Heqja e ndalesës për mallrat e Serbisë, ambasadori Hovenier: Hap i rëndësishëm në drejtim të duhur për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane

Oct 8, 2024 | 16:00
SHPËRNDAJE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit në mallrat e gatshme që nisen nga Serbia.

Jeffrey Hovenier

“Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të duhur për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Ne çmojmë partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregti të lirë në rajon”, ka thënë ai të martën, përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

Reagimi i ambasadorit amerikan vjen një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kufizimi për mallrat nga Serbia është hequr në pikëkalimin kufitar, Merdare.

Ai ka thënë se deri në sigurim të skanerëve të avancuar, do të ketë kontrolle të rrepta në këtë pikë.

Një transportues i grurit, u ka thënë të martën mediave se pritjet janë të gjata dhe kontrollet janë të rrepta, ndonëse gruri është lëndë e papërpunuar dhe ka hyrë nga Serbia në Kosovë edhe në të kaluarën.

Qeveria e Kosovës e pati vendosur këtë ndalesë në korrik të vitit 2023, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga Policia serbe.

Ata janë liruar më vonë, por masa ka mbetur në fuqi për mallrat përfundimtare, jo për lëndën e parë.

Vendimi për heqje të kufizimit vjen pas thirrjeve të vazhdueshme të Gjermanisë që Kosova të heqë këtë masë, me arsyetimin se po dëmton tregun rajonal, po shkel marrëveshjen e CEFTA-s, dhe që kështu mund të rrezikojë pjesëmarrjen në Proces të Berlinit dhe nisma tjera rajonale.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.

Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit që nga themelimi i tij në vitin 2014, dhe disa nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale janë marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë. ekologjinë, dixhitalizimin dhe roamingun.

CEFTA synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve. Pjesë e saj janë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Moldavia, që prej vitit 2006.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura