Heronjtë kombëtarë dhe “heronjtë e ideologjisë komuniste”

Aug 13, 2024 | 7:36
SHPËRNDAJE

NGA FILIP GURAZIU Filip Guraziu

Demokracia e brishtë shqiptare, fatkeqësisht me kalimin e kohës vazhdon të bahet edhe ma e brishtë, kjo për shumë arsye, por njana prej kryesoreve që më rezulton sot mbas 33 vjetëve të vetëshembjes së komunizmit, asht “mosndërgjegjësimi dhe mosvëmendja serioze e klasës politike për edukimin e brezit të ri”. Informacioni që merr brezi i ri sot asht kontradiktor e kaotik, çka nuk asht konstruktiv, shembujt janë të shumtë; qëndrimi për simbolet kombëtare (Skënderbeu, Nanë Tereza); qëndrimi për pushtimin turk, qëndrimi për gegnishten; qëndrimi për luftën civile në vjetët e Luftës së Dytë Botnore, qëndrimi për kujtesën historike të krimeve të komunizmit etj.. Pra, platforma edukative e institucioneve shtetnore, deri sot, nuk ka muejt me ndërtue nji strategji edukuese të miratueme kolegjialisht, konstruktive e bashkëkohore për brezin e ri.

Në gamën e gjanë opinioniste për sa ma sipër, dëshiroj me veçue qëndrimin që simbas mendimit tim, duhet me mbajt sot në demokraci në lidhje me “heronjtë e ideologjisë komuniste shqiptare”.

Ashtë fakt i njohun, se së paku “zyrtarisht” pothuej të gjitha partitë politike parlamentare shqiptare kanë mbajtë qëndrim kritik kundër diktaturës komuniste, gja krejt normale e në përputhje me qëndrimin politik për diktaturat (të majta e të djathta) në të gjitha vendet e Europës e ma gjanë.

Shumë persona që kanë qenë në formacionet partizane të drejtueme prej komunistave e që kanë vdekë në luftë civile kundër formacioneve shqiptare nacionaliste (jo kundër pushtuesve) janë shpallë “dëshmorë ose heronj të atdheut e të popullit”, gja në përputhje me parimet e sistemit komunist e me periudhën në të cilën ideologjia e diktaturës ishte parësore, edhe mbi atë kombëtare (internacionalizmi proletar).

Rastet sa ma sipër janë të shumta, tue fillue prej “Heronjve të Vigut”, tek ato që u vranë prej rezistencës antikomuniste të Muharrem Bajraktarit; ato që vdiqën kundër kelmendasve nën kryesimin e Prekë Calit, të tjerë kundër lëvizjes së Llesh Marashit në Koplik ose kryengritjes së Postribës, si dhe përpjekjeve me grupet antikomuniste të dergueme në Shqipni prej vendeve “armike”, SHBA dhe Europa Perëndimore etj.. Por, a duhet të vlerësohen ato tituj sot në demokraci? Mendoj që jo, mbasi ato të vramë nuk e patën dhanë jetën në luftë kundër pushtuesve të huej për lirinë e atdheut, por për fitoren e idealit komunist në luftë me vllaznit e tyne shqiptarë, ideal që me shembjen e komunizmit e fitoren e demokracisë u shpërba, u dënue e vazhdon të dënohet si imoral e kriminal, pra sot në demokraci asht absurde e krejtësisht e padrejtë që të konsiderohen e të nderohen përsëri për ato tituj.

Kaq i randësishëm dhe ekstrem ishte vlerësimi ideologjik partiak karshi rasteve të masipërme saqë në Shkodër “heronjve të ideologjisë komuniste” (të Vigut) iu përkushtue prej diktaturës nji monument madhështor në qendër të Shkodrës, kurse “Tre heronjtë” e Shkodrës (ata që me të vërtetë e meritojnë titullin hero), të cilët vdiqën në përpjekje kundër pushtuesve fashistë, pra për idealin kombëtar u lanë në harresë e vazhdojnë po kështu…!

Tema që po trajtoj nuk duhet kuptue si ndërhymje në fushën politike partiake, por duhet vlerësue për moralin që rrezaton. Fakti jo i pëlqyeshëm e jo konstruktiv i vazhdimit të përçamjes së shqiptarëve (për temat sipër tregue) ende sot mbas 33 vjetëve “demokraci” përban nji pengesë tepër të madhe drejt përparimit e konsolidimit të demokracisë e të shtetit ligjor në Shqipni. Në qoftë se do të gjindet nji konsensus në mes “palëve” me pikënisje ‘Shqipnia e shqiptarët para çdo gjaje’ në lidhje me dallimin në mes ‘heronjve ideologjikë’ e atyne kombëtarë (jo ideologjikë) mendoj se kishte me qenë nji hap shumë i randësishëm drejtë bashkimit shpirtnor të shqiptarëve, problem aq i dëshiruem!

Praktikisht duhet të konsiderohen e të nderohen si Heronj të Kombit Shqiptar vetëm ata persona që dhanë jetën në luftë me pushtuesit e ndryshëm (turq, serbë, grekë, italianë, gjermanë) pavarësisht prej bindjeve të tyne politike apo partiake (ballistë, komunistë, legalista, nacionalista etj.). Të tjerët le të mbesin heronj ideologjikë të komunizmit (si kriminelët Enver Hoxha, Mehmet Shehu & company), të cilët munden edhe mu nderue privatisht, por jo publikisht, prej atyne grupimeve politike që mbrojnë të njajtën ideologji.

Së paku, në ditët përkujtimore të Heronjve të Kombit, shqiptar pa dallim përkatësie politike do të gjendeshim të tanë së bashku e kjo nuk asht pak, por një fillim i mbarë drejt bashkimit shpirtnor, që jep shpresë edhe për të tjera veprime të kësaj natyre.

Asht koha me kuptue nji herë e mirë se demokracia shqiptare dhe e ardhmja e Shqipnisë drejtë B.E. nuk mund të realizohen tue i thurë lavdi heronjve të ideologjisë komuniste. A e dini pse? Shumë e thjeshtë, sepse dënimi i krimeve të komunizmi asht nji ndër kushtet kryesore që duhet me plotësue Shqipnia për me qenë pjesë e BE. Në vendet europiane as që bahet fjalë me dekorue ose nderue publikisht ndonji hero të fashizmit ose të nazizmit, përkundrazi praktikat janë të tilla saqë edhe tentativat për sa ma sipër dënohen në bazë të ligjit. Nji ligj i tillë ekziston edhe në vendet ish-komuniste të Europës Lindore; në Poloni, Çeki, Lituani dhe Hungari që shprehet: “Refuzimi publik, me vue në dyshim ose me degradue fakte të gjenocidit e krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryeme prej regjimeve diktatoriale socialiste e komuniste përban vepër penale”.

Del detyrë imediate, për partitë politike, legjislativin, akademinë, qeverinë e strukturat e pavarme që funksionojnë sipas udhëzimeve të B.E., trajtimi i problemit të masipërm në rrugë ligjore. Vetëm ligji duhet me sundue në demokraci, ligji duhet me qenë mbi nostalgjitë romantike të sëmura të nji periudhe tashma të dënueme prej të gjithë aktorëve politikë. Sa ma sipër nuk asht hakmarrje, por drejtësi shoqnore që na e mundëson sistemi demokratik.

E ardhmja e Shqipnisë dhe e brezit të ri asht shumë herë ma e randësishme se sa një titull, ose dekoratë me karakter ideologjik.

Shqiptarë të ardhmen e keni në dorën tuej, veproni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura