, për të studiuar edhe ata të dy disa shkenca që do të mësohen në universitetin që është gati për t’ u hapur”. Meqë dituritë e tyre nuk mjaftonin për fillimin e studimeve atje, Selim Efendiu u kthye në detyrën e lënë të zëvendës ministrit të parë të arsimit, kurse Tahsini qëndroi në Paris dhe filloi gërmimet nëpër bibliotekat e atjeshme.. Brenda një viti ai arriti të fitonte tërë dituritë e nevojshme dhe u regjistrua në fakultetin e shkencave të natyrës. Madje, duke vazhduar studimet në të, ndoqi si i jashtëm studimet edhe në fakultete të tjerë. Bashkëkohës të tij, në veprat e tyre, theksojnë se ai përsosi frëngjishten dhe u thellua në fizikë, matematikë, kimì, biologji, filozofì, fiziologji, botanìkë, gjeologjì, shkencat shoqërore, e sidomos në filozofì, gjithësi e yjësì e psikologjì. M. K. I.
Në faqen 1834 thotë se në mbarim të universitetit, e emëruan imam të ambasadës. Vlen të përmendet se ai Parisin e vlerësoi, jo vetëm për dituritë që lëvroheshin atje, por edhe për bukuritë e pashoqe të tij, gjë të cilën ai e endi dhe e pasqyroi në këta dy vargje: Në qoftë se ke mënd dhe je i zgjuar, ore zotërì, shko në Parìs! Ata që nuk shkojnë në Paris, s’quhen se kanë ardhur në botë. Në mesin e shkurtit 1868 Tahsini u kthye në Stamboll, në përbërjen e grupit qeveritar që shoqëroi kufomën e ishKryetarit të Këshillit të Lartë të sulltanatit osman, Mehmed-Fuad Pashait; ai më 11 të atij muaji vdiq në spitalin e Nisës (Francë), ku qe dërguar për shërim.
Oborri dhe Porta e Lartë, Tahsinin e ngarkuan me ngritjen dhe drejtimin e universitetit, për çeljen e të cilit kishin vendosur që në vitin 1866, (Maarif Nezaret-i Teshkilat-i) dhe (Tyrk Tarih Ezxhymém Mexhmuasì, Nr. 17(94), 1927), po deri atëherë s’ishte gjetur ende njeriu i duhur. Doemos që në atë sulltanat gjendeshin plot dijetarë, mjaft të zotë, po jo “Tahsìn”. Dijetari i ndritur arriti që të gjente mësimdhënësit e aftë prej kombesh të ndryshëm, asokohe brenda sulltanatit osman:
Ai, gjithashtu, ndërmjet një deti talebêsh të diplomuar nëpër medresetë osmane, zgjodhi studentët e përshtatshëm; dhe – siç dëshmon Shemsuddin-Sami Frashëri, – “ditën e caktuar, në pallatin “Nana Mbretëreshë” çeli me aq madhështi universitetin e parë në sulltanatin osman”. Në fjalimin e rastit, me zërin e tij kumbues para studentëve dhe të pranishmëve të tjerë, ai shpalli programin mësimorshkencor që kishte parashikuar të zbatohej në atë qendër dijesh. M. K. INALI në faqen 1834 të “Son Âsër Tyrk Shairlerì” thotë se Tahsin Efendiu, veç drejtimit të universitetit, jepte edhe mësime mbi filozofinë, yjësinë, gjithësinë e pambarim të “Botës së Madhe” dhe të “Botës së Vogël” e kiminë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al