“Hetues më caktuan Shyqyri Çokun, i cili urdhëroi policët të më zgjidhnin duart dhe si shkodran që ishte, unë i thashë…”/ Kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës

Dec 25, 2024 | 18:53
SHPËRNDAJE

Nga Dom Zef Simoni/ Publikohet një studim i panjohur i Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.

ipeshkvi i shkodres

Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Festivali i XI, 1972.

Në fillim të vjetit 1972, u zbuluen prej diktaturës shfaqje të një liberalizmi i cili do t’i jepte shkas një terrori të ri që do të fillonte sjdomos mbas Festivalit XI të kangës në radiotelëvizion. Kjo ngjarje acaroi luftën e klasave me sulme të reja burgimesh, pushkatimesh.

Dom Shtjefën Kurti

Në kler kishin arrestue e pushkatue meshtarin Dom Shtjefën Kurti të cilit i kishin vu gjithfarë akuzash. Akuzohej për sabotim të randë ndaj kooperatives, agjent i të huejve, se kishte helmatisë pusa, dhe se kisha ba një pagëzim. Nisi një analizë e thellë e lajmeve të hueja e të shtypit të huej, i shumë stacioneve të Europës e të “Zërit të Amerikës” për gati një vjet, pa iu nda, që paraqet tmerret e kryeme, ekonominë e degradueme dhe natën e stuhishme socialiste. Flitet për dhunën kundër besimit dhe përpjekjet që baheshin për ta ruejtë fenë.

Radio Vatikani: D. Martin Trushi, 8 maj 1973

Me datën 8 maj 1973 stacioni i Radios së Vatikanit në gjuhën shqipe, përmes spikerit, Zef Pali, njoftoi se bahen shërbime të mëdha fetare tue përmendë emnin e meshtarit të zellshëm Dom Martin Trushit dhe emnin tim. Ky lajm, tue përmendë emna, qe fort i çuditshëm e bani shumë përshtypje e, njerëzit ditën e neserme me dhimbje, më shikojshin me vërejtje dhe me simpati. Pa kalue një muej, pikërisht me datën 8 qershuer, qeshë thirrë në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit ku, më foli hetuesi i Republikës, pa më përmendë aspak njoftimin e Radio-Vatikanit, por tue më thanë për me ndalue kontaktin me meshtarë dhe me popull e, të futesha në punë tue më kërcnue për arrestim.

Tue qenë se në këto ditë fillonte Kongresi i Grues, që do të zhvillohej në Kishën Katedrale, kthye në palestër, me urdhnuen të mos delsha jashtë shtëpie. Shërbimi fetar m’u ba i vështirë e m’u donte të ndërrojsha format, sidomos kur shkojsha në spital, se në azilin e pleqve nuk më lejshin me hy ma. Për të shkue në spital, bijsha në marrëveshje me familjet e të sëmurëve dhe u jepshe Eukaristinë për t’ia dhanë ata të sëmurëve, mbasi të kalojsha unë pranë shtratit të të sëmurëve, në orarin e vizitave zakonisht ditën e dielle. I jepshe përpara absolucionin 1 me formulën e shkurtë e, kur u afrojsha pranë të sëmurit, i jepshe në ball Vojimin Shejt e ndjesë të plotë.

Gjendja ekonomike e shoqnore rrëzohej dita me ditë. Rinia nëpër shkolla, në kuadrin e revolucionit kultural, kishte drejtim shumë të keq. Mbas mbylljes së institucioneve, me një reformë të re shkollore që qëndronte në trekandshin revolucionar: mësim, – punë prodhuese, – edukim fiziko-ushtarak, banë që nxanësit të mos kenë zell për mësim e dije e të shkatërronte nga mbrenda jetën e të rijve. U fut dredhia mes nxanësve e mësuesve a edukatorëve, madje u arrit të kalohej klasa me pare, me korrupsion. U përvetësue shumë e keqja. Të rijtë kishin dëshirë me qenë të mirë, por tue i mungue jeta e virtyteve e tue iu shtue mendjelehtësia po humbëshin drejtmin. Një brez i ri që vehej në kundërshtim me të kaluemin, edhe me prindët. I quejshin këta të padijshëm e, brez i vjetër. Të rijtë thojshin: “I dimè. Ju fëmijë e të rij që keni prindër reaksionarë kundër pushtetit, kujdes, janë armiqtë tuaj”. Gjithçka kundër dekalogut e detyra me mbrojtë vetëm pronën socialiste.

Patër Ferdinand Pali e Padër Gjergj Vata në gjyq, për varrimin e Patër Mark Harapit në Shirokë

Me datën 10 fruer 1974, vdiq Padër Mark Harapi, klerik i shquem edhe i kulturës kombëtare. Vorrimi do të bahet mbasdreke, në orën 3ºº të datës i 1 fruer, ditë e Zojës së Lurdit. Kishte lane porosi që të mos vorrohej në vorrezat e përbashkëta në Shkodër, por, tue qenë se ishte me origjinë prej Shiroke, të vorroset në Shirokë. Për të kry këte formalitet, shkuen te zyrja e funeraleve Padër Ferdinand Pali, me Padër Gjergj Vata. Padër Marku u vorros në Shirokë, por mbas dy javësh, Komiteti Ekzekutiv, krijoi problemin e vorrimit, bani të hapej kundër dy padreve që qenë dënue penalisht, se qëllimi i tyne ishte, me e vorrue në vorrezë thjeshtë katolike. U ba një zhurmë e në qytet për dënimin e pafajshëm të tyne dhe nisi edhe një sulm kundër meshtarëve, që qenë thirrë nëpër këshillat e lagjeve, ku ishin prezent edhe organet e Sigurimit.

Qeshë thirrë edhe unë. Porosia e tyne ishte të mos lëvizëshe e, të hyjsha në punë. Më caktuen përsëri ndër tulla, por kjo ndërmarrje nuk më pranoi. Gatiteshin ngadalë arrestime të reja klerikësh dhe kuadrosh shtetnore. Për shtatë vjet, çdo dy muej delsha në Razëm, për të marrë fuqi e mandej punojsha 10 muej me intensitet dhe qetësi të gëzueshme shpirtnore dhe me guxim meshtarak. Ishte Zoti që punonte e luftonte për mue. Plani im i tri detyrave nuk lëvizte, kisha edhe një forcë të mirë fizike dhe një fuqi morale. Ditën e 9 shtatorit të vjetit 1975, pak ditë mbasi kisha kthye nga Razma, baba nuk u çue ma prej shtratit. Baba ndjehi i paralizuem. Mjeku tha se ishte një hemorragji cerebrale. Nuk i mungoi asgja babës, as mjekët, as ilaçet, as kujdesi i vëllait dhe i motrës, në të gjitha nevojat. E mbi të gjitha sakramendet e fundit që i mori me aq zell, ashtu si merrte çdo ditë për sa vjet rresht Eukaristinë Shejte. Tham: si jeta, ashtu edhe vdekja e këtij burri të mirë. Nuk iu nda Dom Kolec Toni as ditë, as natë.

Formula fetare para dhënies shpirt të babës tonë

Me 23 shtator, ditë e marte, ora 7ºº e mbasdrekës u nda prej nesh, si një patriarkë, si një ikështenë i mirë i epokës së madhe të Krishtit. Ora 3. 30 mbas mesit të natës të datës 24 thashë meshën e Dritës në prani të kufomës. Ora 5ºº të mbasdrekës u ba vorrimi me pjesëmarrjen e shumë njerëzve në vorrezat e përbashkëta, tue pushue trupi i tij në dhe e shpirti i tij në Tenzonë. Ditën e dytë mbas vorrimit fillova të celebroj meshët e Shën Gregorit. Baba ynë fort i dashun u largue pa i pa luftat e stuhishme të tjera, që do të ngjajshin edhe pak muej në Shqipni, në qytet edhe në shtëpinë tonë.

Arrestime të reja

Historia e një vendi dhe e një qyteti asht e lidhun shpesh edhe me ate të një personaliteti. Atëherë edhe me atë të një ipeshkvi. Kisha dhe shteti janë dy institucione të themelueme nga Zoti. Të dy duhet të kenë punë të koordinueme, edhe kur të jenë njeni kundër tjetrit, Kisha vuen shumë herë nga shteti që kujton, se duhet të ketë gjithçka në dorë. Edhe ndërgjegjen.

Në Mesjetë shteti e ka dashtë kishën, por edhe asht përzie jasht tagri në punët e saj. Një prirje për ta dominue atë. Shteti komunist në Shqipni, me njerëz pa Zot e kundër Tij, shanë kishën, e fyen, i kufizon të drejtat, lirinë; e rrënon kishat, e burgosë, e torturon, mbytë meshtarët e u thotë se janë e keqja e shoqnisë e së ardhmes.

Arrestimi i Monsinjor Çobës (2 prill 1976)

Me datën 2 prill 1976, Monsinjor Çoba fjeti në shtëpi për të fundit herë. Rreth orës 11ºº të dates tre, gazi i Sigurimit e hoq nga banesa e tij dhe e çoi në një banesë të re, në banesën e Degës Brendshme. Ky qe arrestimi i Monsinjor Ernest Maria Çobës. Qe ditë e shtunde me diell. A asht e vërtetë pyetshin njerëzit njeni-tjetrin të shqetësuem se e arrestuen Dom Ernestin, se kështu e quejshin shumë njerëz për famën që kishte pasë edhe para se t’u shuguronte Ipeshkev? Po, vërtetë ndiheshin zane. I nipi i Dom Ndoc Nikës, Zef Nika, i burgosun i vjetër, njeri me shijë të hollë që për të dijtë gjithçka rreth ngjarjeve poliue. jetonte e merrte frymë, shumë i shkathtë dhe me një ecje të lehtë, edhe pse ishte në një moshë të kalueme, më pruni atë mbasdite të trishtueshme lajmin e sigurtë të arrestimit të Monsinjorit e tha këto fjalë: “Deri këtu e ka pasë. Mbaroi, tue peshue ma fort te termi, edhe karriera e tij”. Populli u mjerue. “Si nuk pushuen kurr me këto të zeza”, – shpreheshin njerëzit njeni me tjetrin.

Orë në orë pritsha edhe arrestimin tim. Po ashtu edhe Dom Koleci, edhe të tjerë. Nuk e lane vetëm Monsinjorin. Do të formojnë grupin. Lutsha me devociot Zojën e Këshillit të Mirë, jo që të mos arrestohesha, pse këte e mendojsha të sigurtë, por ma tepër të më shkojshin punët si duhet. Nana, vëllai e motra nuk shprehshin asgja. Ruejshin një frikë të fshehtë e një guxim, tue thanë: “Gjithçka ta lamë në dorë të Zotit”. Unë i kisha thanë familjës sa herë, se nuk më arrestojnë. Kjo gja mund të më ndodhe, nëse vjen dita me arrestue Monsinjorin. Kaluen javë dhe asgja. Asnjë arrestim. Kaluen muejt prill, maj dhe qershor. Më vinte mendimi, mos vallë më thërret Sigurimi tue më thanë se; “Na do të dënojmë Monsinjorin e, t’i do të dishmojsh për te, mbasi na i dimë marrëdhaniet tueja me atë. Zgjidh, o me dëshmue, ose na të arrestojmë edhe ty”.

Kjo ide fort e keqe m’u suell ndër mend, por nuk vuejta shumë, mbasi pranojsha, me ndihmën e Zotit, edhe vdekjen, por kurrsesi të kryej një veprim të tillë. Unë isha tashti në moshën 46 vjeçare dhe, ç’asht e vërteta, në asnjë rasë, në asnjë çast, nuk kam pasë ndonjë shqetësim prej organeve të Sigurimit Shtetit, që të më kërkojshin të isha në shërbim të tyne, agjenti i tyne, në këto çeshtje të ndyeta. E falënderoj Zotin që nuk kam ra në faje të tilla asnjëherë në jetën time.

Arrestimi im dhe i Dom Kolec Tonës (13 korrik 1976)

Me datën 13 të korrikut, Dom Kolecin dhe mue që kishim shkue për të kalue stinën e verës, na arrestuen në Razëm. Me një “Gaz” të Sigurimit të Degës, nënkryetari i saj, Ndue Gjini, me gjashtë police, mbasi na kontrolluen dhomat ku banojshim secili, tue i shtie frikën të zotit të shtëpisë e familjeve që kishin dalë me pushue na, për Shkodër. Në orën dy mbrrijtëm në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit. Më pritën me krahë hapët një grup oficerash e hetuesish, tue më shtie me shpejtësi duert nën sqetull, e tue më thanë: “Mirë se të ka prue Zoti, në shtëpinë tonë të re, të madhe e bujare. Ka herë të kemi pritë. Kështu e kanë burrat”.

Më futën në një dhomë hetuesie, me një dritare të madhe me hekura, një tavolinë, karrikë, një raft ngjyrë kafeje dhe një karrike të palëvizshme e ngjitun për muer. Menjëherë filluen pyetjet njena mbas tjetrës pa pushim, në prani të katër-pesë hetuesave, të cilët ndërrojshin me grupe, të gjitha fytyra të randa e të tërbueme. Pyetje mbas pyetjesh, ata kryesoret i mora vesht se më thanë të flitsha për marrëdhaniet e mia me Selinë përmes Legatës italiane. Kush ishte tjetër që i dinte këto lidhje. Do të na japish shpejt e saktë, se na kemi punë shumë e nuk merremi gjatë me krimet tueja, me ju armiqtë e betuem e të përhershëm të pushtetit popullor. Do të na tregojsh se me kë ke folë kundër pushtetit. Ku i ke fshehë materialet tueja në shtëpi, në kopsht. Ku e ke librin ‘Cuneus Prophetarum’, të Bogdanit, ku i ke shkrimet tueja kundër nesh.

Unë mohojsha gjithçka. Isha në kambë i mbështetun për muer për ndonjë çast, por nuk me lejshin ashtu. Britma të mëdha, të egra deri para fytyrës. Nisa të prishesha prej të nxehtit, prej lodhjes së madhe. Ata nuk pushojshin për asnjë çast: “Fol për lidhjet tua e, ku i ke shkrimet”, vazhdojshin sulmet. E kalojshin në pyetje ideologjike. Populli nuk ju ka dashtë, populli, rinia i ka mbyllë me arsye kishat. Pyetje për të pa qëndrimin tim e tue më vue në dijeni se dijmë të gjitha. Edhe unë kuptova shumë, për mos të thanë gjithçka. Cili kisha me qënë unë në vargun e ma shumë se një gjysë milioni të burgosunish? Cili numër? E i sa miliona ngjarjeve të formave të qenuna e të trillueme, pyetje të pa numrueme në repartet e zeza të hetuesive në epokën e diktaturës që asht me plane, projekte, me qëllime rrënuese, me shamje që asht dhunë, gërhanë, korrent, gjak, shkopinj, thyemje brijësh, kocash, krenash deformim fizik e moral qeniesh?

Çfarë ndërtese asht kjo ku hyjnë e dalin forcat e kualifikueme për tmerre, ku përsekutimet kalojnë ditë, javë, e muej e të të tanë në dhoma torturash, çpikje që i ka sajue ferri tokësuer, ku shfrejnë dhunuesit e ata që mbrojnë pa asnjë rezervë të keqen personale dhe kolektive?! Kjo zyrë shkatërruese që thirret Degë, dallon pjesërisht nga dikasteret e mëdha e të vogla të këtij shtetit përbindësh. Dega së pari ka punë shumë, nuk mund ta shtyjë asnjë veprim të sajin për ma vonë, ka ngut, urgjencë, asht qëndra e rrjetit informativ mbrendë e jashtë Shqipnie, një zyrë që kontrollon çdo person edhe pa e dijtë ai mobilizon, aktivizon e flliq me një rrjet agjentash, ndryshej ma saktë spiujsh o afijesh, për të ndjekë hap mbas hapi lëvizjet e duerve e të kambëve, të gojëve, të ndërgjegjeve, të ideve që janë kundër të vetmes ide, idesë së diktaturës.

Një zyrë që punon natë e ditë me drita elektrike që nuk hikën asnjë çast, pse aty asht zonë terri e korrenti. Në çdo vend ka hy dora e fortë e sigurimit, syni vigjilent i i tij. Në çdo dikaster, në çdo zyrë, çdo qendër punë, kooperative, shkollë, qendra kulturore, restorante, klube, dyqane, në sa familje, me arrijtë deri aty sa me pasë frikë çiftet prej njeri-tjetrit. Çdo lagje kishte operativin e sigurimit të vetin, çdo zonë fshati e malësisë, që kontrollon përmes veglave të fshehta çdo lëvizje, se kush vjen e shkon, çka ndien e flitet e, të gjitha jepen me relacione për t’u ruejtë pushteti, nga çdo infeksion anmiqsuer nga toka e nga ajri. Kjo detyrë bahet rregull, disiplinë e nevojë. Kontrollohet edhe partia e njerëzit e saj, deri te Komiteti Qendror, edhe vetë Sigurimi. Kjo hata e zezë përmblidhet në thanie: “çdo tre vetë, njeni ban punën e sigurimit”.

Asht ideja fikse që të mbrohet kjo super ide me fanatizëm, me rreptësinë e dhunës. Njeriu nuk do të ishte ma njeri e, që do ta shkatërrojë këtë njeri së pari ideologjia e partisë së manifestit komunist, teoria e materializmit të rrezikshëm dhe së dyti Sigurimi Shtetit, që asht makina bluese e grirse e qenies njerëzore që nga lindja deri në vdekje. Asht mordja jote. Ti nuk je i lirë për asgjë. Koka nuk ishte jotja. Nuk ka jetë, pse nuk ka zemër. Artin e vendos partia e Sigurimi, bursat e shkollave po ashtu e zgjedhjet e tyne kryhen simbas kuptimit klasor dhe politik, e shijet, muzikën, aprovimet e shfaqjeve, talentet janë në dorën e tyne e me rreptësi emnimet në vendet e punëve kryesore. Këtu gjindeshim, këtu gjindesha edhe unë.

Dita e parë e arrestimit, ajo mbasdite kaloi me zhurmë, me hymje e dalje, hetuesish dhe oficerash, me britma, me shprehje kercnuese e kjo deri mbas ora dymbëdhjetë të natës. Dhjetë ore në kambë në atë tronditje e mundim. Në dhomën ku me çuen, dhoma me numër 14, gjeta një dritë të lehtë elektriku, e vetëm një batanie të kuqe. Në vend të jastekut, palosa xhaketën. Bana kryq dhe thashë një Atynë, një Falemi Mri dhe Kjoftë lumni e Atit. I lodhun më xuni gjumi. Gjumin ka vazhdue ta kisha të mirë në të gjitha netët, edhe gjatë burgut, më ndihmoi të isha i qetë.

Birucë: Basriu prej Tepelene!

Përgjegjësi i birucave, i quajtun Basri, prej Tepelene, një fytyrë e randë, në mëngjes çili portën me krizëm të fortë e, më dha fshesën për të pastrue dhomën. Më rrinte pranë e me gjetë shkak, se fshihet kështu e jo ashtu, më ra fytyrës me shkopin e saj. Atëherë mu kujtue mue, se vërtetë nuk më ka ardhë asgja për dore. Për tri ditë, më lanë në qetësi të plotë. Asnjë thirrje në hetuesi, asnjë veprim. Më bijshin një gotë çaj në mëngjez dhe drekën në orën 12 e 30. Dreka kishte një tas të vogël me gjellë, e tue qene se ishte stinë vere, kishte ma tepër barishte, një përzimje patllixhanash, domatesh e ndonjë qepë në atë. Kishim vetëm 600 gram bukë për krejt ditën. Në mbramje asgja. Lejohej çdo dy javë një sasi djathi, bukë të mirë, biskota dhe ndonjë ushqim tjetër, që vinte nga familja. Gjithçka me gramaturë. Ishte magazina e ushqimit dhe e veshmbathjes, për të vendosë materialet. Çdo veprim kryhej o tue u çilë porta, kur duhej për të krye veprimet personale ose, përmes sportelit që e çilte oficeri i rojes. Në mur ishte e shkrueme përmbajtja e detyrave e të drejtave të të arrestuemit. Me të ra pika për drejtësinë e tyne.

Hetuesi Shyqyri Çoku

Mbas tri ditësh, ditën e shtunde, ora 8ºº, u hap dera e birucës, tue kërsitë rreptë e randë shulat e derës. Më lidhën duert me hekura tue m’i shtrengue fort dhe dy rojet e stërvituna aq mirë në dijen e arrestimeve, më çuen në dhomën e hetuesisë, ku gjeta vetëm hetuesin Shyqyri Çoku. U dha urdhën rojeve të më zgjidhin duert e u larguen menjëherë. Nuk më la në këmbë, por më la të ulesha në karrigen e ngjitun për mur. I thashë një përshëndetje të lehtë, tue i thanë nadja e mire, se ishte edhe shkodran. Më përgjegji me fjalën; mirë se vjen e, më tha të mos përshëndetish askend. Mue po. Hetuesi i vetëm, po më thonte: “A të asht mbushë mendja se je i arrestuem”? Nuk fola asgja. Filloi hetuesia. “Aktiviteti yt kundra pushtetit, asht i dokumentuem’ – dhe më tha: “Nuk ke çka kundërshton”, e për çudi pa më ba pyetje në ketë rasë, mori menjëherë nga zyra e tavolinës dokumentin e firmuem, të cilin ma lexoi e ma dha ta shof, se unë kisha pasë lidhje me Monsinjor Çobën, në marrdhëniet e tij me Selinë e Shejte, me anë të Legatës italiane në Shqipni.

Dokumenti e burimin larg, të një denoncues i pare, për të cilin unë dyshoj shumë, por që as sot unë nuk e di me siguri. Monsinjori u kishte thanë se; “Dom Zefit i kam diftue për lidhjet, por jo se ka bashkëpunue me mue”. Ishte mundue me evitue lidhjen e bashkëpunimit, që ishte e vërtetë e që do të më kishte randue. Sa u ba proçesi im, u firmue prej meje. Kjo ditë pat vetëm kaq. Hetuesia punonte me një takt me mue. Mbas dy ditësh, ditën e hane, gjithëherë i lidhun me hekura, më çuen me shpejtësi në dhomën e hetuesise. Gjithnjë hetuesi me qetësi më pyeti për kohën kur kishte fillue kjo veprimtari, se kushe  kishte dijtë veç meje, në çka kanë konsistue relacionet, si janë kenë sinjalet. Përpara se të arrestohej Monsinjori, kishin arrestue e dënue motrën e tij, Gjyljanën, me 20 vjet heqje lirie. Kjo kishte krye këtë veprimtari, tue marrë prej Monsinjorit shënime në letra cigaresh, për t’ia paraqitë një nënpunësi të Legatës italiane, në të cilën shkonte sa herë për të marrë pensionin e muejit, që ia dërgonte i shoqi, mbasi ishte e martueme me një Italian, që qeveria komuniste e kishte largue prej Shqipnie, si nënshtetas i huej.

Për të gjitha këto, bahej proçesi i daktilografuem me makinë e, i nënshkruem, tue pohue edhe se kjo veprimtari kishte disa vjet që kishte fillue e, nuk asht krye ma tepër se katër-pesë herë, se këtë nuk e ka dijtë tjetër kush veç meje, Dom Kolecit e ndonjë meshtari tjetër të mire, që e dijsha se ishte denoncuem, por që nuk kje arrestue për çudi, se Monsinjori mund të kishte disa vjetë që nuk e kishte vazhdue ma e, se materialet kishin qenë vetëm për çashtje fetare dhe jo politike, ushtarake dhe ekonomike për të cilat insistuen fort. Herë mbas here thirresha në hetuesi që vinte dhe randohej pse tashti nuk kisha punë me një hetues, por me shumë hetuesa, me pesë përnjëherë dhe me shkopinj gome në dorë. Hetuesia punonte metodikisht, me më shkatërrue. Ishte hetuesi e gjatë, që zgjati njëmbëdhjetë muej. Hetuesi më tha një ditë se; na jemi sjellë në një mënyrë demokratike me ty. Jashtmënisht ishte ashtu, por mbrendshmënisht jo. Nuk mundte as hetuesi me veprue ndryshej.

Hetuesi sillej me dorca me mue. Filluen torturat. Nuk pata asnjë goditje me shkopinj, me rrahje, me shtjelma, me korrent elektrik ose, tortura tjera. Por filloi mbas dy javësh arrestimi, përdorimi i ilaçeve të rrezikshme e të forta, që m'i qitshin në gjellë. Gjella u ba e vështirë për t’u hangër. Këto veprojshin randë mbi mue, po e shndërrojsha unin tim. Më vuente shpirti dhe trupi. Më mbaroi gjaku, dhe fuqia. Kishte raste që nuk isha i zoti të rrijsha në kambë e, për të ecë u kapshe për muer të dhomës. Një muej e ma tepër, para se të delsha në gjyq, isha shumë i fikun. Shtrihesha për drrasa me krahë hapun shumë orë të ditës, me dhimbje të forta. Torturë tanë ditën. Kisha shumë uri. Dimnit kisha të ftohtë se, nuk na lejshin të rrijshim ratë në shtroje e mbulojë. Ilaçet bajshin edhe këtë efekt, se prej këtyne arrijsha edhe në pikën, që mos t’u dukë asgja çka do të zbulojsh. Mendja, ende, m’u dukte kishte, mbetë e freskët. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura