Hetimet ndaj disa ish-ministrave dhe kryebashkiakëve, diplomati i lartë amerikan: SPAK po qëndron në lartësinë e atij mandati! SHBA ka investuar për organet e drejtësisë

Dec 11, 2023 | 10:48
SHPËRNDAJE

I ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner thotë në një intervistë për gazetën “Panorama”  se për Shtetet e Bashkuara SPAK po qëndron në lartësinë e atij mandati.

David Wisner

Sipas diplomatit të lartë amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë investuar për organet e reja të drejtësisë. Shtetet e Bashkuara – tha ai- do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë dhe rrugës së saj euro-atlantike.

LEXO EDHE: Ekskluzive/ “Krenarë që mbështesim SPAK, po i vjen fundi pandëshkueshmërisë”- David Wisner: Sanksionet ‘non grata’ për të korruptuarit do të vazhdojnë

PJESE NGA INTERVISTA

“Panorama”: Z. i ngarkuar me punë, ka mjaft reagime ndaj hetimeve të SPAK ndaj disa ish-ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë, por edhe ish-kryeministrit Berisha dhe dhëndrit të tij. A mund të garantoni ju opinionin publik në Shqipëri se SPAK është i pavarur dhe jo i ndikuar nga pushteti, siç ka ndodhur në të kaluarën?

I ngarkuari me punë Wisner: Ne besojmë se SPAK po qëndron në lartësinë e atij mandati. Ka një shprehje në Shtetet e Bashkuara, që ‘drejtësia është e verbër’. I gjithë qëllimi për ngritjen e SPAK ishte të krijohet një institucion i pavarur për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshi në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo është gjëja më me rëndësi që ai të jetë vërtet i suksesshëm dhe i efektshëm. Kemi parë të hetohen, t’u ngrihen padi dhe të dënohen zyrtarë të niveleve të larta nga i gjithë spektri politik.

“Panorama”: A besoni se SPAK-u do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe si do ta mbështesni më tej këtë strukturë të posaçme prokurorësh, që të jetë e pavarur dhe të rrisë më tej besueshmërinë ndaj publikut shqiptar?

I ngarkuari me Punë Wisner: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë dhe rrugës së saj euro-atlantike. Ambasadorja Kim e kishte zakon të thoshte se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur, por po e shohim të japë rezultate. Vazhdon të ketë të drejtë. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët tanë do të vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, përfshi mbështetjen tonë për SPAK-un.

Përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë dhe të Shtetit, si dhe kolegët tanë nga FBI dhe DEA do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë. Mendoj se ia vlen të vihet në dukje se në gjashtë vitet e kaluara, Shtetet e Bashkuara kanë investuar mbi 27.5 milionë dollarë në programet për ligjzbatimin dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.

LEXO EDHE: “Edhe në Kongres ka debate, ndonjëherë plot kundërshti”- Tensionet në Kuvend, David Wisner për “Panorama”: Hetimet parlamentare kanë sjellë përparim politik

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura