Histori kritike…

Aug 24, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

Besnik-DizdariBESNIK DIZDARI

Për fat të mirë kësaj here nuk ndjehem i vetëm. E kam fjalën për jehonën që pasoi dy medalje të bronzta të Shqipërisë në Olimpiadën “Paris 2024”. Nuk ndjehem i vetëm. Kjo ngaqë në gjithë këto ditë kanë publikuar shkrime me vlerë firma të tilla të mirënjohura si Andi Bushati, Erion Dasho, Lutfi Dervishi, Artan Fuga, Alfred Lela, Sonila Meçe, Genc Pollo, Petrit Vasili, Preç Zogaj, emrat e të cilëve po i vendos sipas alfabetit në fillesat e mbiemrave të tyre. Për një çast po më duket se nuk kam çka të them më tej. E megjithatë… E megjithatë, po u bashkohem këtyre kolegëve edhe me këto radhë të mia përmes kësaj ideje që del prej titullit të mësipërm: Medaljet greke të Pirro Dhimës, Luan Shabanit e Mirela Manjanit janë më shqiptare se dy bronzet e “Paris 2024”. Këta janë emra legjendarë të sportit shqiptar e mandej atij grek. Kështu pra, 3 medaljet e arta olimpike (1992, 1996, 2000) dhe 1 bronzi (2004) të Pirro Dhimës; dy medaljet e argjendta olimpike të Luan Shabanit (1996, 2000); dy medaljet olimpike të Mirela Manjanit (argjend 2002, bronz 2003); por edhe dy medaljet e argjendta olimpike të Leonidha Gogës (1996) dhe Viktor Mitros (2000), të gjitha këto më duken më shqiptare se dy bronzet “shqiptare” të markës ruse të kësaj Olimpiade të Parisit. Përse? Thjesht për faktin se këta kampionë e nënkampionë olimpikë për Greqinë, përveçse si njerëz, edhe si sportistë nuk i ka lindur dhe as i ka formuar Greqia, por i ka lindur dhe i ka formuar Shqipëria.

Kështu, ne, të gjithë gazetarët njohës të sporteve, shqiptarë dashamirë të sporteve u patëm gëzuar fort kur ata i fituan këto medalje. Ashtu, siç edhe ta do mendja që shteti i Federatës së Rusisë do të jetë gëzuar për dy bronzet e Chermen Akhsarbekovich Valiev (vërtetësisht Чермен Ахсарбекович Валиев dhe Islam Lechiyevich Dudaev (vërtetësisht Ислам Лечиевич Дудаев) Natyrisht, gëzohemi edhe unë e kolegët e mi, për këto dy të bronzta të markës ruse, por si të thuash, të juridiksionit olimpik shqiptar. Ndërkaq, të gjithë medalistët e mësipërm shqiptarë nën Greqinë, përpara se “t’i rrëmbente” ajo, siç kemi “rrëmbyer” ne rusët e tashëm, kanë qenë kampionë të Shqipërisë, rekordmenë të saj, përfaqësues medalistë të saj në sa e sa gara e kampionate të Ballkanit e të Europës. E pra, çka ishte merita e Greqisë që brenda pak muajve të vitit 1992, teksa Pirro Dhima sapo kishte ardhur nga Shqipëria, të shpallej Kampion Olimpik i Barcelona 1992? Aspak ose shumë pak. Po ashtu, cila është merita e Shqipërisë, që brenda pak muajve mbas mbërritjes së tij në Shqipëri, po në këtë vit, 2024, Valiev fiton medaljen e bronztë në “Paris 2024”? Aspak ose shumë pak. Më 1992 si kryeredaktor i “Sportit Popullor”, aty këtu në kundërshtim me një lloj opinioni edhe të Greqisë, kam firmosur për zgjedhjen në anketën tonë shqiptare “10 Sportistët më të Mirë të Vitit 1992”, madje vendosur në vendin e dytë, Pirro Dhimën me këtë përcaktim: “2. Pirro Dhima (“Milonas”, Athinë)”.

Pasi u stërvit për vite me radhë në Shqipëri, nga trajnerë të aftë e të pasionuar, pasi fitoi disa medalje të arta në takimet ndërkombëtare, largohet në Greqi më 1991. Është 23 vjeç. Në ‘Barcelona 1992’ fiton titullin më të lartë Kampion Olimpik. Kështu, ai është i pari shqiptar dhe njëkohësisht i pari sportist i përfaqësueses së Greqisë (pas shumë vitesh) që fiton medalje të artë në gjithë historinë e Olimpiadës. Fiton për herë të tretë”. Kjo “herë e tretë” do të thotë se Piro Dhima fitonte në anketën e Shqipërisë për herë të tretë. E kjo arritje tregon se i çfarë kalibri ishte ai në sportin shqiptar. Një “kalibër” që pa shumë mund e bënte menjëherë, vetëm mbas krejt pak muajve të largimit nga Shqipëria, që të fitonte titullin e Kampionit Olimpik për Greqinë. Ky ishte Pirro Dhima, i cili vetëm në vitin 1989 kishte thyer 62 rekorde kombëtare të Shqipërisë, përveçse se ishte kampion kombëtar, ndërsa gjithnjë po nën fanellën e Shqipërisë ishte Kampion i Ballkanit dhe në katërshe të Kampionatit Europian. Ndërkaq, shqiptarja Mirela Manjani përveçse kampione, e ende sot e kësaj dite rekordmene e Shqipërisë në hedhjen e shtizës, para se ta “rrëmbente” Greqia, ishte nën fanellën e Shqipërisë edhe nënkampione e Europës për të reja (1995) dhe Kampione e Ballkanit(1994).

Ndërsa po të shkojmë te sukseset si ekip, kujtojmë se Shqipëria me Pirro Dhimën e Luan Shabanin u rendit në katërshen e Kombëtareve më të mira të Europës. Nuk po shkoj te Kampionatet e Ballkanit se këtu për titujt e tyre duhen shumë radhë. Dhe? E gjitha kjo si puna e Dudaevit të Shqipërisë në “Paris 2024”, i cili nën fanellën e Rusisë ka fituar dy herë bronzin në Kampionatin Botëror për NEN23. Si puna e Valievit të Shqipërisë në “Paris 2024”, i cili është dy herë kampion i Rusisë, madje jo larg, por për vitin 2023, si dhe dy herë kampion i Europës për NEN 23 e NEN 20 po nën fanellën e Rusisë. Ja pra që na duhet të pranojmë se Pirro Dhima, Luan Shabani, Mirela Manjani, Leonidha Goga, Viktor Mitro, medalistë të Greqisë olimpike, janë produkt i shkëlqyeshëm i nivelit botëror të sportit shqiptar. E po ashtu dhe Duadev e Vialiev të Shqipërisë olimpike janë produkt i shkëlqyeshëm i nivelit botëror të sportit të Rusisë. Kjo histori e jona e këtushme kritike them se merr fund këtu. Duke na kujtuar se morali i fabulës është ky: Dy medaljet e bronzta të Shqipërisë nuk përbëjnë një sukses të sportit shqiptar. Ato përbëjnë një sukses të ekipit olimpik të Shqipërisë dërguar në Olimpiadën “Paris 2024”, e sigurisht edhe ne na vjen mirë për çka arritën këta dy sportistë të mrekullueshëm.

Mirëpo, të marrësh hov mandej, deri aty saqë vepra e tyre po na tregoka zhvillimin e përparimin e sportit shqiptar, kjo nuk është gjë tjetër veçse një rrenë e bukur. E vërteta është një tjetër. Është rënia e sportit shqiptar, çka në një farë mënyre u vërtetua edhe në përfaqësimin tonë olimpik, ku sportistët shqiptarë u renditën nga vendet 27, 30, 37, 43, 62, 68! Pa harruar faktin e fakteve që në “Paris 2024”, Shqipëria “zhduku” deri edhe pjesëmarrjen e peshëngritjes – sportit më të renditur të saj deri tani në Olimpiada. Është vendi i 4-t i peshëngritësit Briken Çakja në Olimpiadën 2020 (21). Pa harruar se gjithçka niste po me peshëngritjen në Olimpiadën “Munih 1972” me rekordin olimpik të përjetshëm në historinë e olimpiadave, që është ai i Ymer Pampurit. Peshëngritja, pra, ajo që i ka dhënë Shqipërisë për të gjitha rangjet e Kampionateve të Europës 141 tituj medaljesh të arta, të argjendta e të bronzta. Edhe këtu ka filluar rënia? E për këtë rënie tonën në sportet e tjera olimpike nuk po shkoj fort më tej.

Po ndalem te mbretëresha atletikë e Shqipërisë së Tiranës pa pistë atletike, ku mbi 30 rekorde kombëtare të të rriturve nuk thyhen tash 20 e 30 vjet! Kur sot kemi kampionë të të rriturve të cilët e fitojnë këtë titull datuar vitet ‘20 të shekullit 21, jo rrallë edhe me rezultate më të ulëta se rekordet kombëtare të të rinjve! Dhe po shkoj edhe te qitja e Elizabeta Karabollit, që i kanë dhënë Shqipërisë Kampionet e para të Europës, e tash nuk dihet se ku është! Pse jo, po shkoj te volejbolli i meshkujve e i femrave, dikur në katërshe të Europës, çka sot as që mund të imagjinohet! Ndërkohë që mund të zgjatem sa të duash me futbollin, klubet të shqiptare të të cilit flaken tej qysh në turet e parë të Kupave të Europës. Apo që ky futboll ka një kampionat kombëtar në të cilin përveçse nuk bëjnë pjesë gjysma e skuadrave të qyteteve tradicionalë (Vlorë, Kavajë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lushnje), prej vitesh nuk i japin Kombëtares së Shqipërisë gati asnjë lojtar. Kësisoj, euforia, qeveritare e për çudi edhe ajo bashkiake, për dy bronzet e “Paris 2024” nuk shkon asesi. Mbi të gjitha sepse euforia asisoj, tash për tash nuk e shëron rënien e dukshme apo krizën e sportit shqiptar. E duke qëndruar gjithnjë te filozofia olimpike mbërrij te Gianni Brera, një pendë botërore e gazetarisë sonë, i cili ka shkruar: “Sporti agonistik ka synim parësor të nxjerrë në pah forcën e bashkësisë së njerëzve, më saktë të një populli dhe midis kësaj force tek ai bën pjesë sa bukuria fizike, përgatitja teknike dhe morale, e po aq edhe kultura, me një fjalë civilizimi”. Sigurisht është fjala për civilizimin, që mbërrin edhe përmes arritjeve të larta sportive. Dhe deri në ç’masë mirëfilli i shprehu këto në “Paris 2024” sporti i popullit shqiptar, kjo është një temë e pamatë për t’u trajtuar… E ku nuk do të duhej të ndaleshim.

Do të duhej të ndaleshim te sporti masiv i të gjitha moshave, te sporti i fëmijëve në lagje e rrethina, te sporti në shkolla e universitete, te terrenet sportive në mjediset banuese të popullit, te sporti në krahina, qytete e fshatra, te qendrat sportive qytetëse, te pishinat, te palestrat, te pistat e atletikës, te shkenca sportive, te nxitja e shpirtit olimpik, te roli dhe përditshmëria e punëve në KOKSH dhe i Federatave sportive, te kujdesi shtetëror e qeveritar për zhvillimin e sporteve, te shkenca sportive, te filozofia shqiptare e shpirtit olimpik. Të cilat për fat, të gjitha këto përmbledhin problematiken trishtuese të rënies së sotme të sportit shqiptar. Vërtet, ku dhe si i kemi të gjitha këto? Në euforinë e dy bronzeve të “Paris 2024”, që nuk erdhën prej sportit shqiptar… Të dy bronzeve që na gëzuan më pak se sa të artat e të argjendtat e sportistëve shqiptarë nën fanellën e Greqisë 30 e sa vjet më parë…/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura