Historia e bariut që befasoi Mehmet Shehun! Rrëfimi i ish-shokut të fëmijërisë së Adil Çarçanit! Kush ishte blegtorit që u dha “leksion” profesorëve të Universitetit Bujqësor

Sep 2, 2023 | 15:10
SHPËRNDAJE

Asllan Nora1KUJTIM LAZE

Ka jetuar deri para pak kohësh në Fushëbardhe të Gjirokastrës një burrë i rrallë, modest me zemër të madhe e punëtorë si rrallëkush. I dashuruar me profesionin e bariut, bëri gjashtëdhjetë vite pa ndërprerë në përkujdesje të dhive në stan. Asllan Nora njihet në krahinë dhe përtej saj, si bariu që befasoi Kryeministrin e kohës Mehmet Shehu me rekordet fantastike në profesionin e tij.

Përtej sukseseve të jashtëzakonshme në mirëkujdesjen për bagëtinë, ai dallohej ndër të tjerë, si bariu i vetëm që i njihte dhitë e tufës një për një dhe i thërriste me emër. Ata që kanë pasur rastin të punojë me të thotë se Asllani arrinte të komunikonte me dhitë si me njerëzit. Jehona që bëri për kohën rasti i tij, kishte shkuar deri te Kryeministri, i cili kishte kërkuar të dhëna shteruese mbi përvojën e bariut nga Fushëbardha për ta përgjithësuar si model në mbarë vendin. Dhe ai burri i urtë e fjalëpakë pas porosisë nga autoritetet lokale një ditë të bukur me një evidencë në dorë u nis në drejtim të Tiranës.

Takimi i parë kishte qenë me specialistët e ministrisë së bujqësisë, pastaj me Adil Ccarçanin, ish-shokun e fëminisë, asokohe zëvëndëskryeministër, për ta përmbyllur me vizitën në zyrën e kreut të qeverisë. Nuk dinte të kumtonte zyrtarisht Asllan Nora, prandaj preferoi të komunikonte me evidencën që kishte mbajtur për gjithë ecurinë e punës së tij me tufën e dhive ku përshkruheshin me detaje shërbimet, rezultatet dhe problematikat që kishte kapërcyer. E kjo kishte vlera të rëndësishme për profesionin, por dhe për specialistët e fushës që përvoja të tilla i çmonin përtej leksioneve të auditorëve. Po kush ishte bariu që bëri 19 mijë dit-netë në stan dhe arriti rekorde të pabesueshme me tufën e deleve që menaxhoi jo pak, por 60 vite me radhë…

NJË JETË ME PROFESIONIN E NDERUAR

Që sa njohu veten e deri sa mbylli sytë përgjithmonë, Asllan Nora ushtroi profesionin e bariut. Madje, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në stane. Aq perfekt ishte në punën që kishte dashuruar, saqë shumëkush që merrte rishtas kërrabën e bariut, konsultohej më parë me të. Për emrin e mirë që kishte krijuar, kishte fituar një popullaritet edhe përtej krahinës. Ishte koha kur shumë të tjerë i bënin bisht këtij profesioni, për sakrificat e shumta që kërkonte, se duhej të qëndroje për ditë të tëra larg familjes, të bëje gjumë më pak se të tjerët, ndryshe s’kishe bërë detyrën si duhet. Por Asllan Norës nuk i mungoi kurrë asnjë element për t’i dhënë emrin e nderuar bariut.

Ai që sa hyri në punë e deri në fund, se hoqi kërrabën nga dora dhe vështrimin nga bagëtitë, nga ato që e bënin të lumtur dhe i shtonin mirësitë. I tillë ishte ky burrë i veçantë, që s’mendoi kurrë për një emër në tabelën e emulacionit, për t’u dukur përpara të tjerëve, por me dashurinë e madhe për punën, në heshtje, pa bërë zhurmë merrte zotime dhe i realizonte ato. Dhe la një pjesë të mirë të jetës në këto male, duke shtuar nga viti në vit sasinë e qumështit ,se donte të kishte më shumë produkte bulmeti në tavolinë për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për të gjithë. Ai njeriu i realiteteve dhe fjalëve të mbajtura, kaloi tërë jetën me profesionin që nuk e ndërroi kurrë. Një jetë të tërë ishte atje, në ditënetët e acarta të dimrit, por dhe në ditë-netët e korrikut me vapë, non stop në male, njëzet e katër orë në krye të tufës me kërrabë në dorë.

URDHËRI QË E LARGOI ASLLAN NORËN NGA LUFTA

Asllan Nora ka qenë ndër të parët që është rreshtuar në radhët e Brigadës së VI në vite e luftës. Ai ka qenë momenti i parë që është ndarë me kërrabën dhe tufën e deleve.

Në Përmet, atë ditë brigade partizane do kishte dhe një luftëtar më shumë. Po nuk kaluan as tre muaj dhe për luftëtarin, birin e Fushëbardhës, Asllan Nora, do të vinte një urdhër i formës së prerë. Një urdhër për ta dorëzuar armën e të kthehej në shtëpi. Ai urdhër i formës së prerë, do ta ndante atë përgjithmonë nga shokët e betejave, nga era e barutit, nga lufta për liri. Asllani me tre vëllezërit më të vegjël nga vetja e kishin pasur mal në shpirt për të qenë secili në vijën e parë të betejave. Por çfarë përmbante ai urdhër i beftë me djaloshin nga Labëria?

Ti Asllan do të kthehesh pranë familjes,- i tha komandanti me një zë dashamirës. Babai ka ndërruar jetë dhe ti si më i madhi i fëmijëve, këtej e tutje do të jesh në këmbë të babait për tre vëllezërit e katër motrat”. Kaq kishte mjaftuar që ai të kthehej me brengën e madhe që la shokët në betejë dhe me dhimbjen therëse për humbjen e babait. Fushëbardha e atyre viteve ka shumë histori të tilla, të trishta e krenare njëherazi. Zëri i Atdheut i ka thirrur në çdo kohë dhe gjithmonë i kanë qëndruar në krah njëri – tjetrit në çdo situatë. Është e njohur në këto anë poezia e Shefqet Musarait për kontributin e lebërve në luftë.

“Dy një kompani. Tre lebër një ushtri!” Ai luftëtari i brigadës së 6 sulmuese, në Përmet, Asllan Nora, që “dezertoi” nga fronti i luftës çlirimtare, do të niste një betejë tjetër në fshatin e tij, në profesionin e bariut në atë kohë, që ekonomia e vendit kishte shumë nevojë.

RIKTHIMI NË STAN ME KËRRABË NË DORË DHE TAKIMI NË MINISTRINË E BUJQËSISË

I qëlloi që Asllan Nora mos ta çonte deri në fund luftën me armën në dorë, por një tjetër lufte i kushtoi jetën. Profesionit të bariut dhe jetës në stane. Dhe bëri emër që kapërceu kufijtë e Gjirokastrës. Kjo ishte arsyeja që një ditë e thirrën në Tiranë specialistët e Ministrisë së Bujqësisë. Ata dolën dhe e pritën gjithë respekt. Ai bariu që vinte nga larg nga shkrepat e Kurveleshit kishte marrë me vete dhe një evidencë 20-vjeçare të punës me gjithë rezultatet vit pas viti. Të pranishmit që e ndiqnin me vëmendje, mbetën “pa mëndje”.

Çuditërisht, ai i largoi ndrojtjet si me dorë dhe vazhdonte bisedën pa protokoll, por që ndezi zyrat e kësaj ministrie, që punonjësit e saj të zbrisnin më shumë në bazë dhe të dëgjonin më shumë zërin e të përparuarve. Asllani nuk ishte ekonomist, as veteriner nuk ishte, por foli bukur dhe me evidenca përpara. Që këtej pastaj me “bllokun” magjik do shkonte tek Adil Çarçani, shoku i tij i fëmijërisë dhe i luftës. U takua dhe u çmall me të. E njohu dhe me bisedën që kishte bërë në ministrinë e bujqësisë. Çarçani e përgëzoi dhe e ftoi që përvojën e tij bashkë me evidencën që kishte me vete t’ia prezantonin dhe Mehmet Shehut. Dhe pritën disa çaste për këtë takim në paradhomën e Kryeministrit.

Një çështje e rëndësishme qeveritare nuk e mundësoi kreun e qeverisë ta takonte bariun nga Fushëbardha, por Çarçani e njohu më vonë me përvojën dhe bllokun e tij, që I tha se Asllani ia kishte sjellë si dhuratë. “Një dhuratë si kjo është mjaft domethënëse, dhuratë mbi dhuratat, kishte thënë Mehmet Shehu i befasuar me modelin dhe sukseset e bariut nga malet e Kurveleshit.

“JAM NGA FUSHËBARDHA”, KRENARIA QË SHFAQTE BARIU MODEL

Sa herë që e deshte puna që Asllani të zbriste në qytet, për punë apo për ndonjë problem tjetër, prezantimin e bënte i pari, para se ta pyesnin të tjerët. “Jam nga Fushëbardha!”. Këtë e kishte fjalën e parë me miqtë dhe njerëzit e saponjohur. Ndihej krenar me fshatin e tij të lindjes, me atë fshat që s’do ta ndërronte as me një qytet në botë. Me këtë profesion, Asllani rriti dhe edukoi një tufë fëmijë, i bëri që dhe fëmijët e një bariu të thjeshtë, të shkolloheshin si gjithë fëmijët e tjerë, të punonin denjësisht në gjurmët e të atit. “Jam nga Fushëbardha!”.

E cili nuk donte të prezantohej me një emër të madh, me fshatin që të lind, të rrit dhe që të shton vlerën si njeri! Por ç’dodhte kur ndonjëri kish vendosur për të ikur me punë dhe banim në qytet. Asllani në afrimitetin e një njeriu të afërm u thoshte: “Jeni menduar për këtë lëvizje? Se një lëvizje e pa menduar mirë,o të ngrë,o të rrëzon dhe se merr më veten pastaj. Po t’i kthejmë të gjithë krahët fshatit, ai do mbetet si një thes bosh”.

Një ngjarje nga tërmeti i vitit 1988

Ishte viti 1988 kur krahina e Kardhiqit u prek nga tërmeti. U dëmtuan vetëm banesa, në Kardhiq, në Prongji, në Kolonjë, Picar,në Zhulat e Fushëbardhë. Ai lajm i keq në ato vite u përcoll nëpërmjet televizionit të vetëm që ekzistonte, TVSH. Edhe pse u siguruan që s’kishte të lënduar nga ajo fatkeqësi natyrore, të gjithë mendonin për përmirësimin e situatës dhe jeta në këtë krahinë t’i kthehej normalitetit.

Njeriu më i afërt për ta, ato ditë, u bë Flamur Çani, kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit të Gjirokastrës. Ai, ato ditë dhimbjeje, e kishte zhvendosur zyrën e tij nëpër ato fshatra që ndjeheshin më në nevojë. Në Fushëbardhë, Flamur Çani ,më përpara nga të gjithë, u drejtua për te shtëpia e Asllanit. Ai ishte më i varfëri dhe duhet ndihmuar, u ishte drejtuar inxhinierëve që e shoqëronin.

– Për ty kemi ardhur,- iu drejtua Flamuri të zotit e shtëpisë. Se ti sot ke nevojë për ndihmën e shtetit. T’ju lehtësojmë dhimbjen të gjithëve që janë prekur nga kjo fatkeqësi.

Asllani, pasi i mirseardhi sipas zakonit, i falenderoi të pranishmit një për një dhe u drejtua nga Flamur Çani: “Rrofshi kryetar! Sot u bindëm që s’jemi vetëm! Jemi të sigurt që edhe këtë luftë do ta fitojmë së bashku. Kemi provuar luftëra me armiqtë nëpër kohëra, por edhe kjo luftë është, luftë me natyrën, por edhe me këtë do dalim fitimtarë së bashku. Dëgjo, kryetar,- iu drejtua përsëri Asllani. Unë sot jam dëmtuar më pak se të tjerët. Niseni këtë punë nga ata që janë dëmtuar më shumë! Këtu jemi, do vijë dhe radha për mua”. Solidaritetin dhe qëndrimin pranë njerëzve në nevojë, e ndjenë të gjithë në ato ditë fatkeqësie.

– I kemi bërë shtëpitë me fukarallëk, sqaronte Asllani, inxhinierët që do të ndihmonin maksimalisht për rindërtimin e kësaj krahine, dhe çdo gjë të kthehej si më parë. Duke u ngazëllyer nga punët që po nisnin pa humbur kohë, Asllan Nora e kujtoi Flamur Çanin dhe një herë: “Dëgjove Flamur! Tek unë do ta lini për në fund!”

NJË KUJTIM NGA TAKIMI ME DRITËRO AGOLLIN  

Shkrimtari fushëbardhas, Resul Bedo, vinte shpesh në vendlindje. Ai para se të nisej nga Tirana për atje, një takim do ta rezervonte edhe me Asllanin, shokun dhe mikun e tij, të luftës dhe të punës. Madje nuk e linte për në fund takimin me të. Shkonte dhe ulej këmbëkryq në shtëpinë e tij dhe bisedonin gjatë për jetën, për punën, për çdo gjë që u përkiste të gjithëve. Por dhe bariu me shpirtin e bardhë si qumështi, vendosi që t’i bënte një vizitë Resulit në Tiranë.

Shkrimtari e priti me gjithë të mirat në shtëpi! Shëtiteni bashkë atë ditë dhe kafen e pinë te klubi në Lidhjen e Shkrimtarëve. Atje takuan dhe me Dritëro Agollin. Bashkë pinë nga një gotë raki më shumë atë ditë. Bënë edhe një foto që Asllani e ruajti deri ën fund si diçka të rrallë. Kjo mjaftoi që bariu të mos e hiqte nga mendja njohjen me poetin dhe shkrimtarin, Dritëro Agollin, kryetarin e lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë.

ATY KU JETA ME VDEKJEN NDAHEJ NË FIJE TË PERIT

Tufa e dhive të Asllanit, ishte “me shenjë” në të gjitha tufat e tjera në rrethin e Gjirokastrës. Në takimet e blegtorëve të rrethit, po dhe në bisedat e tjera, emri i tij përmendej shpesh. Dhe Asllani, emrin e mirë që kishte fituar donte ta mbante deri në fund të jetës së tij. U shmangej lavdërimeve që i bënin dhe i shtrohej punës më shumë. Me dhitë u mor tërë jetën dhe atyre s’u “prishi” qejfin kurrë. E tregojnë si barsoletë, por është një ngjarje e vërtetë. Asllani tufën e dhive i kishte futur në një vend të vështirë që të tjerët e konsideronin “zonë e paprekur”.

Për disa orë, dhitë provuan orët e tmerrit. Bariun dhe dhitë jetuan kufirin e jetës me vdekjen. Rrugë tjetër s’kishte për të dalë nga “kthetrat” e humnerës. Mori guximin Asllani i pari, çau rrethimin gjersa një moment iu kthyen normalitetit. Ai shteg, që me të vërtetë ishte bërë i frikshëm për shumë breza barinjsh, ishte i ngushtë një pëllëmbë dhe vdekja rrinte fare pranë. Një hap ishte larg nga bariu që ishte mësuar me rreziqe dhe “aventura” për hir të profesionit. Kur dolën me suksese prej andej nuk munguan dhe përgëzimet e shokëve të stanit për atë mbijetesë të asaj pasditeje. Por bariu sedërlli nuk “zuri” mënd dhe i provoi edhe herë të tjera ato emocione të frikshme, atje ku jetën e kishe në majë të perit.

DIALOGU ME DOKTOR VANGJEL JANIN QË E KËSHILLONTE PËR ILAÇE

Doktori i krahinës së Kardhiqit, Vangjel Jani, tregonte se me bariun e Fushëbardhës, e kishte gjetur belaja njëherë. Bariu nuk kujdesej shumë për veten, për të mos thënë aspak. Ngaqë ishte një burrë i fortë, mendonte se nuk e poshtëronte dot asnjë sëmundje.

Po ndodhi një ditë që Asllani u gjend para ambulancës te doktor Vangjelit.

– E more Asllan!- i tha doktori. Keni nevojë për ilaçe, që të shërohesh shpejt.

– Çfarë më thua?- ia ktheu bariu. Do shërohem vetë. Ilaç kam malin! Edhe po u sëmura, atje do bëhem mirë! Ai kalë që të hedh, ai të ngrë prapë, o doktor!, iu shpreh ai me kërshëri.

– Mirë, mirë !- ia ktheu doktori, por mos neglizho se vitet ikin e trupi ka nevojë për mjekime që gjërat të mos ti lëmë sa të trashen. Asllani e dëgjoi mirë-mirë doktorin, aty për aty ia bëri qejfin duke marrë recetën dhe u largua miqësisht me të.

Teksa ishte duke dalë, diçka iu kujtua, dhe u kthye përsëri: “Doktor, se harrova, sqaroi bariu, ilaçet do t’i marr, por gjilpërat, s’do m’i bëni më në tule, por në kokë, se koka ma ka fajin!”

USHËBARDHËN DHE ASLLAN NORËN

Kur ngriti një këngë për Fushëbardhën, Halili, rapsodi që ishte pedagog i aviacionit, nuk la jashtë vëmendjes dhe familjen e madhe të Norës. Ai është fushëbardhas dhe si i tillë e njihte mirë fshatin e tij, njihte dashurinë, që mes tyre s’qe ftohur asnjëherë, njihte këngën që këta e këndonin dhe mund ti quaje të tërë korifej. Në një festë të fshatit, Halili u ngjit në skenë dhe nuk la fis pa e përmëndur. Në familjen e Asllanit, këtu ndaloi më gjatë. Ja fjalët e pedagogut që e njihte mirë këngën se këndonte edhe vet: “Kam parë burra për parmëndë, kam parë çobanë dimër e verë.

Por si norajt për këngë, nuk kam njohur më të tjerë. “Poeti popullor dhe të tjerët norajve ua dinë “çapin” se i kishin parë dhe dëgjuar edhe herë të tjera në sebepe dhe në podiume festivalesh. Një jetë e mbushur me djepe këngësh ,një familje dhe një fis, që s’u ka munguar kurrë kënga në shtëpitë e tyre të thjeshta në Fushëbardhë. Ka qenë i famshëm sidomos grupi i fatosave të fshatit që konkurroi dhe në festival, ku pjesa më e madhe e tyre ishin nipërit e Asllan Norës. Më të shumtit e grupit ishin nipat dhe mbesat e Asllan Norës. Kur do konkurronin në festivalin kombëtar përgatiteshin gjatë e me shumë përkushtim, se atje s’përfaqësonin veten e tyre, por një fshat dhe një krahinë të tërë. Dhe s’mbajnë mend të jenë larguar nga skena pa u duartrokitur. Fitimtarë, në punë, fitimtarë në këngë, fitimtarë në jetë!

DYJARJA 50-VJEÇARE QË E FUTI NË SHERR ME INSTITUTIN E FOLKLORIT

Bëhej një festival folklorik në Gjirokastër. Pas orkestrës së familjes Mastora, i vinte radha Asllanit për të konkurruar me culëdyjare. Emocionet s’e linin të qetë, se donte edhe këtu të ishte në vijën e parë. Pasi debutoi me sukses, në shkallët e pallatit të kulturës, takoi drejtorin Muharrem Bejlerin, profesor Zini Sakon dhe Beniamin Krutën, punonjës në institutin e folklorit.

– Dëgjo këtu, Asllan!- iu drejtua profesori. Urime për interpretimin! Na kënaqe!

Po kam dhe një dëshirë?

– Hë, ia ktheu Asllani menjëherë, ku e keni fjalën profesor?

-Po ja ,sikur të na jepje dyjaren për institutin e folklorit, që ajo që tani e tutje të mos jetë më jotja, por edhe jona, e tërë Shqipërisë.

Kaq tha procesor Ziniu dhe heshti. Ai me vështrimin lutës priste që Asllani të mos e kundërshtonte për kërkesën që i bëri.

Me vete Asllani mendonte: “Ku vajti Beniamini dhe profesori te pika ime e dobët, te dyjarja që e kisha skalitur me thonj”.

Pasi u mendua pak, iu përgjigj kuadrove që kishin ardhur nga Tirana: “Dyjaren e kam…. Edhe shpirtin ua jap, por dyjaren jo! S’e këmbej atë as me një thes me para”

Atyre s’u erdhi mirë nga kjo përgjigje, por s’e dhanë veten. Mbase ikën me merak dhe me Asllan Norën hynë “në sherr”, por atij ajo i ishte bërë pjesë e jetës. Kur i binte i dukej se zbrisnin bagëtitë me blegërimat e tyre, të përziera me zilet dhe këmborët e ujdisura aq bukur si një simfoni e vërtetë. I dukeshin se i uleshin pranë njerëzit e fëmijët me cicërimat e tyre. Gjithçka i vinte dhe e ngrohte në shpirt, ajo dyjare që ai e gdhendi me duart e tij 50 vjet më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura