Hetime ndaj Princit Andrew në Mbretërinë e Bashkuar, dyshohet se është financuar nga donatorë kinez dhe ka bashkëpunuar me një spiun

Dec 14, 2024 | 16:47
SHPËRNDAJE

Princi Andrew i Britanisë së Madhe është përfshirë në një skandal të ri, ku dyshohet se ka marrë financim nga donatorë kinezë përmes lidhjeve të tij me një spiun të dyshuar të Partisë Komuniste Kineze.

prince_andrew

Sipas gazetës Telegraph, paratë janë dhënë për mbështetje të aktiviteteve të biznesit të Dukës së York, ndërsa ai është vënë në shënjestër të MI5. Megjithatë, Princi Andrew ka deklaruar se ka “ndërprerë çdo kontakt” me këtë spiun-biznesmen kinez sapo janë ngritur shqetësimet.

Në një deklaratë nga zyra e tij, Princi Andrew tha se ai kishte takuar spiunin e dyshuar “përmes kanaleve zyrtare” dhe theksoi se asnjë çështje e ndjeshme ishte diskutuar mes tyre. Megjithatë, nuk është saktësuar se kur është ndërprerë komunikimi dhe sa ka zgjatur ai.

Spiuni i dyshuar, i njohur si H6, ka marrë ndalim për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar pas një vendimi të gjykatës sekrete për sigurinë kombëtare. Ky vendim u apelua në vitin 2023, por mbeti në fuqi. H6 është përshkruar në gjykatë si një “i besuar i ngushtë” i Princit Andrew, duke u përpjekur të përfitonte nga ndikimi i tij dhe të përfshihej në ngjarje të rëndësishme, si ato në Buckingham dhe Kështjellën Windsor.

Buckingham Palace ka refuzuar të komentojë, duke theksuar se Princi Andrew nuk është më anëtar i familjes mbretërore dhe nuk po vepron në emër të saj.

Ambasada e Kinës në Londër ka mohuar çdo akuzë për spiunazh, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të shpifur dhe prishur marrëdhëniet midis Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kina ka argumentuar se disa individë në Britani shpikin histori spiunazhi për të dëmtuar imazhin e Pekinit.

Në vitin 2020, H6 mori pjesë në festën e ditëlindjes së Princit Andrew. Ai dyshohet se kishte lidhje me Frontin e Bashkuar të Punëtorëve të Kinës, një organizatë e Partisë Komuniste Kineze e angazhuar në ushtrimin e ndikimit politik jashtë vendit. Sipas gjykatës, përdorimi i lidhjeve të H6 me figura të shquara në Mbretërinë e Bashkuar ishte një kërcënim potencial për sigurinë kombëtare.

Në nëntor 2021, H6 u ndalua dhe u mor në pyetje nga policia në kufi, pasi dyshohej për “veprimtari armiqësore” nga një shtet i huaj. Gjatë ndalimit, ai dorëzoi pajisje elektronike, përfshirë një celular. Dëshmitë alarmante shkaktuan shqetësime brenda MI5, duke çuar në përdorimin e fuqive emergjente nga Sekretarja e Brendshme për të ndaluar H6 të largohej nga vendi.

Në një letër të gjetur në pajisjet e H6, një këshilltar i Princit Andrew, Dominic Hampshire, i ka shkruar atij se është një nga “të besuarit e brendshëm më të afërt të princit dhe se mund të vepronte në emër të tij për bisedime me investitorë në Kinë”. Një dokument tjetër rendiste pikat kryesore të bisedës për një telefonatë me Princin Andrew, i cili përshkruhej si në një situatë të dëshpëruar.

Gjykata vlerësoi se H6 kishte krijuar marrëdhënie të forta me zyrtarë të lartë kinezë dhe figura të shquara të Mbretërisë së Bashkuar, dhe se këto mund të shfrytëzoheshin për qëllime të ndërhyrjes politike nga shteti kinez.

Ky besim i pazakontë në H6, sipas gjykatës, mund të ketë shfrytëzuar presionin që Princi Andrew ndiente, duke e bërë atë të pambrojtur ndaj ndikimeve të huaja.

 

Ky skandal vjen pas hetimeve të tjera që lidhen me lidhjet e Princit Andrew me pedofilin Jeffrey Epstein. Në nëntor 2019, ai u tërhoq nga detyrat e tij mbretërore dhe ka pasur pyetje të vazhdueshme për çështjet që e rrethojnë.

Po ashtu, janë duke u audituar fitimet e iniciativës Pitch@Palace, e cila filloi si një organizatë jofitimprurëse në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014 dhe u zgjerua në Kinë në vitin 2016, ku ka operuar mbi baza fitimprurëse. Autoritetet e sigurisë po shqyrtojnë mundësinë e lidhjeve të mundshme të financimit nga donatorë kinezë me lidhje me Partinë Komuniste.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mënyrën si Princi Andrew menaxhon stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë mirëmbajtjen e Royal Lodge, një rezidencë me 30 dhoma në Windsor. Mbreti Charles u informua për hetimin përpara se të bëhej publik dhe ndërpreu financimin për Princin Andrew në vitin 2023, ndoshta për shkak të shqetësimeve të ngritura nga këto hetime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura